Reklame:

89% e fermerëve nuk pajisen me nipt, indiferentë ndaj parave në bujqësi

Fermerët shqiptarë  vijojnë të mbeten indiferentë ndaj financimeve që jep Ministria e Bujqësisë për zhvillimin e zonave rurale. Shifrat e përditësuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregojnë se numri i fermerëve aktivë aktualisht është 40. 182, ndërsa numri totali i fermerëve në të gjithë vendin është 354 mijë. Pra vetëm 11 për  qind  prej tyre gëzojnë përfitimet që vijnë nga pasja e një nipti si dhe derdhin kontribute shoqërore dhe shëndetësore.

Megjithëse Ministria e Bujqësisë vuri në dispozicion 20 milion euro për 54 skema të financimit në bujqësi dhe kusht kryesor është pajisja e fermerit me nipt, kjo nuk e vuri në lëvizje këtë kategori, që të përfitojnë nga moment për hapjen e niptit në mënyrë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e  financimeve.

Ministria e Bujqësisë ka sërish në dorë një instrument të fuqishëm financimi prej 94 milion eurosh, një fond i përbashkët midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, që sërish do të lërë të pambuluar pjesën e  “padukshme” të bujqësisë shqiptare, të cilët punojnë më së shumti në këtë sektor për arsye mbijetese dhe nuk tentojnë ta kthejnë atë në një mekanizëm zhvillimi dhe për rritje të të ardhurave.