Një hendek i madh po zgjerohet vit pas viti ndërmjet sektorëve që dominojnë ekonominë si në PBB-ne dhe në punësim dhe sistemin arsimor në vend.
Sektorët e shërbimeve dhe bujqësisë formuan 66.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2017, ndërsa kontribuuan me 80.6 % të punësimit (42.4 shërbimet dhe 38.2% bujqësia), po të diplomuarit për këto degë zinin vetëm 4.2 për qind të totalit të diplomuarve në vitin 2017.
Gjithnjë e ma pak të rinj duan të studiojnë për veteriner, ekspert peshkimi apo agronom, teksa sektori i shërbimeve dhe hotelerisë thuajse mbetet tërësisht i papërfaqësuar në arsimin e lartë publik.
Të diplomuarit në këto degë po bien nga viti në vit duke i çuar disa degë specifikë që lidhen me bujqësinë drejt shuarjes. Në vitin 2013, 6.7 për qind e diplomave në arsimin e lartë ishin për bujqësinë dhe shërbimet, por kjo peshë po bie vit pas viti, teksa po çdo vit e më shumë diplomohen studentë në një treg që tashmë është i mbingarkuar.
Gjatë vitit 2017, 29.6 për qind e diplomave në arsimin e lartë u dhanë për ata që mbaruan degë të ekonomikut dhe juridikut, ndërsa sektori shëndetësie mori rreth 13.6% të diplomave të shpërndara më 2017.
Shkolla e lartë e infermierisë ka shtuar dukshëm diplomat në sektorin e shëndetësie. Për shkak të mundësive më të larta për punësim jashtë vendit ka një vërshim të studenteve në degët e infermierisë.
Shkolla e lartë e infermierisë është më e kërkuara në vitin akademik 2017-2018. Rreth 20 mijë studentë ndiqnin studimet në shollat e infermierisë dhe fakultetin e mjekësisë në të gjithë vendin, teksa në ekonomik dhe juridik sëbashku ishin rreth 300 mijë studentë vitin e kaluar.
Edhe pas 30 vitesh tranzicion sistemi arsimor në vend nuk po lidhet me prioritet kombëtare. Edhe pse qeveritë në dekadën e fundit i kanë shpallur prioritet sektorët e Bujqësisë dhe Arsimit ato nuk kanë azhornuar asnjë politike për të rritur forcën e kualifikuar të punës në këto sektorë dhe gjithashtu nuk i kanë kanalizuar fondet publike në shërbim të tyre.
Gjithnjë e më tepër sistemi arsimor në vend po riorientohet në nevojat që ofron tregu u jashtëm i punës se sa vendi.
(Monitor)