Reklame:

Databaza per vreshtat dhe ullinjte, Ja ne cilat zona do te perfshihen

Dy prej kulturave më të rëndësishme dhe me traditë në bujqësinë në Shqipëri, ullinjtë dhe vreshtat do të bëhen pjesë e një programi për mbledhjen e të dhënave dhe dixhitalizimin e tyre në një databazë të posaçme.

Kjo do të lejojë një monitorim më të mirë të potencialeve të secilit prej sektorëve dhe është një hap për të ardhmen bazuar në modelet dhe kërkesat e Bashkimit Europian në fushën e bujqësisë.

Programi është marrë përsipër nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë-Krujë dhe Ministria e Bujqësisë, ndërsa tashmë janë hapur edhe procedurat e prokurimit të shërbimit.

Krijimi i databazës për dixhitalizimin e 9250 njësive të ullirit pritet të kushtojë rreth 11.6 milionë lekë dhe regjistrimi do të kryhet në Berat në njësitë dhe bashkitë: Cukalat, Lumas, Roshnik, Sinjë, Tërpan, Ura Vajgurore, Velabishtë, Vërtop, Kutalli, Poshnjë, Perondi dhe Otllak.

Në fund të procesit do të ketë një regjistër dhe një hartë të detajuar elektronike për fidanishtet e ullirit, subjektet përpunuese dhe tregtuese të vajit dhe ullinjve të tavolinës në këtë rreth.

Ndërkohë, programi për 2250 njësi vreshti do të kushtojë rreth 3.3 milionë lekë dhe do të shtrihet në disa zona të Dibrës, Bulqizës, Matit, Durrësit dhe Krujës. Edhe në këtë rast, databaza  do të ofrojë të dhëna të rëndësishme për vreshtat deri në nivel ngastre dhe do të gjurmojë në kohë reale prodhimin e zonave në treg, duke mundësuar edhe analizimin e potencialit të verës.

Të dyja programet do të bazohet mbi përgjigjet e formularëve shumë të detajuar, që përfshijnë gjithçka, që nga pronësia, përbërja e tokës, terreni, metoda e ujitjes dhe punimit, karakteristikat e kulturave, e deri tek destinacioni i prodhimit.