Reklame:

Shalqini pa farë, veçoritë dhe mënyra e kultivimit

Shalqinjtë pa fara janë krijuar që para 50 viteve. Për të krijuar këtë frut poleni mashkullor i cili ka 22 kromozome për qelizë u kryqëzua me lulet femërore të shalqinit të cilat kanë 44 kromozome për qelizë. Në këtë process nuk është përfshirë asnjë process modifikimi gjenetik, pra ky frut nuk është OMGJ. Kjo e bën një hibrid steril të shalqinit tradicional, pasi çdo farë që prodhohet mbetet e papjekur dhe e pafuqishme për t’u prodhuar.
Krijimi i kultivarëve pa farë tek shalqini është rrjedhoje e kryqëzimit mes dy bimëve të ndryshme.
Është e njohur që numri normal i kromozomeve në shumicën e organizmave të gjallë është i referuar si 2N. Organizma të tillë njihen si diploide dhe riprodhohen në mënyrë natyrale, nëpërmjet ndarjes dhe më pas riprodhimit identik të çifteve të tyre kromozomike. Ndryshe nga këta, kultivarët pa farë të shalqinit vijnë si rezultat i kryqëzimit të një bime normale diploide (2N) dhe një bime tetraploide (4N). Individët e krijuar nuk kanë tanimë dy por tre kromozome, marrin emrin bimë triploide (3N) dhe nuk janë në gjendje të riprodhohen seksualisht. Është e kuptueshme që kusht paraprak për krijimin e tyre është krijimi i bimëve (linjave) tetraploide (4N). Këto të fundit përftohen nëpërmjet trajtimit të bimëve të zakonshme (diploide) me lëndë të veçanta kimike (kolkicinë).
 Duke qenë se kultivarët tetraploidë prodhojnë vetëm sa 5 deri në 10% të numrit të zakonshëm të farave të një bimë normale diploide, kostoja e prodhimit të farës së kultivarëve triploidë është 10 deri 100 herë më e lartë sesa kostoja e prodhimit të farës të kultivarëve me pjalmim të hapur dhe 5 deri në 10 herë më e shtrenjtë sesa kostoja e prodhimit të farës të hibridëve diploidë.
Numri i frutave të formuara në parcelat e kultivarëve triploidë është i kushtëzuar nga sasia e polenit të prodhuar. Pjalmimi i pamjaftueshëm, çon në formimin e frutave të me formë trekëndore (triangulare) dhe me cilësi të ulët. Pjalmimi i pamjaftueshëm mund të rrisë gjithashtu mundësinë e zgavrimit të frutave.
Hibridët triploidë nuk prodhojnë pjalm të aftë për të mbirë, është e domosdoshme që për formimin e frutave të tyre të sigurohet pjalm nga kultivarë normalë diploidë (me farë). Për këtë arsye, në parcelë duhet të mbillen edhe bimë diploide (me farë). Rekomandohet që kultivari pjalmues të mbillet në rreshtat anësorë të parcelës dhe në çdo tre rreshta të tjerë me kultivarë triploidë, ashtu si tregohet në figurë. Një alternativë tjetër është që bimët e kultivarit pjalmues të mbillen në mënyrë të këmbyer në të njëjtin rresht me ato triploide (një bimë diploide, pas çdo tre bimësh triploide). Në asnjë rrethanë, nuk duhet që mbjellja e bimëve triploide dhe pjalmëzuesve të tyre (kultivarëve diploidë) të bëhet në parcela të ndara nga njëra tjetra.
Paraqitje skematike e menyres se vendosjes se bimeve ne fushe.
Është e rëndësishme që si pjalmëzues të përdoret një kultivar që është i tregtueshëm, pasi gati një e treta e të gjithë shalqinjve të prodhuar në fushë do të jenë prej këtij kultivari. Gjithsesi, pamja e jashtme e frutave të tij duhet të dallohet lehtësisht nga ajo e kultivarit pa farë, në mënyrë që të pakësohen gabimet në vjelje. Përzgjedhja e një kultivari pjalmues duhet të marrë parasysh gjithashtu kërkesat e tregut, vitalitetin e bimës, prodhimtarinë e pjalmit, qëndrueshmërinë ndaj sëmundjeve dhe kushtet e mjedisit.
 Kërkesë e rëndësishme është që pjalmi nga kultivari pjalmues diploid të jetë i disponueshëm kur lulet femërore të bimës triploide të kenë çelur dhe të jenë gati për pjalmim. Si rregull, kultivarët me fruta të vegjël (icebox), lulëzojnë më herët se kultivarët e zakonshëm. Për këtë arsye, në qoftë si pjalmëzues përdoren kultivarë të tillë mbjellja e tyre vonohet me disa ditë.
Një tjetër detaj që i duhet kushtuar kujdes është fakti se kultivari pjalmues diploid, ndërpret prodhimin e luleve të reja (mashkullore) pas formimit të frutave, ndërkohë që kultivari triploid do të vazhdojë të prodhojë ende lule femërore. Për këtë arsye, rekomandohet të bëhet një mbjellje e dytë e kultivarit pjalmëzues dy deri në tre javë pas mbjelljes së parë, me qëllim që të sigurohet pjalm i mjaftueshëm për pllenimin e luleve femërore që celin më vonë.
Roli i bletëve në prodhimin e kultivarëve triploidë.
Shalqini nuk është bimë vetëpllenuese. Për të mundësuar pllenimin, bletët, apo insekte të tjera duhet të transferojë kokrrizat e polenit nga lulet mashkullore tek ato femërore. Për të shmangur humbjet e prodhimit për shkak të mungesës së polenizimit të luleve, në afërsi të parcelës duhet të sigurohet një numër i mjaftueshëm bletësh. Varësia e plotë nga aktiviteti i bletëve të egra, apo insekteve të tjerë do ta bënte polenizimin të pasigurt.
Polenizimi me anë të bletëve është edhe më i rëndësishëm në prodhimin e kultivarëve triploidë, për arsye se pjalmi që gjendet në lulet e tyre në përgjithësi nuk është i aftë të mbijë. Studime të ndryshme pohojnë që për të siguruar lidhjen maksimale të frutave në kultivarët triploidë kërkojnë 16 deri në 24 vizita bletësh për çdo lule. Ky numër është sa dyfishi i numrit të vizitave që kërkohet për lidhjen e plotë të frutave në kultivarët me farë.
Lulet e kungulloreve përfaqësojnë burim të mirë nektari për bletët. Megjithatë, numri i vogël i luleve për njësi të sipërfaqes, bën që zakonisht ato të prodhojnë më pak nektar (për njësi të sipërfaqes), krahasuar me shumë bimë të tjera. Kështu psh, një hektar i mbjellë me pjepër prodhon sa vetëm 1% të sasisë së nektarit që prodhon e njëjta sipërfaqe e mbjellë me jonxhë. Tre familje të forta (30000 deri 50000 bletë për secilën) për cdo ha të mbjellë, konsiderohet si minimumi i domosdoshëm për të gjitha kungulloret. Rritja e numrit të tyre në 7 apo 8 koshere/ha do të mundësonte periudhën e lidhjes së frutave me të paktën një javë. Në të njëjtën masë do të shkurtohej edhe periudha e vjeljes së bimëve. Për më shumë do të rritej rendimenti dhe do të zvogëlohej numri i vjeljeve me një të tretën e tyre.
Shfrytëzimi i të paktën tre familjeve të forta për çdo hektar të mbjellë me shalqin, duhet të promovohet si një praktikë e zakonshme e kultivimit të shalqinit, për arsye se ai siguron prodhim të hershëm më të lartë dhe më të përqendruar. Në rastin e kultivarëve triploidë numri i koshereve për të njëjtën sipërfaqe duhet të paktën të dyfishohet. Vendosja e koshereve të bletëve duhet të bëhet që në fillim të lulëzimit. Vetëm kjo do të siguronte lidhjen e një numri të mjaftueshëm frutash.
Ka raste kur pavarësisht se aktiviteti i bletëve mund të jetë i kënaqshëm, sërish lidhja e frutave është e pamjaftueshme. Në këto raste, duhet të bëhet trajtimi i bimëve me bor (2-3 trajtime gjethore) në intervale javore, duke filluar që me shfaqjen e luleve të para. Në të njëtën mënyrë mund të përdoret edhe trajtimi i kombinuar i bimëve me përzierje të borit me kalcium. Këto masa cojnë në rritjen e numrit të luleve dhe në përshpejtimin e formimit të frutave.
Praktikat e tjera bujqësore (dendësia e mbjelljes dhe ujitja).
Dendësia e mbjelljes së bimëve të kultivarëve triploidë ndryshon në varësi të kultivarit të zgjedhur, kohës së mbjelljes dhe llojit të tokës. Në përgjithësi, bimët triploide të hershme rriten më ngadalë se sa bimët diploide. Sidoqoftë, përmasat e bimëve triploide janë më të mëdha sesa përmasat e bimëve standarde diploide. Nga ana tjetër, në kultivarët me farë zhvillimi i farave në frut, pengon lulëzimin e mëtejshëm të bimës dhe lidhjen e frutave të tjerë. Kjo pengesë nuk ekziston tek kultivarët triploidë. Për këtë arsye bimët e tyre vazhdojnë të prodhojnë fruta për aq kohë sa rritja e bimëve nuk ndërpritet për shkak të ndonjë arsyeje tjetër (sëmundje, dëmtues, etj). Për të gjitha arsyet e mësipërme, dendësia e mbjelljes së bimëve triploide duhet të jetë 10 deri 20% më i vogël se ajo që rekomandohet për prodhimin e kultivarëve të zakonshëm të shalqinjve.
Të gjitha mënyrat e ujitjes, përfshirë atë në formë shiu dhe ujitjen me pika, mund të përdoren me sukses për prodhimin e shalqinjve pa farë. Ajo që është e rëndësishme është mbajta e lagështisë së tokës në nivele optimale. Në të kundërt, streset ujore (thatësia) mund të rrisin shanset për prekjen e frutave nga kalbëzimi i majës dhe mund të çojnë gjithashtu në formimin e frutave me formë të crregullt (qafë-shishe). Nga ana tjetër, teprica e lagështisë në fushë shoqërohet me zgavrimin e frutave, fenomen ky që për kultivarët pa farë duket të jetë më serioz se sa për kultivarët e zakonshëm me farë.