Rritja e cilësisë dhe varieteteve të ndryshme, do ta bënte kivin shqiptar më konkurues jo vetëm në tregun vendas por edhe atë ndërkombëtar.
Kivi është një frut ekzotik i cili tregëtohet me një çmim relativisht të lartë për konsumatorin vendas. Kjo ndodh sepse ky frut kryesisht importohet nga vendet e tjera drejt vendit tone.
Kivi ka nisur të kultivohet edhe në vendin tonë sidomos në zonën Lushnjë – Fier, në rajonin Tiranë – Durrës, por edhe në Vaun e Dejës dhe Pogradec por i një cilësie jo të mirë.
Sipas ekspertëve, kivi i prodhuar në Shqipëri është më kokërrvogël se fruti i importuar. Megjithatë, vlerat janë të njëjtat. Ky frut nuk është i trajtuar me solucione për t’i zgjatur jetën në transport nga vendet e origjinës deri në tregjet e Shqipërisë.
Suksesi i kultivimit të kivit bazohet në dy aspekte: thjeshtësia në rritje dhe aftësia e bimës për të mos e kapur asnjë sëmundje dhe të garantojë prodhim.
Kivi quhet pema e milionerëve dhe e njerëzve dembelë. Kivi rritet me fidanë që gjenden pothuajse në të gjitha fidanishtet në vend. Ai formësohet si hardhia e rrushit, pra në zhvillim të lartë dhe horizontal.
Shqiptarët janë njohur me kivin pas rënies së komunizmit, ku shumë e ngatërruan me pataten.
Në Shqipëri kivi ka qenë krejt i panjohur. E vërteta është që disa bimë me kivi kanë qenë mbjellë gjatë viteve 70 në kopshtin eksperimental të Institutit të Kërkimit Bujqësor në Lushnjë”, shpjegon eksperti i Hortikulturës, Gjovalin Gjeloshi.
Askush nuk e di me saktësi pse ato pemë që u mbollën në vitin 1970 nuk u përhapën në vend, por u desh të kalonin 20 vjet që ta mund ta shijonim këtë frut.
“Ndoshta ishte zona e Lushnjës që nuk mundësoi që kjo bimë të zhvillohej më tej”, thotë Gjeloshi, i cili konsiderohet si nga të parët që ka kultivuar frutin e kivit në Shqipëri në fillimin e viteve 1990.
(VOAL)