Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik finlandez, domatet, një nga përbërësit kryesorë të dietës mesdhetare, përgjysmojnë rrezikun e një iktusi në tru.
Dhe sipas studiuesve, efekti është akoma më i madh në parandalimin e një ishemie, për të cilan përkundër hemorragjisë cerebrale, reduktimi i rrezikut në rastin e konsumimit të domateve shkon në 60 për qind.
Studimi i gjerë finlandez ka nisur në vitet ‘90 dhe ka përfshirë në eksperiment disa mijëra meshkuj të moshave 46-65 vjeç. Në një hark kohor prej 12 vjetësh, 67 prej tyre kishin pësuar një iktus, por në asnjë rast nuk ishin prekur ata persona që kishin në gjak përqindje të likopenit (substanca që u jep ngjyrën e kuqe domateve dhe që gjendet me shumicë brenda tyre).
Duke u nisur nga ky fakt, studiuesit kanë vlerësuar benefitet e domates në mbrojtjen e shëndetit të njeriut, veçanërisht në reduktimin e rrezikut nga ishemia dhe iktusi në tru. Veç likotemit, domatet përmbajnë antioksidantë të shumtë të cilët shkatërrojnë radikalet e lira dhe ndaj cilësohen nga shumë ekspertë si dhurata e natyrës për të luftuar sëmundjet.
Domatja është një nga perimet më të njohura për vlerat e saj kuruese. Për vlerat e saj ushqyese, domatja ka gjetur përdorim të gjerë. Ajo është e pasur me Vitamina C dhe A. Gjithashtu, domatja përmban kripëra minerale, acide organike etj. Ndër kripërat, vend të rëndësishëm zënë potasi, fosfori, kaliumi, hekuri, magnezi raporti i të cilave krijon një ekuilibër të përsosur të ushqimit. Domatja përmban edhe antibiotikë bimorë si tomatina, e cila shërben në shërimin e sëmundjeve të lëkurës dhe të aparatit tretës. Lëngu i domates ushtron ndikim të madh në shërimin e plagëve të infektuara si dhe të ulcerave kronike. Ai vepron gjithashtu mbi sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Domatja ndikon në kurimin e formave të lehta reumatike. Gjithashtu, ajo ka veti kuruese edhe për nefritin, artritin dhe kapsllëkun.
Pas Vitaminës C dhe antioksiduesve, zbulimet e fundit për të parandaluar kancerin e vënë theksin te glikopeni, që është dhe përbërësi kryesor i domates. Për të luftuar plakjen, për të parandaluar kancerin apo për të pasur një lëkurë të bukur, asgjë nuk do të ishte më e çmuar se sa marrja gjatë vakteve të ditës të një “ilaçi” me emrin domate. Atë mund ta përdorësh të “gjallë”, në salcë, gjellë, sallatë, makarona, rizoto, supa, koktej (kokteji i famshëm “Bloody Mary” përgatitet me lëngun e domates) apo në gatime të ndryshme, për të cilat nuk është e nevojshme të konsultohesh me ndonjë mjek apo të kesh recetë për t‘i blerë.
Antioksiduese
Është vërtetuar se domatet kanë veti magjike, janë të shijshme, ekonomike, por mbi të gjitha janë aleate të çmuara për shëndetin. Prania e madhe e antioksiduesve shkatërron radikalet e lira, cilësohet nga shumë ekspertë si dhurata e natyrës, prandaj domatet luftojnë sëmundjet. Është zbuluar se këto substanca arrijnë rezultate të shkëlqyera, madje mund të krahasohen edhe me ilaçet tradicionale që mund të shkaktojnë edhe dëme. Domatet janë të pasura me betakaroten, likopen (substanca që u jep atyre ngjyrën e kuqe) dhe me vitaminat më të mira dhe më efikase se çdo gjë tjetër në luftën kundër plakjes.
Jo më kot është cilësuar si fryti më i përhapur në botë pas mollëve, bananeve, rrushit dhe portokallieve. Në të vërtetë, nuk ka këshillë më të mirë sesa të hash ushqime që jo vetëm nuk të sëmurin, por mbi të gjitha të mbrojnë.
Antikanceroze
Laboratori i artë i natyrës është në gjendje të na ofrojë gjithçka, sidomos kur shkenca ka zbuluar me kujdes virtytet e produkteve të saj. Kërkimet mjekësore që shtohen vit pas viti kanë treguar se domatet dhe produktet e tjera ku ato përdoren kanë aftësinë të jenë antikanceroze dhe të ulin rrezikun e zhvillimit të kancerit. Sipas ekspertëve, konsumi i rregullt i saj ul pothuajse me tri herë mundësinë për t‘u prekur nga kanceri i prostatës, zorrës së trashë, mushkërive apo pankreasit dhe se efekti “mbrojtës” i detyrohet tërësisht likopenit, përbërës që gjendet me shumicë te domatja dhe është një armë e fortë në luftën kundër kancerit. Fillimisht, diçka e tillë dukej e pamundur, por faktet tregojnë se likopeni dhe antioksiduesit e domates mund të parandalojnë dhe reduktojnë zhvillimin e llojeve të ndryshme të kancerit, sidomos atij të prostatës te meshkujt, ndaj konsumi është i rëndësishëm për organizmin.
Konsumimi
Dhjetë kokrra domate në javë, të freskëta, të gatuara apo produkte të saj, mund të ulin rrezikun e prekjes nga sëmundjet me 60 për qind. Sigurisht që mjekët duan t‘i bindin njerëzit të hanë domate dhe produktet që rrjedhin prej saj, pasi mund të reduktojnë rrezikun e përhapjes së shumë llojeve të kancerit, por kjo nuk do të thotë se ata duhet të hanë vetëm domate. Por domatet duhet të jenë shoqërueset e para të një diete të pasur ushqimore me fruta dhe perime. Nga ana tjetër, ajo mund të ndihmojë edhe në uljen e kolesterolit të keq në gjak. Studimet e fundit të mjekëve finlandezë treguan se salca e kuqe e quajtur ndryshe “ketch up” largon kolesterolin e keq në organizëm. Sipas kërkimit finlandez, salca e kuqe, aq e dashur për anglezët dhe jo vetëm për ta, është një minierë e artë për zemrën dhe mjafton një sasi e vogël në ditë për të mbajtur tërësisht nën kontroll vlerat e LDL, të ashtuquajturin “kolesteroli i keq”.