Reklame:

Cilesia e ujit te vaditjes dhe impakti ne jeten e fermereve

Qëndra për Menaxhimin Agromjedisor dhe Ekonomik (AEEM CENTER), nëpërmjet një pune 1 vjecare mbështetur nga BE nepërmjet “Organization for Respect and Care of Animals” – ORCA, në kuadër të tematikës “Bujqësi e Qëndrueshme, Ballkan i Qëndrueshëm” ka realizuar nje studim mbi cilësinë e ujit të Lumit Shkumbin dhe kanaleve vaditëse qe ai furnizon; Peqin -Kavajë dhe Naun Panxhi.

Vlerësimi i cilësisë së ujit të ujitjes është parë si një kontribut i rëndësishëm në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore në bujqësi, në rritjen e vëmendjes në drejtim të decentralizimit të metejshëm dhe formave të integruara dhe me pjesëmarrje të menaxhimit të ujit në Bujqësi, për të inkurajuar përfshirjen e të gjithë aktorëve në menaxhim dhe për të adresuar më mirë nevojat lokale ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Bujqësia me ujitje është e varur jo vetëm nga sasia e mjaftueshme e ujit, por edhe nga cilësia e mirë e tij. Cilesia e ujit përcaktohet në përputhje me qëllimin për të cilin do të përdoret. Ndër përdorimet më të shpeshta të tij është ai për ujitje. Uji i një cilësie të mirë ka kapacitet potencial që të lejojë një rendiment maksimal të kulturave. Ujërat me cilësi jo të mirë, mund të jenë shkak i problemeve në tokë dhe bimë duke ndikuar në rendiment dhe cilësine e jetës së fermerëve.

Kriteret më të zakonshme, ku bazohet vlerësimi i cilësisë së ujrave të ujitjes perfshijnë: kripëzimin, sodiumin (permbajta e Na) dhe toksicitetin e elementëve kimikë. Kështu që dhe ne kemi vlerësuar parametrat kimiko-fizik të Lumit të Shkumbinit dhe të 2 kanaleve.

Lumi i Shkumbinit ka një pellg prej 2440 km2. Lumi Shkumbin luan një rol të madh në jetën e njerëzve të kësaj lugine. Përgjatë lumit janë shumë vendbanime të vendosura që kanë përdorur burimet e lumit në jetën e përditshme. Në lumin Shkumbin janë ngritur ndërtime hidrologjike që përdoren për ujitje në bujqësi si p. sh. Kanali “Naum Panxhi” në Elbasan që u përdor për ujitje të fushës pjellore të Cërrikut dhe kanalit Peqin-Kavaj që është përdorur për ujitje të fushës pjellore të Peqinit, Rrogozhinës, Gosës dhe Kavajës.

Shkumbini ishte dhe ende mbetet një lumë me probleme mjedisore. Akoma vërehet ndikimi i lartë në ndotjen e lumit nga pjesa e mbetur e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Sasi të mëdha të ndotësve janë shkarkuar direkt në lumë, ndërsa ne brigjet e tij hedhen sasi të mëdha mbetjesh të ngurta nga aktivitetet e kombinatit. Nevojitet një karakterizim fizik dhe kimik i sistemeve të lumenjve për të vlerësuar cilësinë e tyre ekologjike dhe për të vendosur programe restaurimi.

Është vërejtur se parametrat që ndikojnë në cilësinë e ujit, azotit, fosforit dhe oksigjenit të tretur, janë të ndryshme në stacionet e monitoruara. Sa i përket oksigjenit të tretur, i cili është një parametër thelbësor për jetën e specieve të ujit dhe praninë e substancës organike, kushtet në speciet e gjalla në stacionet e mostrimit janë më të favorshme sipas këtsaj rradhe; Prrenjas> Qukes> Labinot Fushe> Papër > Peqin. Kjo reflektohet edhe në përmbajtjen e lëndëve ushqyese, të azotit dhe fosforit që lidhet me praninë e substancave organike të cilat në stacionet (Prrenjas> Qukes> Labinot Fushe) me një sasi më të lartë të oksigjenit të tretur rezultojnë në nivel më të ulët krahasuar me stacionet e Paper e Peqin.

Sipas klasifikimit të situates trofike të ujit të freskët nga OECD, kjo rezulton si më poshtë duke marrë parasysh nivelin e përmbajtjes së dy lëndëve ushqyese kryesore, azotit dhe fosforit, ne stacionet e Prrenjas, Qukes, Labinot Fushe paraqetet një situatë pothuajse oligotrofike, ndërsa stacionet e mostrimit ne Paper dhe Peqinit paraqet situatën mesotrofike.

Sa i përket tre faktorëve të lartpërmendur dhe pranisë së oksigjenit të tretur në stacionet e mostruara të ujit, ka gjasa të sugjerohet që speciet e pranishme në stacionet Prrenjas> Qukes> Labinot Fushe janë më të mëdha në krahasim me ato në stacionet Paper dhe Peqin.  Sipas klasifikimit të NIVA dhe Direktivës Evropiane për ‘Cilësinë e ujërave të freskëta’ konstaton se cilësia e ujit të stacionit Prrenjas> Qukes> Labinot Fushe rezulton më mirë se sa stacioni i Paper dhe Peqin.

Ujrat e ujitjes në kanalet ujitese që furnizohen nga Lumi i Shkumbinit vlerësohen me problem të lehta deri në mesatare të kripezimit dhe infiltrimit në tokë. Perdorimi i tyre për ujitje nuk krijon probleme toksiciteti ndaj Na dhe Cl në bimët e ndjeshme, por mund te paraqese probleme të lehta deri në mesatare prej përmbajtjes relativisht të lartë të bikarbonateve, në dëmtimin e strukturës së tokës dhe vlerës tregetare të prodhimeve nga përdorimi i këtyre ujrave në ujitjen me shihedhje.

Rezulton se krahasuar me vlerat e NIVA (Bratli L. J., 2000) përqendrimet e Nikelit në ujërat e lumit Shkumbini për pothuajse të gjitha stacionet janë të larta. Fakti që niveli më i lartë i Ni ishte në stacionet e Peqinit dhe Lekaj është i ngjashëm me gjetjet e meparshme në vlerësimin biologjik, ku numri i makro-invertrebave që gjendet atje është më i ulët. Niveli i lartë i bakrit në disa stacione shpjegohet nga aktiviteti industrial metalurgjik por edhe aktiviteti bujqësor në Elbasan dhe Peqin. Përqendrimi i nikelit në sedimentet e lumit Shkumbini është shumë i lartë. Kjo shpjegohet me faktin se sedimentet e pasura me nikel në lumin Shkumbin vijnë nga erozioni i zonave të mineralizuara ku kalon. Nikeli në sediment mund të ndikojë në organizmat dhe per pasoje te ndikojne, bimet dhe kalojne ne zinxhirin ushqimore.

Sipas klasifikimit të NIVA dhe Direktivës Evropiane për ‘Cilësinë e ujërave të freskëta’ konstaton se cilësia e ujit të ujitjes ne kanalin Naun Panxhi rezulton më mirë se sa Kanalin Peqin Kavajë, si per nivelin e eutrofizimit ashtu dhe përmbajtjen e metaleve të rënda, ndikuar nga niveli i tyre në pjesët përkatëse të Lumit Shkumbin.