Reklame:

Erozioni sipërfaqësor shqetësim për të gjithë

Sipas të dhënave në vendin tonë humbjet e tokës nga erozioni shkojnë nga 20 deri 70 tonë për ha, shifër kjo disa herë më e lartë se mesatarjae Evropës. Ndryshimet klimatike, shpyllëzimet për të krijuar toka bujqësore, prerjet e pakontrolluara të pyjeve, mbikullotja, zjarret apo ndërtimi i rrugëve dhe veprave ujore a minerare, mund t’i rendisim si faktorët kryesorë të erozionit. E rëndësishme është se si ta mbrojmë tokën, si ta frenojmë këtë dukuri, që çon në humbje apo dëme të mëdha ekonomike.

Çfarë masash parandaluese duhen ndërmarrë.

Përvoja tregon se aty ku bëhen përpjekje për pyllëzime të reja, ku ndërtohen prita për të penguar forcën e ujërave qërrjedhin, aty ku kullotja bëhet e kontrolluar, rezultatet janë të dukshme. Por, fakt është se prej vitesh bëhet pak për rigjenerimin e sipërfaqeve të degraduara nëpërmjet pyllëzimeve e ripyllëzimeve, pak është bërë dhe për ndërtimin e veprave ujore apo edhe për frenimin e prerjeve ilegale, etj. Ndarja e re territoriale rrit përgjegjësi-në e organeve vendore edhe për frenimin e kësaj dukurie. Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore do të ishte një masë shumë efikase për uljen e ritmit të erozionit.

Por, pushteti vendor është ende i pafuqishëm për investime në këtë drejtim, pasi i merr pyjet e kullotat në pronësi thjeshtë dhe vetëm si sipërfaqe, pa marrë në konsideratë gjendjen e rëndë ku ndodhen dhe pa një plan strategjik zhvillimi. Prandaj,mendojmë se zhvillimi i qëndrueshëm i këtij sektori kërkon mbështetje dhe subvencione në drejtim të rigjenerimit të sipërfaqeve të degraduara ndër vite. Pyllëzimet me llojet pyjorë, si një ndër masat më të efektshme për uljen e erozionit sipërfaqësor të tokës do të përbënin hapin kryesor dhe, pse jo, vendimtar. Përmbytjet që ndodhin sidomos në zonën veriperëndimore, janë rrjedhojë e shtimit të sipërfaqeve të zhveshura. Prurjet në basenin e Drinit, Matit apo Bunës, e kanë fillesën në zonat e larta malore, ku sipërfaqet pyjore të degraduara janë me mijëra hektarë. Është shumë e rëndësishme që të ndërmerren hapa ligjore.

Politikëbërësit duhet t’i shikojnë me përparësi masat për uljen e erozionit nëpërmjet pyllëzimeve apo masave të tjera, që ndikojnë në frenimin e tij. Mund të hartohen apo të përfshihen në ligje apo paketa ligjore, duke e parë si domosdoshmëri dhe të jetë detyrim për çdo institucion që ka të bëjë me fondin pyjor e kullosor. Shtimi i punimeve minerare apo ujore, po e shton dita ditës humbjen sipërfaqësore të tokës. Dëmi që shkaktohet nga këto punime, në raport me ndërhyrjet për rigjenerimin e sipërfaqes, është i papërfillshëm. Numri i madh i këtyre subjekteve, kryesisht në zonën verilindore të vendit, e rëndon më shumë degradimin e tokës, si pasojë e erozionit. Fermerët po bëjnë përpjekje për uljen e efekteve negative të erozionit, nëpërmjet kultivimit të tokave bujqësore me bimë që mbrojnë sipërfaqen e tokës, siç është p.sh. jonxha apo edhe bimë të tjera. Sensibilizimi i opinionit publik duhet të jetë më i madh, për t’i thënë ndal erozionit, këtij përbindëshi shkatërrimtar, dukei bërë apel çdo individi, që të bëhet pjesë, por edhe strukturave shtetërore si rregullatore e kontributore në frenimin e degradimit të tokës.