Reklame:

Bleta dhe sëmundjet e saj- Pjesa e parë

Mëma, në vetvete, është forca njësuese e bashkësisë; nëse e largojmë nga zgjoi, bletët punëtore do t’ia ndjejnë shumë shpejt mungesën. Pas disa orësh ose dhe më pak, ato shfaqin shenja të pagabueshme të mungesës së një udhëheqjeje. Nuk ju duket ky fakt intrigues?!

Meditoni pak më gjatë. Ju po hyni në botën e bletëve, gjykoni se po i futeni një aventure të mrekullueshme, bletarisë, që do t’ju ndryshojë jetën. Ndikimet do të jenë të menjëhershme e të mirëpritura, sa të vendosni lidhjen e parë me një familje blete. Mbarështimi i bletës nxit ato pjesë të fjetura të pasioneve tuaja; çliron disa zona të të menduarit dhe të të vepruarit pa kahje dhe shtyn në këndvështrime më racionale.

Bletari rishtar, fillimisht, përballet me rrethana të reja, që i duken të mistershme dhe shqetësuese. Vetë nuk mund të kuptojë dhe nuk di çfarë të bëjë tjetër. Është fatmirësi për të, po të ketë pranë dikë që mund ta pyesë. Gjithmonë duhet një udhëheqës, që të të sqarojë kur ti has diçka të pakuptueshme. Por, çuditërisht, gjatë marrëdhënieve të përditshme me bletarët me përvojë, kemi vënë re se edhe ata bëjnë po të njëjtat pyetje; duke u përballur me situata të njëjta, habiten e çoroditen, nuk orientohen si duhet.

Një ditë, Albert Ajnshtajni u vizitua nga një student i tij, i cili i tha:

– I nderuar profesor, pyetjet për provim të këtij viti janë të njëjta si vitin e kaluar!

– Po, – ia ktheu pedagogu, – por këtë vit të gjitha përgjigjet janë të ndryshme.

Bletarëve, sot, mund t’u krijohet ndjesia se ndodhen në një rrethanë të ngjashme. Menaxhimi i bletores, për të qenë i suksesshëm, kërkon punë, kujdes dhe mund të gjatë. Në pranverë mund të kemi rrethana të shkëlqyera dhe bletari parashikon një vit të mbarë. Por, papritur, vërehen humbje familjesh. Rrethanat mbresëlënëse zhduken dalëngadalë. Bletari shikon se situata po i del nga dora, gjendja rëndohet dhe çdo gjë shkon drejt dështimit. Nuk duhet të ligështohet, sado vështirë, ka një rrugëdalje. Zgjidhjen më të saktë mund ta japë vetëm bletari për bletoren e tij. Një bletar që ka dijet e nevojshme, që është i plotësuar, ai është njeriu më i aftë për t’i dhënë zgjidhje. Nuk ka shkencëtar, specialist të mirëfilltë të fushës, që mund ta njohë më mirë se ai familjen e bletëve a bletoren e tij. Çdo familje ka veçanti. Vetëm ai që e ka ndjekur ecurinë, gjendjen, rezervat ushqimore, mbretëreshën, pjelljet, daljen nga dimri, prekjen nga sëmundjet etj., mund të mirëdrejtohet dhe të gjejë rrugëzgjidhje.

Studiuesi, shkencëtari, sjell informacionin më bashkëkohor, që është një vlerë e shtuar dhe e pazëvendësueshme në fushën e bletarisë. Por e rëndësishme është që bletari të ketë aftësinë e njohjes së këtij informacioni, me qëllim që në zgjidhjen e dyzimeve dhe vështirësive të jetë i pajisur me dije të nevojshme.

Duke mbarështuar për një kohë të gjatë bletë, kjo punë e përditshme me to i bën bletarët të përkushtuar, aq sa ka ndër ta që janë të lidhur edhe shpirtërisht me bletët. Ata vazhdojnë të hulumtojnë, për të zbuluar të fshehtat e familjes së bletëve. Këtahobistë, në qendër të vemendjes së tyre kanë mbretëreshën. Ka nga ata që mendojnë se e njohin mirë, ashtu siç ka edhe bletarë që mendojnë se mbretëresha, si dhe gjithë veprimtaria e familjes bletë, i përket një bote misterioze, e pamundur të njihet dhe se mundësia për të vepruar me to është e kufizuar, në mos e pamundur. Në takimet, bletarët pyesin dhe kërkojnë shpjegime për dukuri të zakonshme dhe të përsëritshme, ndonëse syri i tyre kureshtar e vëzhgon natyrën e mbretëreshës dhe marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes. Në këtë hapësirë, ata vërejnë dukuri befasuese, që lidhen më ligjësi të organizimit të familjes.

Informacioni mbi probleme të caktuara përftohet prej gjykimesh dhe vlerësimesh të hetuara nga një kënd i veçantë vëzhgimi. Secili do të perceptojë, pikërisht, gjëra nga ato që i interesojnë, bazuar në vlerat, bindjet dhe paragjykimet e tij. Bletari, thellë vetes, synon ndryshimin, por sjellja herë-herë flet për të kundërtën. Që të ndryshosh është e vështirë.

Për një periudhë të gjatë të jetës sime profesionale, fati e ka dashur të punoj me bletarinë dhe të njoh shumë bletarë. Në marrëdhënie me ta, ashtu si i kam ndihmuar me njohuritë e mia në këtë fushë, ashtu kam mësuar nga përvoja e tyre e vyer. Çdo bletar është si një institucion më vete; ai ka veçoritë e tij, cilësitë dalluese. Mbarështimi i bletës, krahas kënaqësisë, bart dhe vështirësi. Vështirësia qëndron tek gjasa, se nuk mund të gjykohet dhe të dilet në përfundime në një çast të dhënë. Ajo ka të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në qoftë se nuk e ndjek procesin në vazhdimësi, është e pamundur të japësh një mendim të saktë.

Familja e bletëve, nga jashtë, lë përshtypjen e një fabrike, në të cilën të gjithë pjesëtarët sillen si automatë – robotë, pa mendim të lirë apo vullnet vetjak. Por e vërteta është ndryshe, më e ndërlikuar: bleta punëtore merr pjesë individualisht në sjellje që përfshijnë mbikëqyrje, vendimmarrje dhe udhëheqje.

Për shembull: bletët (kujdestare ose punëtore) “vendosin” se kur duhet të bëjnë ndonjë nga punët e tjera të panumërta, duke përfshirë këtu edhe drejtimin nikoqir të familjes. Ato mund të marrin vendime të tilla si: ndërrimin e mbretëreshës, ndërtimin ose jo të hojeve, sa duhet të jetë madhësia e hojes (punëtore, mashkull apo Mëmë) etj. Bletët punëtore ndodhen edhe para të papriturave, dëmtimeve, humbjeve apo rrënimit të familjes.

Bletarët kërkojnë shpjegime dhe duan të kuptojnë mekanizmin që shkakton rrënimin e një familjeje. Për këtë, mua më nevojitet të gjej duke gërmuar thellë nëpër libra: sjelljen e bletëve, feromonet, mundësinë e sigurimit të ushqimeve, sëmundjet infektive, parazitare, përgjigjen imunitare, efektet negative mjedisore etj. Studimi i thelluar dhe i plotë është një përpjekje që duhet bërë për të kuptuar biologjinë e bletës, disa anë të padukshme të saj, që në bisedat e përditshme quhen “Jeta sekrete e bletëve”. Sa më afër bletëve, aq më pak misterioze do të na duken disa dukuri, të cilat duhen njohur dhe çmuar. Sa më shumë mësojmë për këtë “superorganizëm” që e quajmë familje bletë apo bashkësi, aq më shumë mahnitemi nga dinamika e ndërlikuar që shfaqet brenda zgjoit.

Për të kuptuar të vërtetën sesi “mendon” një familje, duhet të kuptojmë ekonominë e një zgjoi. Ekonomia e bletës ngjason me atë të një shteti të zhvilluar që synon të sigurojë rezerva, duke luftuar që këto pasuri t’i ruajë, t’i mbrojë nga grabitësit, apo të zgjidhë kolapset ekonomike duke kursyer për periudha me mot të rënduar.

Një përshkrim i ekonomisë së familjes pasohet me komunikimin, modelimin dhe sjelljen e anëtarëve të saj, sesi “mendojnë” dhe veprojnë në varësi me ndryshimin e kushteve mjedisore.

E kuptoj që kjo është një ndërmarrje ambicioze, sidomos pasi jam i detyruar të bëj më shumë hulumtime, të kërkoj lëndë, studime, vlerësime, apo të trokas mbi tastierë duke “gërmuar” dhe të kontrolloj parqe bletësh. Jam i mbështetur nga mjaft bletarë, nga vlerësimi i tyre për përpjekjet e mia. Më ka prekur thellë dëshira e shumë bletarëve të mirë, si edhe “uria” e tyre për të shtuar njohuritë rreth kësaj shoqërie me insekte interesantë.

Do të doja ta bëja të qartë, se unë nuk kam ndonjë aftësi të veçantë, për të parashikuar ecurinë e mëtejshme të bletarisë (bletarët e mbarështojnë bletën në kohë të vështira). Dukshëm bletarët po përballen me sfida serioze, që lidhen me përhapjen e sëmundjeve të ndryshme infektive dhe parazitare. Këto, së bashku me ndryshimet klimatike, me zhvillimin e një bujqësie “të pastër” e të ngarkuar me pesticide, si dhe me kultivimin e monokulturave, kanë pasoja në zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Përvoja shumëvjeçare na mëson se bletët kanë treguar gjithmonë një përshtatje të mahnitshme, gjë që do ta dëshmojnë plotësisht edhe në të ardhmen…

(Dr. A. N. – MVSH)