Organizata Transparency International ka paraqitur raportin e saj për problemet me korrupsionin në 180 vende të ndryshme gjatë vitit 2018. Kosova dhe Shqipëria renditen keq në këtë raport.
Numri më i lartë i pikëve në renditjen e Transparency International është 100 pikë, nëse në një vend nuk ka aspak korrupsion. Ndërsa me 0 pikë vlerësohet një vend, i cili është tërësisht i korruptuar. Ndër vendet me nivelin më të ultë të korrupsionit gjatë vitit 2018, sipas Transparency International, është Danimarka me 88 pikë. Ndërsa pasojnë Zelanda e Re, Singapori, Suedia dhe Zvicra. Shikuar nga rajonet e ndryshme, gjendja më e mirë paraqitet në Evropën Perëndimore, me një mesatare prej 66 pikë.
Cilat vende dhe rajone janë më të korruptuarat?
Rezultatet më të dobëta në luftimin e korrupsionit gjatë vitit të kaluar kanë shënuar vendet që vuajnë nga luftërat, si Somalia, Siria, Sudani i Jugut dhe Jemeni si dhe Koreja e Veriut.
Rajoni më i korruptuar është jugu i Saharasë në Afrikë, ku shumë vende kanë probleme me institucionet e shtetit dhe mungesën e vlerave demokratike, njofton Transparency International.
Probleme shumë të mëdha kanë edhe vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore. Sa i përket vendeve të Evropës, Bashkimi Evropian ka një mesatare prej 66 pikësh. Mesatarja mund të jetë edhe më e lartë, por këtë e kanë dëmtuar disa vende si Kroacia, e cila është në vendin e 68 me 48 pikë, Pastaj Rumania me 47, Hungaria (46), Greqia (45) dhe Bullgaria (43).
Ndërsa ndër vendet e Evropës Juglindore, Bosnjë-Hercegovina ka mbetur në të njëjtin vend si para një viti, Sllovenia, Kroacia dhe Mali i Zi kanë shënuar rënie me një pikë, ndërsa Shqipëria, Kosova dhe Serbia kanë shënuar rënie me dy pikë.
Ndër vendet me renditjen më të ulët janë Bosnje-Hercegovina me 38 pikë, si dhe Kosova dhe Maqedonia me 37 pikë.
Gjendja në Gjermani
Gjermania në këtë renditje zë vendin e 11 nga 180 vende, me një indeks prej 80 pikësh, sikur edhe Mbretëria e Bashkuar. Më mirë se Gjermania janë renditur Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Singapuri, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Holanda, Kanadaja dhe Luksemburgu. Një vit më parë, Gjermania ishte në vendin e 12 me 81 pikë, pra gjendja ka ndryshuar shumë pak. NëTransparency International thotë se “gjendja në Gjermani po shënon ngecje në disa vitet e fundit.”
(DW)