15 kompani shqiptare të mbështetura edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, projekti i qeverisë zvicerane Risi Albania dhe GIZ ishin pjesë e panairit më të madh për tregtimin e fruta-perimeve, duke ekspozuar vlerat e produkteve shqiptare për të siguruar kontrata të reja.
Panairi shërbeu si një mundësi e mirë për kompanitë shqiptare për të takuar kompanitë e mëdha eksportuese, për t’u ballafaquar me kërkesat dhe nevojat e tregut sa i takon cilësisë së produkteve.
Kompanitë shqiptare të përfaqësuara nga kompani që eksportojnë fruta-perime si gështenja, mollë, domate, speca, tranguj, hudhra, shalqi etj., realizuan rreth 200 takime me blerës potencialë, me ofrues të teknologjive të përpunimit, paketimit dhe ruajtjes së fruta-perimeve.
Pjesëmarrja në panair, përgatitja dhe potenciali i kompanive ka ardhur drejt përmirësimit. Së shpejti kompanitë do të takohen së bashku për të diskutuar mësimet e nxjerra, përmirësimet e mundshme që mund të bëhen në panairin e radhës.
“Kompanitë dhe fermerët shqiptare duhet të certifikohen dhe të rrisim standardet e produkteve për të qenë konkurrentë në treg. Eksportet shqiptare po rriten nga viti në vit në sasi dhe ne duhet të punojmë me plane afatgjata që do të orientojnë zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duke investuar në cilësi dhe marketing për të siguruar edhe rritjen e fitimeve për fermerët”, – u shpreh zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote.
Në këtë drejtim projekti RisiAlbania po mbështet Agrobiznesin për të inkurajuar certifikimin në grup të produkteve të tyre. Nëpërmjet certifikimit GLOBALG.A.P hapen mundësi shumë të mira për fermerët për t’u bërë pjesë e zinxhirit furnizues të BE-së.
Së bashku më Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural RisiAlbania do të organizojë në Tiranë gjatë edicionit të dytë të Agro-Tech Expo & Forum 2019 GLOBALG.A.P TOUR më 16 mars konferencën GLOBALG.A.P. Tour ku do të ofrojë informacion të dobishëm për grumbulluesit dhe eksportuesit e fruta-perimeve, prodhuesve, kooperativat, supermarketet, konsulentët dhe trupat certifikuese.
(ATSH)