Reklame:

Bimët mjekësore “Made in Albania” do të preken nga ulja e rimbursimit të TVSH

Sektori i bimëve mjekësore dhe erëzave është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Eksportet shënuan rritje edhe në vitin 2018, megjithëse morën një goditje të fortë, për shkak të zhvlerësimit të valutave në vend.

Pritshmëritë e sektorit për vitin 2019 janë optimiste. Sektori është konsoliduar në tregjet ndërkombëtare – bimët mjekësore dhe erëzat shqiptare tashmë janë një brand. Sektori i druhet tkurrjes së prodhimit për shkak të uljes së rimbursimit të TVSH-së për fermerët nga 20% në 6%. Ulja ishte e menjëhershme dhe pritet të japë efekte te sektori

President i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike zoti Filip Gjoka në një intervistë për monitor shprehet se:

Së pari, dua të theksoj se viti 2018 u mbyll me sukses në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore dhe erëzave. Këtë vit, vlera e eksporteve e kalon 45 milionë dollarë, pra ka pasur rritje si industri. Vitin 2019 e presim me optimizëm, por me uljen e rimbursimit të TVSH-së për fermerin, kemi frikë se do të ulet prodhimi i bimëve mjekësore dhe erëzave.

Është shqetësuese se ligji kaloi pa u konsultuar me ne. Ligji ka ulur kompensimin për fermerët nga 20% në 6%, duke u justifikuar me faktin se kanë ulur TVSH-në për inputet bujqësore. Ligji nuk është konsultuar me shoqatat e biznesit në tërësi. Përfshirja e kompensimit të fermerëve në vitin 2014 rriti prodhimin, duke sjellë sasi të mjaftueshme që ne t’u drejtoheshim tregjeve dhe kompanive gjigante ndërkombëtare.

Tregjet që i kemi kapur me mund, rrezikojmë t’i humbim, duke qenë se do të ulet interesi nga fermerët për të kultivuar. Frika jonë më e madhe është rënia e prodhimit nga fermerët. Deri para 2014-s, një pjesë e fermerëve punonin të paregjistruar. Mendoj se reduktimi në masën 14% i kompensimit të TVSH-së është i pastudiuar dhe jo në momentin e duhur.

Vendi ynë ka mbështetjen dhe subvencionimin më të vogël krahasuar edhe me vendet e rajonit si Maqedonia apo Kosova. Nëse do të ishte marrë mendimi ynë si organizatë, mbase do të ishte më mirë që nga 20% të ulej në 15%, por jo në mënyrë të menjëhershme. Fermerët dhe individët që kanë investuar në bujqësi përballen me një ndryshim të beftë të ligjit. Ndryshimi duhej të ishte gradual për fermerët. Ashtu siç dha një rritje të madhe në prodhim ndryshimi i ligjit në vitin 2014, ulja e menjëhershme do t’i japë një goditje në kahun e kundërt. Ne si industri nuk përdorim inpute bujqësore, pasi industria jonë merret me bimë organike.

Çfarë efekti pati kursi i këmbimit gjatë këtij viti? Çfarë masash keni marrë për vitin që do të vijë, nëse leku vijon të mbetet kaq i fortë përkundrejt monedhave?

Rreth 70% e eksporteve të bimëve mjekësore shkon drejt Eurozonës, ndërsa pjesa tjetër, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë. Monedhat kryesore, Euro dhe Dollari, kanë pësuar rënie pikiatë gjatë 2018-s, duke vazhduar tendencën që kishte nisur që të ndihej një vit më parë. Për eksportuesit e prodhimeve “Made in Albania”, rënia e euros ka qenë një goditje.

Zhvlerësimi i euros, por edhe i dollarit ka qenë problematik për të gjithë eksportuesit e produkteve “Made in Albania”. Për fat të keq, forcimi i paprecedentë i lekut i ka bërë produktet tona më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Ne do të luftojmë me kontratat e reja që do të mbyllim me blerësit tanë duke rritur çmimin, deri në atë kufi që klientët të mos largohen. Me kursin aktual, humbjet vjetore llogariten në disa miliona lekë. Situata do të shkurtojë vendet e punës, si dhe do të ulë investimet në përpunimin e standardizimin e produkteve. Ne si shoqatë do t’i bëjmë thirrje dhe një herë Guvernatorit për ndërhyrje për moszhvlerësimin e mëtejshëm të euros.

(monitor)