Reklame:

Epoka dixhitale, taksimi si sfide e ekonomise ne shqiperi.

Taksimi i ekonomisë dixhitale është një nga debatet më të nxehta sot në botë. Ndonëse me ritme më të ngadaltë se Europa, për shkak të zhvillimit më të vonuar në teknologji, edhe Shqipëria po përballet me një situatë të tillë

Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë një problematikë të madhe në botë dhe Europë, atë të taksimit të ekonomisë dixhitale. Rregullat e sotme të taksimit ndërkombëtar të kompanive nuk përshtaten më me realitetin e ekonomisë moderne globale, në bazë të të cilit sot një kompani mund të arrijë fitime nga shërbimet dixhitale, pa qenë fizikisht të pranishëm. Rregullat aktuale të taksimit gjithashtu nuk arrijnë të identifikojnë rrugët e reja të krijimit të fitimeve në botën dixhitale.

Si rrjedhojë ka një mospërputhje mes vendit ku krijohet vlera dhe ku paguhen taksat. Për të adresuar këtë problem, në mars të këtij viti, Komisioni Europian propozoi dy nisma të reja për të bërë të mundur që aktivitetet e biznesit dixhital të taksohen në mënyrë të drejtë në BE, të cilat pritet ende të marrin një formë përfundimtare.

Nisma e parë synon të reformojë rregullat e taksimit të kompanive në një mënyrë që fitimet të regjistrohen dhe taksohen atje ku bizneset kanë ndërveprim domethënës me përdoruesit, përmes kanaleve dixhitale. Në bazë të kësaj reforme, secili shtet anëtar do të jetë në gjendje të tatojë fitimet e krijuara në territorin e tij, edhe nëse kompania nuk ka prani fizike, duke i barazuar ato në mënyrë efektive me kompanitë tradicionale. Prania dixhitale do të konsiderohet e qëndrueshme nëse kompania tejkalon 7 milionë euro të ardhura vjetore, nëse ka më shumë se 100,000 përdorues në një vit fiskal dhe nëse janë lidhur më shumë se 3,000 kontrata për shërbime dixhitale ndërmjet kompanive dhe përdoruesve.

Propozimi i dytë lidhet me thirrjet nga disa shtete anëtare për një taksë të përkohshme, që mbulon disa nga aktivitetet dixhitale që aktualisht u shmangen taksave në BE, si ato të fituara nga shitja e hapësirës online reklamuese (psh Google), nga aktivitetet e ndërmjetësimit dixhital që thjeshtojnë shitjen e mallrave dhe shërbimet përmes përdoruesve (psh eBay) dhe shitjen e të dhënave të krijuara nga informacionet e ofruara nga përdoruesit (p.sh Facebook) .

Po Shqipëria?

Ndonëse me ritme më të ngadaltë se Europa, për shkak të zhvillimit më të vonuar në teknologji, edhe Shqipëria po përballet me një situatë të tillë. Kompani të huaja të shërbimit po veprojnë indirekt në Shqipëri përmes internetit, si p.sh., streaming video (apo kontent TV) bastet online, apo dhe operatorë si, Paytv, NetFlix, apo Amazon Prime). Këto kompani, ndonëse ofrojnë shërbim në Shqipëri dhe marrin të ardhura nga konsumatorët shqiptarë, për momentin nuk janë të rregulluara dhe nuk paguajnë taksa.

“Taksimi i ekonomisë dixhitale në përgjithësi nuk ka qenë i lehtë, pasi kryerja e shërbimit nëpërmjet internetit kufizon aftësinë e shtetit për të identifikuar tatimin ndaj këtij ofruesi. Në këtë pikë, shtetet kanë mungesë të aftësisë administrative për të ekzekutuar pretendimet tatimore jashtë kufijve të tyre të juridiksionit”, thanë për “Monitor”, burime zyrtare nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).

Sipas tyre, një nga mënyrat që sugjerohet për zgjidhjen e këtij problemi kompleks është harmonizimi i rregullave, por sërish sfida e zbatimit të një normative të unifikuar paraqet vështirësi, pasi shpesh ofruesit e këtyre shërbimeve janë jashtë Europës. Ajo çka rezulton të preferohet më shumë është përcaktimi i juridiksionit dhe zbatimi i rregullave të vendit të origjinës së këtyre subjekteve. AMA sot nuk ka bazë ligjore që të identifikojë të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve së platformave, që operojnë shërbime audiovizive kur nuk janë të regjistruara në Shqipëri si vend origjine.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e sipërmarrësve, të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike (një nga këto shërbime është edhe ofrimi shërbimit të internetit (internet service provider).
Neni 2, i ligjit nr. 9918/2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” përcakton se:

“Ky ligj nuk zbatohet për përmbajtjen e shërbimeve të ofruara nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike”. Pra operatorët dixhitale që nuk janë të regjistruar në Shqipëri, nuk janë pjesë e rregullimit / monitorimit nga AKEP dhe nuk raportojnë të dhëna statistikore në AKEP.
Burimet e institucionit thanë se, AKEP nuk është institucioni, i cili vlerëson përmbajtjen ose content-in e një faqeje dhe si pasojë, as nuk mund të jetë institucioni iniciues i procesit të mbylljes së një platforme ose faqe të caktuar, por vepron në bazë të kërkesave që vijnë nga organet apo institucionet kompetente. Vetëm në momentin që vjen një kërkesë nga një organ kompetent për mbylljen e një faqeje interneti që ofron përmbajtje apo shërbime të paautorizuara, AKEP urdhëron sipërmarrësit e komunikimeve elektronike (ISP) për mbylljen e aksesit në atë faqe.

Rekomandime si mund të taksohen këto aktivitete

Edland Graci, konsulent i PwC në Spanjë, për transferimin e çmimeve thotë se është i papranueshëm fakti që kompanitë dixhitale po përfitojnë nga shërbimet publike, duke mos kontribuar në mënyrë proporcionale në arkat e secilit shtet. “Kjo është e papranueshme në nivel institucional, pasi shtetet duan të tatojnë fitimet që nxirren në territorin e tyre, në nivel publik, pasi qytetarët po marrin më pak shërbime publike sesa duhet të merrnin nëse multinacionalet do të paguanin mjaftueshëm tatime dhe në nivel komercial, pasi kompanitë konvencionale janë në dizavantazh në konkurrencën me këto kompani dixhitale, duke paguar një nivel efektiv tatimesh shumë më të lartë”.

Ai shton se Shqipëria është në rrugën e integrimit të plotë dhe pjesë e këtij integrimi është edhe adaptimi i politikave qeverisëse.
Graci është i mendimit që edhe Shqipëria duhet të përshtasë propozimin e Komisionit Europian, kompanitë që ofrojnë shërbime dixhitale si shitja e hapësirave online të marketingut, platformat dixhitale të ndërmjetësimit midis përdoruesve dhe shitja e të dhënave dixhitale të përdoruesve, duhet të tatohen mbi xhiron (dhe jo mbi fitimin) që kanë në secilin shtet me shkallë tatimore 3%. LEXO TE PLOTE http://www.monitor.al/shqiperia-te-pershtase-reformat-tatimore-te-be-se/

Kjo taksë europiane e internetit është një taksë e re që BE synon të vendosë menjëherë në mënyrë të përkohshme, që të detyrojë gjigantët e web-it të paguajnë taksat e nevojshme aty ku fitimet janë prodhuar.

Për këtë qëllim, Komisioni i BE-së ka propozuar një tatim prej 3% për:
-të ardhurat nga shitja e hapësirës reklamuese (si Google);
-transferimi i të dhënave (siç është Facebook);
-ndërmjetësimi ndërmjet përdoruesve dhe biznesit (si Uber).
Për të taksuar gjigandët e internetit, Brukseli propozon 3 kritere për të identifikuar praninë dixhitale të tatueshme nga autoritetet tatimore kombëtare:
-nëse shoqëria dixhitale bën 7 milionë euro në të ardhura vjetore në një Shtet Anëtar;
-nëse ka më shumë se 100 mijë përdorues të regjistruar në një shtet;
-ose nëse ka më shumë se 3,000 kontrata për shërbime dixhitale për përdoruesit e biznesit.
Ekspertët pohojnë se në rastin e Shqipërisë, shifrat duhet të përshtaten në madhësinë e tregut.

INTERVISTA 1

Prononcim i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA):

AMA: Po hartojmë platformë të përbashkët kundër piraterisë televizive

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) pohon se nuk mund të identifikojë të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve të platformave, që ofrojnë shërbime audiovizive kur nuk janë të regjistruara në Shqipëri si vend origjine.
Megjithatë, burime zyrtare të AMA-s pohuan se po përgatisin një platformë bashkëpunimi me institucione të ndryshme, përfshirë dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në kuadër të luftës kundër piraterisë televizive. Sipas AMA-s, ku në fokus janë transmetimet e paautorizuara nëpërmjet internetit, konkretisht prej rrjeteve IPTV dhe sidomos platformave që shpërndajnë sinjalin e medias direkt përmes internetit (OTT).

A i monitoroni ju operatorët që ofrojnë shërbime audiovizive në internet dhe a ka të dhëna se sa është numri i përdoruesve të këtyre platformave në Shqipëri?

Po sa u përket kompanive të huaja të shërbimit, që veprojnë indirekt në Shqipëri përmes internetit, si p.sh., streaming video (apo content TV) bastet online (p.sh., Paytv, NetFlix, apo Amazon Prime)?

AMA, konform parashikimeve të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive dhe shërbimeve të tjera mbështetëse në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për rrjedhojë, AMA kontrollon zbatimin e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën objekt të këtij ligji dhe monitoron tërësinë e programeve të transmetuara nga Ofruesit e Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA) që licencohen në Republikën e Shqipërisë.

Platformat ku operojnë këto subjekte janë:
-Rrjetet tokësore
-Rrjetet satelitore
-Rrjetet kabllore CaTV
-Platformat IPTV
-Platformat OTT
-Internet TV

Platformat teknologjike dixhitale që ju referoni për efekt studimi, ofrojnë shërbime audiovizive që mbështeten në internet dhe përcillen përmes protokollit IP në një rrjet të hapur dhe nuk administrohen direkt nga ofruesi i shërbimit, por janë të identifikueshëm përmes lidhjes së marrëdhënies kontraktuale (OTT);

Për sa i përket OSHMA-ve OTT të licencuar në Republikën e Shqipërisë, numri i abonentëve përdorues mund të identifikohet vetëm në momentin e tarifimit të këtyre subjekteve nga AMA, pasi në bazë të vendimit nr. 220, datë 01.12.2017 “Mbi përcaktimin e pagesave për licencë/autorizim dhe shërbimet që kryhen nga Autoriteti i Mediave Audiovizive”, ky tarifim bëhet në bazë të numrit të abonentëve që subjekti dhe në rastin kur ky informacion nuk depozitohet pranë AMA-s, atëherë ndaj subjektit aplikohet tarifa maksimale, që i korrespondon fashës me numrin maksimal të abonentëve.

Për subjektet e mësipërme, të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve të këtyre platformave, kur nuk janë të regjistruara në Shqipëri si vend origjine, AMA nuk mund t’i identifikojë. I vetmi rast kur këto të dhëna bëhen të identifikueshme është kur subjekti në fjalë autorizohet për të vepruar në Republikën e Shqipërisë.

A keni në plan të bashkëpunoni me Tatimet dhe AKEP, në mënyrë që këta operatorë të “legalizohen” dhe të futen në skemën e deklarimit të TVSH dhe të ardhurave, ashtu siç ndodh me vendet e tjera të zhvilluara, ose përndryshe të bllokohen?

AMA aktualisht ka një draft-marrëveshje bashkëpunimi me DPTT sa i përket shkëmbimit të informacionit të ndërsjellë institucional për vlerësimet dhe rekomandimet për çështjet që lidhen me pagesën e detyrimeve financiare ndaj Buxhetit të Shtetit dhe pagesën e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të OSHMA-ve të licencuar/autorizuar nga AMA në Republikën e Shqipërisë. Ky shkëmbim informacioni ka si qëllim që AMA në veprimtaritë e saj mbikëqyrëse dhe rregulluese të subjekteve të licencuar prej saj, të garantojë respektimin e detyrimeve ligjore mbi pagesën e sigurimeve shoqërore dhe detyrimeve të tjera konform legjislacionit tatimor në fuqi.

Sa i takon AKEP, AMA bashkëpunon në kuadër të zgjidhjes së interferencave që lindin nga transmetimet audiovizive. Aktualisht AMA po përgatit një platformë bashkëpunimi me institucione të ndryshme, përfshirë dhe AKEP, në kuadër të luftës kundër piraterisë televizive, ku në fokus janë transmetimet e paautorizuara nëpërmjet internetit, konkretisht prej rrjeteve IPTV dhe sidomos OTT. Në këtë nismë parashikohet bashkëpunim i ngushtë me AKEP, Policinë e Shtetit dhe instancat përkatëse të luftës kundër krimit kibernetik, si dhe Prokurorinë, për evidentimin e transmetimeve audiovizive të paautorizuara, marrjen e masave përkatëse sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi. Ndërkohë janë parashikuar dhe propozime për ndryshime në kuadrin ligjor sa i përket rritjes së efikasitetit në luftën kundër piraterisë televizive.

Është për t’u theksuar se, subjektet që referoni për qëllim studimi, klasifikohen edhe si subjekte të legjislacionit mbi e-commerce dhe referuar Nenit 5/1 të ligjit, nr. Nr.10 128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike” parashikohet se:

“Ofrimi i shërbimeve të shoqërisë së informacionit, nga një ofrues shërbimi, i themeluar në një vend anëtar i Bashkimit Europian, për arsye që i përkasin fushës së rregullimit të koordinuar, nuk kufizohet në Republikën e Shqipërisë.”
Në dritën e këtij neni, rregullimi i tyre kur nuk kufizohet në një shtet të caktuar, jo detyrimisht i bën të klasifikohen si subjekte automatikisht të jashtëligjshme për veprimtarinë e ushtruar në një shtet tjetër. Me po të njëjtën logjikë mund të interpretohet se edhe në rastet kur ofruesi i shërbimit është themeluar në Republikën e Shqipërisë, ofrimi i shërbimeve të shoqërisë së informacionit nuk duhet të kufizohet në vendet e tjera.

Kjo është një rezervë që duhet të mbahet parasysh pasi kuadri ligjor rregullator për këtë fushë të së drejtës rezulton të jetë i ndryshëm në Shtetet në të cilin këto subjekte veprojnë. Le të ndalemi në një shembull të thjeshtë lidhur me shoqërinë NETFLIX. Nga një hulumtim i Cullen International, me synim ofrimin e një pasqyre nëse platforma të llojit video on demand (VOD) / (OTT) si Netflix, janë apo jo subjekt i një takse që synon financimin e krijimit kombëtar të filmit / audiovizual, rezultonte se:

Nga mbulimi i NETFLIX në nëntë vende anëtare të BE-së (Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe) dhe në shtatë vendeve në Amerikë (Argjentinë, Brazil, Kili, Kolumbi, Meksikë, Kanada dhe SHBA ), brenda BE, fondet e filmit dhe taksat shoqëruese mbulohen nga legjislacioni i shteteve anëtare, por midis vendeve të mbuluara nga kjo pikëpamje, vihej re se Gjermania dhe Franca e kishin futur tashmë një taksë të veçantë për platformat VOD / OTT si Netflix dhe se ofruesit jokombëtarë ishin gjithashtu të detyruar të kontribuonin financiarisht.

Në Amerikë, Brazil, mblidhej një taksë nga shërbimet e tipit Netflix, për të financuar prodhimin kombëtar të përmbajtjes audiovizive, ndërsa vendet e tjera objekt i këtij hulumtimi të Cullen nuk e aplikonin këtë taksë.

A ka pengesa ligjore për të trajtuar këta operatorë dhe çfarë masash propozoni ju që të ndërmerren dhe çfarë planesh konkrete ka?

Në të njëjtat kushte me operatorët që ju përmendni, OSHMA të licencuara në Republikën e Shqipërisë, ofrojnë gjithashtu shërbim audioviziv në vende të ndryshme të botës nëpërmjet platformës OTT, siç është rasti i operatorit TIBO. Në këtë rast nuk kemi informacion të plotë mbi detyrimet tatimore ose rregullimin e veprimtarisë së këtij operatori, pasi vende të ndryshme, ose nuk kanë caktuar parashikime të tilla ose kanë përqasje specifike për shërbime audiovizive të licencuara në vende të tjera.

Po kështu, edhe në Europë kjo është një çështje e cila mbetet e paravijëzuar plotësisht, duke qenë se këto shërbime përbëjnë një nga risitë e fundit në teknologjinë e transmetimeve televizive. Taksimi i ekonomisë dixhitale në përgjithësi nuk ka qenë i lehtë, pasi kryerja e shërbimit nëpërmjet internetit kufizon aftësinë e shtetit për të identifikuar tatimin ndaj këtij ofruesi. Në këtë pikë, shtetet kanë mungesë të aftësisë administrative për të ekzekutuar pretendimet tatimore jashtë kufijve të tyre të juridiksionit.

Një nga mënyrat që sugjerohet për zgjidhjen e këtij problemi kompleks është harmonizimi i rregullave, por sërish sfida e zbatimit të një normative të unifikuar paraqet vështirësi, pasi shpesh ofruesit e këtyre shërbimeve janë jashtë Europës. Ajo çka rezulton të preferohet më shumë është përcaktimi i juridiksionit dhe zbatimi i rregullave të vendit të origjinës së këtyre subjekteve. Gjithsesi, nga ndryshimet fiskale në Bashkimin Europian, vihet re se ka një tentativë për rritjen e taksave për blerjet e përmbajtjeve dixhitale, nga ku llogaritja do të përcaktohet në bazë të zonës ku konsumatorët jetojnë dhe jo nga zona ku kompania ka selinë e saj.

INTERVISTA 2

Prononcim i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)

AKEP ndërhyn vetëm kur merr sinjalizime

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) thotë se mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e sipërmarrësve të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike, përfshirë dhe ofruesit e shërbimit të internetit, por ligji “Për komunikimet elektronike” nuk zbatohet për përmbajtjen e shërbimeve të ofruara nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike. Si rrjedhojë, AKEP pohon se nuk ka të dhëna statistikore për operatorët që nuk janë pjesë e monitorimit të saj. AKEP mund të ndërhyjë vetëm në momentin që vjen një kërkesë nga një organ kompetent për mbylljen e një faqeje interneti që ofron përmbajtje apo shërbime të paautorizuara.

Një sërë operatorësh ndërkombëtarë që ofrojnë shërbime nëpërmjet internetit, si Paytv, NetFlix, apo Amazon Prime, baste online janë të pranishëm edhe në Shqipëri. A monitorohen këta operatorë nga AKEP?

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – AKEP, bazuar në nenin 6, pika 1, e ligjit nr. 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ky ligj, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Për të përmbushur qëllimin dhe objektivat rregullatorë, të përcaktuara nga ky ligj, AKEP-i ka kompetencë të mbikëqyrë, kontrollojë dhe monitorojë veprimtaritë e sipërmarrësve të rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera në zbatim të këtij ligji; AKEP, autorizon sipërmarrësit për ofrimin e rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përputhje me nenet 13, 14, 15 të ligjit nr. 9918/2008.

Në këtë kuadër, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj nr. 1, AKEP, autorizon dhe më pas mbikëqyr/kontrollon veprimtarinë e sipërmarrësve të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike (një nga këto shërbime është edhe ofrimi i shërbimit të internetit (internet service provider).
Neni 2, i ligjit nr. 9918/2008, përcakton se: Ky ligj nuk zbatohet për përmbajtjen e shërbimeve të ofruara nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike. Operatorët që ju përmendni nuk janë pjesë e rregullimit / monitorimit nga AKEP.

A ka të dhëna se sa është numri i përdoruesve të këtyre platformave në Shqipëri?

Për sa i përket kësaj pyetje, në vazhdim të përgjigjes së dhënë në pyetjen e parë, për sa kohë që këta operatorë nuk janë pjesë e rregullimit dhe monitorimit nga AKEP, rrjedhimisht nuk kanë një autorizim nga AKEP dhe si pasojë, nuk raportojnë të dhëna statistikore në AKEP.

Si vepron AKEP në rastet kur konstatohet se ka pirateri? A ka bashkëpunim me autoritetet për rastet e piraterisë për të bllokuar providerat e internetit që ofrojnë shërbime të paautorizuara që gjenerojnë të ardhura në territor?

Në bazë të ligjit Nr.9918, datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), dhe më specifikisht nenit 15, pikës e) të këtij ligji, AKEP kërkon nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike mbylljen e aksesit ndaj faqeve elektronike me përmbajtje të paligjshme, ose të dëmshme sipas rregullimeve përkatëse ligjore në fuqi.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që AKEP nuk është institucioni i cili vlerëson përmbajtjen ose content-in e një faqeje dhe, si pasojë, as nuk mund të jetë institucioni iniciues i procesit të mbylljes së një platforme ose faqe të caktuar, por vepron në bazë të kërkesave që vijnë nga organet apo institucionet kompetente. Vetëm në momentin që vjen një kërkesë nga një organ kompetent për mbylljen e një faqeje interneti, që ofron përmbajtje apo shërbime të paautorizuara, AKEP urdhëron sipërmarrësit e komunikimeve elektronike (ISP) për mbylljen e aksesit në atë faqe.

Në këtë aspekt, mund të përmendim bashkëpunimet që AKEP ka pasur dhe vazhdon të ketë me Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Autoritetin e Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Autoritetin e Mediave Audiovizive, Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare etj., për bllokimin e faqeve që ofrojnë përmbajtje të paligjshme ose shërbime të paautorizuara / të palicencuara.
AKEP mbikëqyr vazhdimisht sipërmarrësit e komunikimeve elektronike për sa i përket respektimit të detyrimit të bllokimit të aksesit në faqe që ofrojnë përmbajtje dhe/ose shërbime të paligjshme dhe në çdo rast, kur nuk plotësohen këto detyrime, mund të ndërmarrë masa administrative sipas kuadrit ligjor dhe rregullator përkatës.

/Monitor/