Sipas LIGJIT Nr.8672, datë 26.10.2000 PËR RATIFIKIMIN E “KONVENTËS SË AARHUSIT PËR TË DREJTËN E PUBLIKUT PËR TË PASUR INFORMACION, PËR TË MARRË PJESË NË VENDIMMARRJE DHE PËR TIU DREJTUAR GJYKATËS PËR ÇËSHTJET E MJEDISIT”, çdo palë do të sigurojë që, në përputhje me paragrafët e mëposhtme të këtij neni, autoritetet publike, në përgjigje të kërkesës për informacion mjedisor, ta bëjnë informacionin të disponueshëm, brenda kuadrit të ligjit kombëtar, përfshirë kopje të dokumentit aktual që përmban këtë informacion në rastet kur kërkohet dhe sipas nënparagrafit (b) më poshtë: Pa qenë nevoja për të deklaruar interesin për këtë informacion. Në formën e kërkuar në qoftë se: Nuk është e arsyeshme për autoritetet publike që ta bëjnë atë të disponueshëm në një formë tjetër, dhe në këtë rast ato do të japin arsyet përse e kanë bërë të disponueshëm në atë formë; ose Informacioni nuk është ndërkohë i disponueshëm për publikun në një formë tjetër;
2. Informacioni mjedisor, referuar në paragrafin 1 më lart, do të bëhet i disponueshëm sa më shpejt që të jetë i mundur, por jo më vonë se një muaj pas paraqitjes së kërkesës, nëse volumi dhe komplesiteti i informacionit e justifikon zgjatjen e kësaj periudhe deri në dy muaj mbas kërkesës. Kërkuesi i informacionit do të informohet për çdo shtyrje të afatit kohor dhe për arsyet që justifikojnë këtë shtyrje.
3. Një kërkesë për informacion mjedisor mund të refuzohet në qoftë se: Autoriteti publik, të cilit i adresohet kërkesa, nuk e ka informacionin mjedisor të kërkuar; Kërkesa është paraqitur në mënyrë tepër të paarsyeshme ose është formuluar në një mënyrë shumë të përgjithshme; Kërkesa ka të bëjë me një material që është në përfundim ose ka të bëjë me komunikimin e brendshëm të autoriteteve publike, në rast se një përjashtim i tillë parashikohet në ligjin ose në praktikat e përditshme kombëtare, duke marrë parasysh që dhënia e informacionit i shërben interesit publik.
4. Një kërkesë për informacion mjedisor mund të refuzohet në qoftë se dhënia e tij mund të ndikojë negativisht: Konfidencialitetin e procedurave të autoriteteve publike, kur një konfidencialitet i tillë parashikohet nga ligji kombëtar; Marrëdhëniet ndërkombëtare, mbrojtjen kombëtare ose sigurimin publik; Mënyrën e gjykimit, aftësinë e një personi për të pasur një gjyq të ndershëm ose aftësinë e një autoriteti publik për të kryer një hetim të një natyre disiplinore ose kriminale; Konfidencialitetin e informacionit tregtar dhe industrial, në rast se një konfidencialitet i tillë mbrohet me ligj, me qëllim që të mbrohet një interes legjitim ekonomik. Brenda këtij kuadri, do të jepet informacioni për shkarkimet, i cili lidhet me mbrojtjen e mjedisit; Të drejtat për pronën intelektuale; Konfidencialitetin e të dhënave personale dhe/ose dosjeve që kanë lidhje me një person fizik, kur ky person nuk ka dhënë pëlqimin e tij për dhënien e informacionit për publikun, kur një konfidencialitet i tillë parashikohet në ligjin kombëtar; Interesat e një pale të tretë, e cilat e ka dhënë informacionin e kërkuar, por pa qenë e aftë ose pa qenë e detyruar nga ana ligjore për ta bërë këtë, dhe ku ajo Palë nuk ka dhënë pëlqimin e saj për dhënien e këtij materiali; ose Mjedisin, me të cilin lidhet informacioni, siç është folenizimi i specieve të rralla. Arsyet e sipërpërmendura për refuzim do të interpretohen në një mënyrë të kufizuar, duke pasur parasysh që dhënia e informacioni t’i shërbejë interesit të publikut dhe duke pasur parasysh gjithashtu, nëse informacioni lidhet me shkarkimet në mjedis.
5. Kur autoriteti publik nuk e ka informacionin e kërkuar mjedisor, ai duhet, sa më shpejt që të jetë e mundur, të informojë kërkuesin për autoritetin publik, tek i cili ai beson se është e mundur të kërkohet informacioni që dëshiron, ose ta transferojë kërkesën e tij te ky autoritet dhe të informojë për këtë kërkuesin.
6. Çdo Palë do të sigurojë që, nëse informacioni i përjashtuar për dhënie, në paragrafët 3 (c) dhe 4 më sipër, mund të ndahet pa dëmtuar konfidencialitetin e informacionit të përjashtuar për t’u dhënë, autoritetet publike ta bëjnë të disponueshëm informacionin e mbetur mjedisor, i cili kërkohet.
7. Një refuzim i një kërkese do të jepet me shkrim, nëse kërkesa ishte me shkrim ose në se kërkuesi e dëshiron të tillë. Refuzimi do të pohojë arsyet për refuzimin dhe do të japë informacion për procedurat të rishqyrtimit, parashikuar në përputhje me nenin 9. Refuzimi duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe jo më vonë se brenda një muaji, nëse kompleksiteti i informacionit nuk justifikon një kohëzgjatje deri në dy muaj pas kërkesës. Kërkuesi duhet të informohet për çdo kohëzgjatje dhe për arsyet që e justifikojnë atë.
8. Çdo Palë mund të lejojë autoritetet e saj publike të vendosin pagesat për dhënien e informacionit, por këto pagesa nuk duhet të tejkalojnë një shumë të arsyeshme. Autoritetet publike, të cilat synojnë të vendosin pagesa të tilla për informacionin që servirin, duhet t’u vënë në dispozicion, kërkuesve të informacionit, një listë të këtyre pagesave, të cilat mund të mblidhen, duke treguar rrethanat në të cilat ato mund të mblidhen ose jo (hiqet dorë), si edhe rastet kur dhënia e informacionit kushtëzohet prej pagimit paraprak të një pagese të tillë.