Ngritja e pemishtes me mollë është një investim afatgjatë (disa vjeçar) dhe kërkon një hulumtim paraprak të një numri faktorësh për ti evituar maksimalisht gabimet gjatë këtij investimi. Si faktorë kryesorë të cilët duhet pasur parasysh para ngritjes së një pemishteje janë faktorët natyrorë dhe ekonomikë.
Faktorët natyrorë
Faktorët kryesor natyror janë: klima, toka dhe relievi
Faktorët klimatik
Temperatura – duhet pasur parasysh temperaturat kritike për zhvillim normal të mollës ato minimale dhe maksimale(-25 deri +350C ) në veçanti atë të ultë duke pasur parasysh si llojin e pemës (molla -24 deri në -38 0C ) ashtu edhe fenofazat e zhvillimit (te molla: sythat e mugulluar -1.0 deri -3.9, lulet e hapura – 1.6 deri -2.2, frutat e porsaformuar -1.1 deri -2.0 0C). Gjithashtu edhe nënshtrimi ndaj një shumë vjetore të temperaturave të ulëta është një faktor kyç për zhvillim normal të pemëve. Në raste të caktuara për mbrojtje nga temperatura ekstreme të ulëta ndizen materiale të ndryshme si kashta mes rendeve të pemëve pastaj mbrojtja përmes shiut artificial etj,
Lagështia – këtu përfshihen reshjet atmosferike shiu, bora breshri nga të cilat varen lagështia e ajrit dhe e tokës. Në bazë të dhënave mbi këta faktorë ndërmerren masa agroteknike: në mungesë të reshjeve aplikohet ujitja, në mbrojtje nga breshëri vendosen rrjeta mbrojtëse, në rast të ujërave të tepërta në tokë aplikohet drenazhimi etj.
Bora – ndikon në forma të ndryshme në pemë por është burim alternativ i ujit. Mbulesa e borës në shumë raste është izolator i mirë për tu mbrojtur nga ngricat, vetëm në raste të shtresave të mëdha mund të shkaktoj thyerjen e degëve në disa lloje të pemëve.
Breshëri – ky në asnjë rast nuk sjell dobi, dëmi i breshrit mund të jetë direkt dhe indirekt. Dëmi direkt është dëmi mekanik në fryt, fletë, degë dhe trung. Ndërsa indirekte është që shkakton dobësimin e qëndrueshmërisë, zvogëlimin e aftësisë prodhuese si dhe nga plagët e shkaktuara krijon kushte për zhvillimin e sëmundjeve patologjike. Drita – është shumë e rëndësishme në zhvillimin normal të proceseve fiziologjike si fotosinteza kështu që çdo pemishte duhet të ketë ekspozim të përshtatshëm ndaj diellit ( rendet e vendosura veri-jug dhe pemët me lartësi 2-2.5 m e shfrytëzojnë më mirë dritën)
Era – në pemishte ka ndikim pozitiv por edhe negativ. Ana pozitive është që rrymimi i ajrit zvogëlon mundësinë e paraqitjes se sëmundjeve, në fazën e lulimit ndihmon polenizimin.
Ana negative ndikon në rritjen e transpirimit, tharjen e tokës, tharjen e degëzave të njoma, pengimin e punës së bletëve, pamundëson përkujdesjen, por erërat e forta mund të shkaktojnë edhe dëmtime mekanike. Duhet mënjanuar vendet e ekspozuara ndaj erërave të forta ose duhet ndërmarrë masa mbrojtëse, si duke ngritur barriera mbrojtëse me bimë të ndryshme drunore.
Relievi
Këtu bëjnë pjesë gjerësia gjeografike, ekspozicioni, lartësia mbidetare etj. Është shumë me rëndësi që pemishtja të ketë një ekspozim të mirë ndaj diellit, pastaj të ketë një qarkullim normal të masave të ajrit, gjithashtu edhe lartësia mbidetare duhet të jetë përshtatshme (për mollën më e ulët se 1000 m në zonën kontinentale)
Toka
Vetitë fizike – janë faktorë përcaktues në ngritjen e një pemishteje pasi që këto veti vështirë përmirësohen dhe kërkojnë investime të mëdha. Një tokë me veti të mira fizike duhet të ketë trashësi mbi 1.5 m, të lëshojë mirë ujin ( nëse hapet një gropë 1m thellësi uji pas shiut nuk duhet të qëndrojë më tepër se 3-5ditë), duhet të ketë strukturë të mirë me raporte të përshtatshme në mes rërës, argjilës dhe pluhurit. Pra për një zhvillim normal të sistemit rrënjor të pemës toka duhet të ketë një regjim ujor, ajror dhe termik të përshtatshëm ku raporti në mes ujit dhe ajrit në poret e tokës duhet të jetë 60% ujë dhe 40% ajër ndërsa temperatura mesatare e tokës 15-20 0C.
Vetitë kimike – Për ndryshim nga vetitë fizike, vetitë kimike mund të përmirësohen përmes masave agroteknike. pH, CaCO3 (%), Humusi (%), Azoti (%), Fosfori (P2O5) (mg/100g), Kaliumi (K2O) (mg/100g), Ca (mg/100g), Magnezi (Mg) (mg/100g) dhe mikroelementet Hekuri (Fe) Zinku (Zn), Bakri, (Cu) Bori (B), Molibdeni (Mo) etj.
Vetitë biologjike – toka është një mjedis shumë i pasur me organizma, prezenca dhe aktiviteti i tyre ndikojnë shumë në pjellorinë e tokës. Përveç që bëjnë zbërthimin e materieve të ndryshme, ata pas ngordhjes së tyre zbërthehen edhe vet në humus. Pjesa dërmuese e tyre ndodhen deri në 30 cm thellësi tokës (qilizma ose lëvrimi i thellë i tokës para mbjelljes së pemëve për veç tjerash bëhet edhe për ta zgjeruar shtresën bioaktive të tokës).
Mirëmbajtja e ekuilibrit ekologjik – është një aspekt mjaft i rëndësishëm ku duhet pasur parasysh: përdorimin e insekteve të dobishme për luftën biologjike, mbajtjen e një pjese të tokës pa u punuar si ambient alternativ për insekte (së paku 3%), ngritjen e brezave të gjelbër, rregullimin e hapësirave të përshtatshme për predatorë të ndryshëm që ushqehen me insekte të dëmshme etj.
Faktorët ekonomik
Këta faktorë kanë të bëjnë me fuqinë punëtore, kërkesat dhe mundësitë e qasjes në treg, përpunimin industrial të frutave etj.
Para ngritjes së pemishtes është e domosdoshme të kemi parasysh disa faza:
1. Përzgjedhja e lokacionit
2. Përgatitja e planit të pemishtes
3. Përgatitja e tokës për pemishten me mollë
4. Fidanët e mollës – teknika e mbjelljes
5. Vendosja e sistemit mbështetës
6. Vendosja e sistemit të ujitjes
Përzgjedhja e lokacionit
Gjatë përzgjedhjes së lokacionit për mbjelljen e mollës duhet të kihet kujdes që kushtet ekonomike dhe natyrore t’i përshtaten kësaj kulture. Përkatësisht ka rëndësi klima, toka, pozicioni fitosanitar, gjendja që e rrethon pemishten. Pozicioni i pemishtes kushtëzohet me lartësi mbidetare, pjerrtësia e terrenit preferohet të jetë e butë. Prodhimtaria intensive mund të planifikohet në lartësi mbidetare 600 m edhe pse molla mund zhvillohet në lartësi edhe më të larta. Rritja e lartësisë mbi detare për çdo 100 m, faza e lulëzimit në kushtet tona vonon 1-3 ditë. Dallimi në vegjetacion për polet Jug dhe Veri mund të vonoj deri 10 ditë. Ekspozicioni Jugor paraqet temperaturat më të larta dhe pemët më lehtë lulëzojnë dhe me kohë piqen dhe marrin ngjyrën e frutave. Pjerrësia e pemishtes ndikon negativisht për shkak që mund të kullohen elementet ushqyese por edhe ka rrezik nga erozioni. Për prodhimtarinë intensive pjerrësia më e përshtatshme nuk duhet të jetë mbi 5 %. Në prodhimtarin e pemëve mund të ketë ndikim shumë pozitiv lokacioni i rrethuar në afërsi me sipërfaqe ujore në këtë rast ndikon pozitivisht në rregullimin e temperaturave pranverore duke ngadalësuar vegjetacionin ndikon në mbrojtjen nga ngricat e vonshme pranverore por edhe gjatë dimrit në acare të theksuara ndihmon për zbutjen e tyre. Pemishtja nuk guxon të ngrihet në rendet me pemë të vjetra ose pyje, pastaj vendin për pemishte duhet zgjedhur aty ku ka dritë dhe është i mbrojtur nga era si dhe duhet asgjësuar të gjithë drunjtë përreth të cilët mund të jenë bartës të viruseve dhe patogjeneve.
Përgatitja e planit të pemishtes
Duke pasur parasysh se investimet në ngritjen e pemishteve me mollë janë afatgjate, duhet kushtuar kujdesin e duhur në planifikimin e pemishteve. Në kuadër të masave për planifikimin e pemishteve duhet marrë për bazë:
Planifikimin e punëve të nevojshme
Përgatitjen e planit – skicës së parcelës
Përzgjedhjen e kultivarëve dhe nënshartesës
Përzgjedhja e kultivarëve dhe nënshartesës
Kultivarët: Gjatë përzgjedhjes së kultivarëve të mollës duhet pasur në konsideratë disa karakteristika: polenizimin, kohën e lulëzimit, qëndrueshmërinë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, periudhën e vegjetacionit, qëndrueshmërinë ndaj ngricave, kohën e ruajtjes pas vjeljes dhe kërkesat e tregut.
Elstar
Origjina: Kultivar Holandez, Golden
Delicious x Ingrid Marie
Koha e pjekjes: Dekada e parë i Shtatorit Karakteristikat e frytit: Fryti mesatarisht i madh në formë konike me ngjyrë bazike të gjelbër i mbuluar me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe, shije të thartë.
Specifikat: diploid, rritje të bujshme degëzimet me kënde të ashpra, lulëzim
mesatarisht të vonshëm. I ndjeshëm ndaj kromës dhe hirit
Mutantët: Dalieter, Elshof, Redelstar, Valstar
Granny Smith
Origjina: Kultivar Australian i përfituar nga farat e mollës së egër Franceze
Koha e pjekjes: Dekada e dytë e Tetorit Karakteristikat e frytit: Fryti i madh në formë konike me ngjyrë bazike plotësisht të gjelbër, shije në të thartë, tul të lëngshëm dhe aromë të këndshme.
Specifikat: diploid, rritje të bujshme degëzimet me kënde të ashpra
Golden Delicious
Origjina: Nga farishtet spontane
Koha e pjekjes: Fundi i Shtatorit – fillimi iTetorit
Karakteristikat e frytit: Fryti mesatarisht i madh në formë me ngjyrë bazike të gjelbër i mbuluar me ngjyrë të verdhë, shije të ëmbël dhe aromatik.
Specifikat: fillimisht ka rritje të bujshme pastaj në frutdhënie stabilizohet, frutdhënie të rregullt, polenizues i mirë. E qëndrueshme ndaj hirit dhe ndjeshme ndaj kromes.
Mutantët: Klon B, Reinders etj.
Golden Delicious ® Reinders
Golden Delicious Reinders është një klon i delishecit të artë i zbuluar në Helden-Panningen të Holandës.
Fryti: Mesatarisht i madh i zgjatur dhe mjaft të bukur, ka ngjyrë bazë të gjelbër në të verdhë ndërsa kur të piqet fiton ngjyrë të verdhë në të artë, tuli i frytit është i forte i lëngshëm me përmbajtje të ulët të acideve dhe me lëvore të hollë, është plotësisht i qëndrueshëm në nga rrjetëzimi i frytit.
Specifikat: Kultivarë me lulëzim të mesëm, koha e pjekurisë mesi deri fundi i Shtatorit, Kurora ka bujshmëri mesatare, ka frytdhënje të rregullt dhe të lartë, Nënshartesa më e përshtatshme M9, Në depo mund të ruhet deri në mesin e Janarit ndërsa në frigorifer deri në mesin e Korrikut
Idared
Origjina: Kultivar Amerikan, Jonatan x Wagner
Koha e pjekjes: Dekada e parë i Tetorit Karakteristikat e frytit: Fryti i madh në formë rrumbullakët pak i shtypur me ngjyrë bazike të verdhë në të gjelbër i mbuluar pjesërisht ose plotësisht me ngjyrë të kuqe, shije të ëmbël në të thartë.
Specifikat: kultivarë me prodhimtari të lartë dhe të rregullt, bujshmëri mesatare dhe polenizues i shkëlqyeshëm . I qëndrueshëm ndaj kromës dhe i ndjeshëm ndaj hirit.
Melrosa
Origjina: Jonatan x Red Delicious Koha e pjekjes: Dekada e dytë e tetorit Karakteristikat e frytit: Fryti mesatarisht i madh ngjyrë të kuqe të përzier me të verdhë, shije të thartë në të ëmbël me tul të fortë dhe të lëngshëm. Specifikat: menjëherë pas vjeljes preferohet vendosja në depo dhe për një kohë të shkurtë mund të filloj konsumimi.
Nënshartesat: Sot në prodhimtarinë intensive të mollës më së shumti përdoren nënshartesa vegjetative të me bujshmëri të ulët të cilat mundësojnë rritjen e numrit të bimëve për njësi të sipërfaqes e që ndikojnë në rritjen e rendimentit dhe uljen e kostos së prodhimit.
Nga nënshartesa vegjetative për Mollën që më së tepërmi përdoren janë : M9 dhe M26 (bujshmëri të ulët), MM 106 (bujshmëri të mesme), etj. Gjatë përzgjedhjes së nënshartesës duhet pas parasysh sistemin e kultivimit, agrotekniken që do ta aplikojmë por edhe bujshmërinë e kultivarëve.
Përgatitja e planit – skicës së parcelës
Paraqet një moment mjaft të rëndësishëm ku do të bëhet matja dhe ndarja e parcelës, parashikimi i rrugëve (në fillim, fund dhe pjesët anësore të parcelës) , distancave të mbjelljes së fidanëve (varësisht nga nënshartesa), drejtimin e rendeve (e rekomanduar Veri- Jug)