Reklame:

Instikti tek kafshet

Instikti i ka habitur historikisht njerëzimin. Ka qenë një kohë, kur jo vetëm njerëzit e thjeshtë, po edhe shkencëtarët çuditeshin me mënyrën e veprimeve të kafshëve. Mjeshtëria e ndertimit të foleve, aftësia e mrekullueshme për të gjetur ushqimin dhe për t’u orientuar në udhëtime të largëta. Të gjitha këto të krijonin përshtypjen se kafshët kanë një zgjuarësi të veçantë.

Në shekullin XIII, predikues të ndryshëm të fesë pohonin se te kafsha është futur nga i plotfuqishmi një pjesë e “mençurisë së zotit”. Kjo në të vërtetë është instinkti, i cili i udhëheq më se miri kafshët gjatë jetës së përditshme.

Po vëzhgimet e vëmendshme të natyralistëve treguan se instinkti paraqitet jo vetëm i zgjuar, po edhe i verbër. I zgjuar paraqitet në ato kushte të ambientit të jashtëm, në të cilat kafsha është përshtatur për mijëra vjet me radhë (lexo shembuj te instiktit te vetemjekimit tek kafshet apo instinktin e shtegetimit tek ngjalat).

Mjafton të ndryshojnë kushtet dhe kafsha menjëherë çoroditet, sillet sikur t’i jenë verbuar sytë. Po edhe instinkti mjaft “i zgjuar” nuk është në gjendje të udhëheqë kafshën në rrugët e pakaluara ndonjëherë.

 Si krijohet instikti

Instinktet janë formuar tek kafshet gjatë shekujsh me radhë. Çdo kafshë ka në sjelljen e saj instinkte të ndryshme, të cilat lindin së bashku me kafshën. Sejcili instinkt është i përbërë nga një varg veprimesh të pavetëdijshme ose refleksesh të pakushtëzuara.

Këto veprime të pavetëdijshme janë formuar si pasojë e ndikimit të kushteve të ambientit të jashtëm. Ky ndikim i vazhdueshëm i ambientit të jashtëm nguliti në qelizat nervore të trurit të kafshës një “program” të caktuar veprimesh, që synonë ta përshtatin kafshën sa më mirë ndaj kushteve ekzistuese të caktuara.

Sa kohë ekzistojnë këto kushte, instinkti e udhëheq me “mënçuri” kafshën, por, po ndryshuan kushtet, atëhere instinkti mbetet në vend. Ai nuk është në gjendje të gjejë rrugëdalje.

Po atëhere ç’ndodh me kafshët kur ndryshojnë kushtet e ambientit të jashtëm? Në jetën e kafshëve në këtë kohë fillon një periudhë e vështire. Një periudhë, në të cilën kafsha lufton për jetë a vdekje në kushtet e reja (lexo si shembull mangusten).

Në këtë betejë të ashpër nuk dalin fitues të gjithë individët e të njëjtit lloj, çdo gjë përcaktohet nga organizmli i kafshës dhe nga sistemi i saj nervor. Ata, individë që u rezistojnë kushteve të reja dhe përshtaten me to, jetojnë. Të tjerët, që paraqiten të dobët dhe të paaftë për të jetuar në kushtet e reja, zhduken.

Kjo është ecuria e përgjithshme e zhvillimit të kafshëve në natyrë, gjatë së cilës sjellja e vjetër zëvendësohet me të renë, ose instinktet e vjetra zëvendësohen me instinkte të reja.

Ky është një proces i vazhdueshem, i cili zhvillohet në mënyrë të pandërprerë në kushtet e lira natyrore dhe që synon të zhdukë të vjetrën e të krijojë të renë.