Reklame:

Pema e ullirit dhe historia e saj

Koha shumë e vjetër e kultivimit të “Pemës së Minervës” ka lënë të fshehur origjinën e vërtetë të saj. Është shumë interesante të njihet origjina e ullirit. Sepse për të është folur dhe shkruar gjatë gjithë shekujve, por asnjëherë dhe nga askush nuk është dhënë një mendim përfundimtar.

Një gjë është e vërtetë, ulliri është një nga kulturat më të lashta. Kultivimi i tij humbet në thellësinë e shekujve. Për lashtësinë shumë të madhe të tij dëshmojnë dokumentet historike dhe mitologjia greke. Gjithashtu deshmojne edhe gojëdhënat për vajin dhe mjetet primitive të nxjerrjes së tij nga popuj dhe vende të ndryshme.

Të gjithë popujt e vjetër dhe veçanërisht grekët kanë pasur një nderim të vecantë për kulturën e ullirit. Ata e konsideronin atë pemë të shenjtë dhe simbol të paqes. Me deget e lastarët e tij zbukuronin ballin e njerëzve të shquar e të trimave.

Autorë të ndryshëm të lashtësisë, si Homeri, Plini, Katoni, Kolumella dhe shumë të tjerë të kohëve moderne janë marrë dhe kanë shkruar për ullirin.

Nga mund te jete origjina e pemes se ullirit?

Ka mendime të ndryshme për vendorigjinën dhe kultivuesit e parë të ullirit. Specialistë të ndryshëm që janë marrë me këtë problem, mendojnë se ulliri duhet të jetë kultivuar për herë të parë rreth oazit të Sinait.

Ndërsa burime të tjera thonë se origjina e tij duhet të jetë jugu i Kaukazit. Krahinat në jug të Iranit dhe territoret juglindore të Detit Mesdhe ne Siri dhe Palestinë.

Por, duke u mbështetur në faktin se sot ulliri, në formën e tij spontane, gjendet i përhapur pothuajse në të gjitha vendet e Detit Mesdhe. Nuk përjashtohet mundësia që vatrat e përhapjes së ullirit të kenë qenë më tepër se një.

Një gjë ka mundësi të jetë e vërtetë, popujt e pellgut të Mesdheut kanë shfrytëzuar më përpara nxjerrjen e vajit nga kokrrat e ullirit të egër. Ata duke i shumëzuar këto, kanë bërë dhe seleksionimin e tyre, për të zgjedhur ekzemplarët më të mirë.

Nga disa të dhëna burimore, kultivimi për herë të parë në Ballkan e në viset shqiptare hedh rrënje në rajonin e Epirit. Kryesisht në Çamërine e sotme, 6000 vite para erës sonë. Ndersa 3200 vite më pas ka filluar të kultivohet në Thesali e në disa zona tjera të Greqisë.

Ne mesjete,  veçojmë rastin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Ai percaktonte në ligjet e tij kanunore, që çdo çift i sapo martuar duhej të mbillte dy rrënjë ulliri.