Reklame:

Bleta dhe sëmundjet e saj- Pjesa e dytë

Asnjë nuk mund t’u thotë bletarëve duhet të bëni këtë apo atë. Bletët nuk kërkojnë vetëm “një kuti të thatë dhe shumë bimë mjaltore”. Por ata duhet të përfitojnë nga sensi i përbashkët i mbarështimit të mirë. Sa më shumë të kuptojë bletari ecurinë e ekonomisë të familjes, aq më i saktë do të jetë në vendimet që duhet të marrë. Askush nuk mund të marrë vendime më të mençura menaxhimi në bletoren e tij, sesa mund të marrë vetë i zoti.

Bletari krijon marrëdhënie të tilla me bletët, që të jep përshtypjen sikur bashkëbisedon. Bletaria dhe marrëdhëniet me të janë një fushë, sa e gjerë, aq edhe e thellë, e studiuar dhe e eksperimentuar shumë më vonë, krahasuar me fushat e tjera të bujqësisë dhe blegtorisë. Bleta vazhdon të ngelë tepër intriguese për njeriun; sa më shumë përpiqet njeriu ta studiojë, të njohë të fshehtat dhe jetën e saj, aq më shumë i zmadhohet rrethi i të panjohurave, aq më shumë enigma shtrohen për t’u zgjidhur.

Bleta, në thelbin e vet, është një qenie mbrojtëse, jo sulmuese dhe që shquan për këtë veçori. Bleta ka natyrë të urtë, ajo bëhet agresive vetëm për të ruajtur jetën, familjen. I vetmi zëmërim i verbër vërehet tek mbretëresha e sapodalë, të cilën nevoja për mbijetesë e çon drejt një rivaliteti primitiv, që përfundon me asgjësim.

Me anë të instinkteve, prekjes, nuhatjes, shikimit etj., bleta vendos lidhje me mjedisin; krijon një botë rretheqark. Marrëdhëniet e ndërsjellta me bimësinë zënë e ngjizen qysh në fillesën e jetës së bletës; janë, pra, shumë të hershme dhe vazhdojnë të pandryshuara. Le t’i vëzhgojmë me kujdes raportet në fjalë. Bima jeton vetëm në kuptimin e kufizuar të një qenie të gjallë. Praktikisht, në të ose rreth saj, ekziston jeta. Ne themi se ajo merr frymë, ushqehet, shumëfishohet, por, në të vërtetë, ajo është, thjesht, efekt i proceseve që formojnë një unitet, krahas proceseve mjedisore natyrore, si dita dhe nata, shkëlqimi i diellit dhe toka. Bima vetë nuk mund të jetë dhe të zgjedhë. Ajo nuk zgjedh as pozicionin dhe as ushqimin e saj. Nuk lëviz vetë, por vihet në lëvizje nga era, ngrohtësia dhe drita.

Jeta e bletës është lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e palëvizëshme bimore. Bleta, si qenie, ka një epërsi të lindur; ajo ka evoluar shkallë-shkallë, jo vetëm së jashtmi, por dhe së brendshmi.

Bleta, që në fillim të ekzistencës së vet, i ka ndërtuar hojet rreptësisht saktë, ashtu siç bën edhe tani; ashtu do të vazhdojë t’i ndërtojë sa të jetë. Ato i pëkasin asaj, po aq sa ç’i përkasin trajta e krahut, e trupit etj. Jeta e bletëve lëviz lirisht në përgjithësi, por ekzistojnë prirje që janë potencialisht të fjetura. Nuk është e vërtetë që bleta “kujdeset” për pjelljet; kujdesi është një ndjenjë që parakupton vegim mendor për të ardhmen, shqetësim për çfarë do të jetë, pikërisht, ashtu si keqardhja parakupton kujtesën për çfarë ishte.

Veprimtaria e saj e përkujdesjes është, ashtu siç do gjë tjetër e përmendur më sipër, një përgjigje e pandërgjegjëshme ndaj nxitësit, siç gjendet dhe në lloje të tjera të jetës. Kjo është një cilësi e species.

Unë, nëpërmjet shënimeve të mia, synoj t’i shpreh marrëdhëniet me bletët sa më kthjellët, me dashuri dhe me ngjyrime poetike. Bletari, dalëngadalë, i dashuron bletët dhe këtë dashuri e thellon me kalimin e viteve. Bleta të tërheq, të bind, të magjeps, të shtyn drejt shndërrimit. Bletari e bën këtë me aq dashuri e ngrohtësi njerëzore, saqë edhe mes shqetësimesh të pashmangshme, e shoqëron sërish jetën e përditshme të saj.

Shkenca ka studiuar, historikisht, tek bleta materien, (lëndën). Studimi i saj është vetëm sipërfaqja e ekzistencës. Sot, shkenca ka bërë një hap, ka kapërcyer pragun. Ajo, sot, pohon se ekziston energjia, që është një shtresë më e thellë se lënda. Bletari, në marrëdhëniet me botën sekrete të bletëve, nuk e ka të mjaftueshme vetëm të kuptojë.

Bletari e njeh bletën nëpërmjet arsyetimit me mekanizmin e të menduarit. Kjo nuk është aq e thellë, ndërsa marrëdhëniet me bletën kërkojnë diçka tjetër, më të thellë, intuitë, dije. Ka mjaft veprime të bletarit që bëhen në heshtje, që nuk mund të thuhen dhe as të përshkruhen. Edhe vetë bletarin po ta pyesësh më vonë, nuk di çfarë të thotë, ka qenë në një “botë” tjetër. Marrëdhëniet me bletën janë tepër të holla, të ndjeshme. Bleta e “ndjen” bletarin se kur ai punon me kënaqësi dhe kur është i stresuar. E ndjen se kur i bën ai veprimet me përtesë, i tensionuar, apo kur tregon pasiguri. Ajo e “njeh” veprimin e tij, që nga mënyra sesi e hap zgjoin, sesi i lëviz kornizat, sesi e përdor tymësen, si e kontrollon dhe kur e kontrollon.

Marrëdhëniet bletar-bletë nuk janë sipërfaqësore, këtu flitet për t’u kredhur në të panjohurën, lidhet me intuitën. Bleta ta zhvillon atë, kur e njeh mirë jetën e saj. Marrëdhëniet me bletën ngushtojnë humnerën mes teje dhe gjithçkaje në jetë. Bleta të jep mundësi të lidhësh “marrëveshje” me realitetin e vërtetë. Bletari diçka kërkon, diçka dëshiron; jeta vazhdon të jetë zhgënjyese, sepse ajo është ajo që është. “Humbja” në botën e bletëve të qartëson për faktin se nuk është realiteti kundër teje, por ti nuk je në harmoni me të. Bleta të shtyn drejt një kërkimi shpirtëror, që do të thotë të njohësh dhe pjesët negative. Ajo të orienton që ta vlerësosh jetën ashtu siç është. Bleta të nxit të meditosh. Meditimi është diçka më e madhe se të arsyetuarit, ajo është diçka e patreguar, është vetëdije. Nëse Ajnshtajni do të kishte mëtuar ta përcillte dijen, mund ta dëgjoje, por nuk mund ta kuptoje. Dhe, kur nuk kupton, ekzistojnë të gjitha gjasat që të keqkuptosh. Se nga të kuptuarit deri tek të moskuptuarit ndodh një dukuri e ndërmjetme: keqkuptimi.

Bletari që mbarështon prej kohësh bletë, paraqet disa veçori që nuk kanë lidhje me moshën, arsimimin, gjendjen shoqërore-ekonomike, profesionin. Një nga cilësitë tepër të dukshme të një bletari është njeri që dashuron, në kuptimin e mirfilltë të fjalës, çdo gjë në jetë. Bletarët e përballojnë jetën me entusiazëm, me sportivitet. Thjesht, jetojnë çdo rrethanë. Janë të natyrshëm, pranojnë realitetin. Janë të çliruar nga stresi, ankthi. Janë shumë të ndjeshëm, ndonjëherë edhe emocionalë. Në dallim nga të tjerët, ata i gëzohen veprimtarisë së mbarështimit të bletëve, ashtu siç mërziten kur bletët nuk shkojnë mirë. Ata kanë një lloj pavarësie në jetën e tyre. Nuk ankohen për gjëra që nuk janë në gjendje t’i ndryshojnë. U pëlqen natyra, malet, lindja dhe perëndimi i diellit, në përgjithësi fauna dhe flora. Qëndrojnë larg klubeve, argëtimeve, sallave plot tym, tavernave etj. Ata janë njerëz që merren me punën dhe jetën e tyre. Aktiviteti i gjatë, njohja e organizimit të familjes dhe veprimtarisë së përgjithshme të bletëve, ua ka kultivuar sjelljet. Janë njerëz me nivel të lartë energjie, janë kureshtarë. Masë e jetës së tyre është, jo të shmangin vështirësitë, por t’i përballojnë ato. Nëse pengohen në jetë, do të ngrihen, do të shkundin “pluhurin” dhe do të vazhdojnë pa u tërhequr.

Bletari u përket atyre që nuk vrapojnë pas kënaqësive gjithfarësoj; veçmas kënaqësia e lumturia e tyre është shpërblimi prej bletëve.

(Dr. A. N. – MVSH)