Reklame:

Përgatitja e tokës dhe mënyra e mbjelljes së domates në sera

Kultivimi i domates në mjedise të mbrojtura është një proces mjaftë kompleks dhe delikat, i cili  kryhet nëpërmjet aplikimit korrekt të një sërë ndërhyrjesh agronomike, të tilla si përgatitja e tokës për mbjellje dhe mbjellja e bimëve, përcaktimi i dendësisë së mbjelljes, krasitja, programimi i formimit të frytit të parë, heqja e gjetheve, polenizimi, optimizmi i madhësisë së frutave, trajnimi i bimëve, të ushqyerit, vjelja dhe koha e vjeljes.

Kontrolli i mikroklimës në serra – Ky kontroll është esencial në suksesin e kultivimit të domates dhe realizohet nëpërmjet kontrollit manual ose të automatizuar të temperaturës, lagështisë relative të ajrit dhe dioksidit të karbonit.

Bazë në përcaktimin e vlerave optimale të këtyre treguesve është intensiteti i ndriçimit në serrë.

Regjimi i temperaturave – Ka rëndësi në përcaktimin e prodhimit të domates, pasi që kërkesat e bimëve për temperaturë ndryshojnë në varësi nga faza fenologjike e tyre. Përkitazi me këtë, në tabelën vijuese kemi paraqitur regjimin e kërkuar të temperaturave në serrë.

 

Regjimi i rekomanduar i temperaturave në serrat me domate
Regjimi i dritës – Prodhimi i domates ulet ndjeshëm, nëse kemi ndriçim të kufizuar në fazën e parë të kultivimit të saj. Meqenëse rritja e frutave kufizohet nga furnizimi me karbohidratet e formuara në gjethe, ku si rrjedhojë nga sasia e ndriçimit diellor që arrin tek bimët, prioritet i parë i kultivuesve të domates duhet të jetë maksimizimi i intensitetit të fotosintezës të mbulesës bimore.
Është e rëndësishme që shumica e dritës që mbërrin tek bimët të pranohet nga gjethet e tyre, në mënyrë të veçantë nga ato të majës së bimës. Për t’u arritur kjo, kërkohet mjedis kultivimi dhe dendësi mbjelljeje të përshtatshme, në mënyrë që të lejojnë rritje të shpejtë të sipërfaqes gjethore.

Rritja e përqendrimit të CO2 deri në 1000 ppm, është një rrugë efektive e kompensimit të ndriçimit të kufizuar dhe maksimizimit të prodhimit të hershëm. Në ditët me diell, pa shtuar CO2 artificialisht, bimët e domates ulin përqendrimin e CO2 në serrë deri në 250 ppm. Për çdo 100 ppm CO2 të shtuar artificialisht mbi këtë nivel (250 ppm) ekziston mundësia potenciale për të rritur prodhimin me 2.6 kg/m². Problem është se pasurimi i serrave me CO2 në verë është i kushtueshëm, nëse dritaret e serrave janë të hapura, për arsyen e thjeshtë se ai do të largohej në atmosferë.

Regjimi ujor – Kërkesat për ujë janë të mëdha, ndonëse domatja shquhet për qëndrueshmërinë ndaj streseve ujore. Lagështia në tokë duhet të jetë 70-80 % e aftësisë ujëmbajtës të saj, ndërkohë që lagështia ajrore duhet të jetë 50-70 %. Për të realizuar këto kërkesa, bimët kërkojnë ujitje të shpeshta, por me norma të kontrolluara uji.

Përgatitja e serrës dhe e tokës për mbjellje – Pas vjeljes së kulturës paraardhëse, serra pastrohet nga bimët, spangot, barërat e këqija, mbeturinat e plastikës etj. Më pas, vijohet me riparimin e konstruksioneve të serrës, sistemeve të ajrimit, ngrohjes, ujitjes etj.

Punimet e tokës duhet të jenë të thella, 30-40cm, me qëllim që të përmbysen në thellësi shtresat sipërfaqësore të saj, me strukturë fizike të dëmtuar e të ngopur me rezerva dimëruese të parazitëve të bimëve dhe kripëra, për t’i zëvendësuar me shtresat që gjenden më në thellësi. Punimet e para të thella të tokës pasohen nga një ose disa punime sipërfaqësore, të cekëta, frezime, lesime, nivelime etj., deri në formimin e një shtrati rrënjor të përshtatshëm.

Para se të bëhen punimet kryesore, në tokë shpërndahen plehrat organike, ndërsa në toka shumë të varfra edhe një pjesë e plehrave fosforike e potasike. Ndërkohë, qysh në kohën para punimeve  përgatitore shpërndahet pjesa më e madhe e plehrave kimike, të cilat janë të destinuara për plehërimin bazë dhe ajo pjesë e pesticideve që është planifikuar për dezinfektimin kimik të tokës.

Në varësi nga pjelloria e tokës, intensiteti i infeksionit nga sëmundjet e dëmtuesit, mënyra e mbjelljes së bimëve dhe shpërndarja e pesticideve, mund të bëhen në të gjithë sipërfaqen ose me breza. Pas kësaj, toka ujitet dhe serra lihet për disa kohë e mbyllur. Kjo bëhet me qëllim që të riaktivizohet flora mikrobike e tokës.

Në varësi nga mënyra e mbjelljes së bimëve, toka mund të lihet e rrafshët ose në të formohen vllaja të ngritura. Formimi i vllajave të ngritura krijon mjaft avantazhe ndaj mënyrës së parë (formës së rrafshët të kultivimit) për arsye se toka ngrohet më shpejtë e më shumë (temperatura e vllajave është 2-3 oC më e lartë se ajo e tokës së rrafshët) dhe kullon më mirë e më shpejtë. Për këtë arsye, sistemi rrënjor i bimëve rritet më mirë dhe është më aktiv, sidomos në mbjelljet e hershme. Mbjellja e bimëve në vllaja të ngritura është domosdoshmëri për tokat e rënda, ato të kripura dhe ato me nivel të lartë të ujërave nëntokësorë.

Formimi i vllajave mund të shoqërohet me mulçirimin e tokës, i cili aplikohet për të ruajtur lagështinë në tokë, për të kufizuar zhvillimin e barërave të këqija, përmirësimin e temperaturës së tokës në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor i bimëve etj.

Mbjellja e fidanëve – Serrat mbillen me fidanë të cilësor, në tokën e përgatitur më parë në të cilën pas formimit të vllajave, në gjatësi të tyre, shtrihen tubat e sistemeve të ujitjes pikë-pikë. Pas kësaj, në rast se toka do të mulçirohet, mbi to vendosen fletët plastike të cilat fiksohen, duke i mbuluar me dhe në të dy anët e vllajave.

Pak ditë para fillimit të mbjelljes, bëhet një ujitje me doza relativisht të larta uji dhe më pas toka lihet në gjendje të tillë, në mënyrë që në kohën e mbjelljes përmbajtja e ujit në tokë të jetë 70-80 %  e aftësisë së saj ujëmbajtëse. Fidanët vendosen në largësitë e përllogaritura të bimëve në rresht, rrafsh me sipërfaqen e tokës. Nëse toka është e mulçiruar, paraprakisht çahen fletët plastike në formë rrethore ose të rrumbullakët. Menjëherë pas mbjelljes, bëhet një ujitje, me doza të vogla uji (0.5-1 litër për bimë), për të siguruar lidhje të shpejtë të bimëve me tokën.

 

 

 

Lidhja e bimëve – kryhet pas mbjelljes dhe sa më të gjatë të jenë fidanët, aq më shpejt duhet lidhur. Lidhja tradicionale e spangos në bazën e kërcellit të bimëve, tani po zëvendësohet me nguljen e thjeshtë të fundit të spangos në tokë, pranë bimës. Vonesa në lidhje, në veçanti kur bimët janë gjata e të përkulura, mundë të shkaktojë thyerjen e bimës.

Pas lidhjes kryhet përdredhja, normalisht një përdredhje për çdo lulëri. Këshillohet që përdredhja të kryhet para sqetullimit, pasi nëse aksidentalisht ndonjë majë rritëse këputet, mund të lihet një sqetullor për të vijuar rritjen.
Dendësia e mbjelljes – varet nga kultivari, prodhimi dhe jetëgjatësia e parashikuar e bimëve. Dendësia shkon nga 2 në 4 bimë/m². Për domatet e kultivuara me një maksimum prej 6 lulesash, dendësia shkon deri 4 bimë/m², për të qenë e përshtatshme.
Për periudha më të gjata kultivimi (20 kate e më shumë), dendësia e mbjelljes së bimëve duhet të jetë 2-3 bimë/m², në varësi të sezonit të kultivimit. Në mbjelljet e hershme, dendësia më e mirë është 2 bimë/m², ndërkohë që në mbjelljet e vona dendësia e preferuar është 3 bimë/m².

Krasitja – aplikohet për këputjen e majës së bimëve, për të ndërprerë rritjen e bimëve në lartësi dhe për eliminimin e lastarëve anësorë. Këputja e majës favorizon rritjen e frutave dhe në këtë mënyrë, sigurohet peshë më e madhe e tyre. Për këtë arsye këputja e majës së bimëve, në fund të sezonit të kultivimit, është gjithmonë me interes. Te domatja krasiten të gjithë lastarët (sqetullorët) anësorë, me përjashtim të atyre që lihen për të kontrolluar densitetin e kërcejve të bimëve, për njësi të sipërfaqes së tokës. Sqetullorët hiqen me kujdes jo më vonë se të kenë formuar një gjethe, ngase vonesa e heqjes së tyre shkakton çrregullime në rritje e zhvillim, si rrjedhojë e konkurrencës për asimilate, e po ashtu vonesa e kryerjes së këtij veprimi shkakton plagë më të mëdha në kërcell dhe bëhet burim infeksioni.

IPARD II së shpejti shpall fituesit.Heqja e gjetheve – Zhvillimi i gjetheve në bimë dhe jetëgjatësia e tyre është e ndërvarur nga temperatura, kështu në temperatura të larta (28 oC), një gjethe e caktuar bëhet infektive, 76 ditë pas daljes së saj. Në të njëjtat kushte, gjethja maturohet plotësisht 56 ditë pas daljes së saj ose pas formimit të 7 lulesave dhe fillon të plaket pas 76 ditësh. Kjo do të thotë se në çdo kohë në bimë duhet të mbahen jo më pak se 21 gjethe dhe, si maksimum, numri i tyre mund të shkojë deri në 27-30 gjethe. Në temperatura mesatare 18-21oC, maksimumi i gjetheve që duhet të mbahet në një bimë është 30-33, ndërkohë që në përgjithësi lulesa në të cilën ka filluar skuqja e frutave lirohet nga gjethet. Heqja shumë e shpejtë e gjetheve nga bimët nuk është e dëshirueshme, sepse ul aftësinë asimiluese të bimëve.

Gjethet mund të hiqen ritmikisht, nga një në javë, por kjo mund të bëhet edhe duke hequr njëherazi dy ose më shumë gjethe në intervale të caktuara kohore. Heqja e gjetheve bëhet për të reduktuar vegjetacionin e bujshëm ngase bimët mund të kenë probleme të lidhjes së frutave, pastaj për të përmirësuar lëvizjen e ajrit në bimë dhe kështu të zvogëlohet rreziku nga sëmundjet, dhe po ashtu heqja e gjetheve përmirëson pjekjen e frutave dhe njëtrajtshmërinë e ngjyrës së frutave në kushtet e ndriçimit të kufizuar. Duhet pasur kujdes që në rreshtat anësor të serrës, të hiqen më pak gjethe, në mënyrë që të mbrohen më mirë frutat nga djegia diellore