Reklame:

Ndalohet me ligj peshkimi me grep dhe rrjeta!

Peshkimi, sporti  i vetëm që u kishte mbetur gjuetarëve nuk do të mund të ushtrohet më si më parë. Rregulla të reja dhe tepër burokratike do të disiplinojnë gjuetinë e peshkimit sipas qeverisë.

 

Është pikërisht një vendim i qeverisë i cili do ndalojë tashmë peshkimin me mjete lundruese, grepa, rrjeta, fushnjere apo pushkë uji në thellësi.

Vendimi tregon se çdo qytetar i cili do të dalë të peshkojë me mjetet e lartpërmendura do të duhet të rregjistrohet në shoqata në nivel qarku ose shoqata më të mëdha.

Arian Palluqi, drejtori i Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë ka shpjeguar arsyet e bërjes se ligjit. “Sektori i peshkimit sot  është jashtë organizimit,  jashtë kontrollit, jashtë monitorimit, jashtë kushteve higjieno-sanitare, jashtë çfarëdolloj parametri. Jashte çdo kontrolli është peshkimi i vogël bregdetar, duke filluar nga gryka e Bunës në kepin e Stillos. Ne kemi sot peshkimin që gjuhet, ku çdo njeri që ka shtëpi para detit kërkon të hyjë në det. Ky ligj thjesht kërkon t’i organizojë ato për të gjitha këto arsye që u përmendën”,- tha Palluqi. Por, ndryshimet në ligjin për peshkimin përfshijnë edhe gjuetinë në det të hapur. Raportimet mbi sasitë e kapura të peshkut do të bëhen që gjatë kohës që anija është në det, përmes një sistemi dhe pajisjeje të re, e cila duhet të vendoset nga të gjitha anijet e peshkimit me detyrim.

“Ka një kosto tjetër shtesë për peshkatarin. Atë detyrim që ai e ka sot për ta bërë me letra, kur vjen në port që dorëzon peshkun, duhet ta bëjë që në det me raportimin elektronik. Kjo pajisje e mundëson”, theksoi më tej Arian Palluqi.

Sektori i peshkimit në Shqipëri po zgjerohet. Statistikat e vitit 2017 flasin për rreth 8.300 tonë peshk të kapur në ujërat shqiptare.