Reklame:

Magnezi, çfarë është dhe a mund të keni mungesë të tij?

Magnezi është një mineral që trupit i nevojitet për të funksionuar normalisht. Ky mineral ndihmon në një sërë procesesh në trup, duke filluar nga kontrolli i funksionimit të muskujve deri te nervat. Ai ndihmon gjithashtu në forcimin e kockave, mbrojtjen e zemrës dhe normalizimin e niveleve të sheqerit në gjak. Mund ta merrni magnezin nga disa ushqime dhe pije. Nëse mjeku mendon se keni nevojë edhe për më shumë magnez, mund t’ju sugjerojë që të merrni suplemente.

Për sa magnez ka nevojë trupi i njeriut?

Nën 30 vjeç gratë kanë nevojë për rreth 310 miligramë magnez në ditë, ndërsa mbi 30 vjeç kanë nevojë për 320 miligramë. Gratë shtatzëna kanë nevojë për 40 miligramë magnez shtesë. Ndërsa burrat nën 31 vjeç kanë nevojë për 400 miligramë, dhe mbi 31 për 420 miligramë.  Fëmijët kanë nevojë për diku nga 30 në 410 miligramë magnez, në varësi të moshës dhe gjinisë. Konsultohuni me pediatrin për sa magnez ka nevojë fëmija juaj.

A po merrni mjaftueshëm magnez?

Gati gjysma e popullsisë nuk merr mjaftueshëm magnez nga dieta ushqimore. Me kalimin e kohës, nivelet e ulëta të këtij minerali mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të një sërë sëmundjesh, si diabeti i tipit 2, tensioni i lartë i gjakut dhe migrena. Të moshuarit, alkoolistët dhe personat që vuajnë nga diabeti i tipit 2 ose probleme me sistemin tretës janë më të predispozuar që të kenë mungesë të këtij minerali.

Dozat e larta të tij, a shkaktojnë probleme në trup?

Nëse jeni në gjendje të mirë shëndetësore, trupi e nxjerr vetvetiu magnezin e tepërt që e keni marrë nga ushqimi. Megjithatë, dozat e larta të këtij minerali mund të shkaktojnë krampe dhe të përziera. E njëjta gjë ndodh nëse përdorni laksativë ose antacide që kanë magnez. Dozat shumë të larta të këtij minerali mund t’ju shkaktojnë shumë probleme.

Konsultohuni me mjekun para se të përdorni ilaçe me magnez, sepse disa gjendje shëndetësore mund të përkeqësohen nëse merrni shumë nga ky mineral.

Përfitim: Forcon kockat

Trupi përdor magnezin për të prodhuar qeliza të reja. Studimet kanë treguar se ky mineral ndihmon kundër humbjes kockore, frakturave të kockave dhe osteoporoza. Zakonisht gratë që vuajnë nga osteoporoza kanë nivele më të ulëta të magnezit.

Përfitim: Lufton inflamacionin

Inflamacioni është një reagim i sistemit imunitar ndaj një sulmi potencial. Me pak fjalë, ai ndihmon trupin për të luftuar viruset dhe shëruar plagët. Por, nëse keni inflamacion gjatë gjithë kohës, mund të çojë në zhvillimin e problemeve shëndetësore si sëmundjet e zemrës, artriti dhe diabeti.

Përfitim: Mbron zemrën

Magnezi ndihmon zemrën të pompojë gjak. Nivelet e duhura të këtij minerali ulin rrezikun e zhvillimit të çrregullimit të rrahjeve të zemrës, sëmundjeve të zemrës dhe atakun kardiak. Magnezi relakson muret e brendshme të enëve të gjakut dhe ndihmon në mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut. Mund të rrisë gjithashtu nivelet e kolesterolit të “mirë” HDL.

Përfitim: Parandalon migrenën

Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit që vuajnë nga migrena kanë mungesë të tepruar të magnezit.

Përfitim: Ul rrezikun e zhvillimit të diabetit

Magnezi ndihmon në funksionimin normalisht të hormonit insulinë. Ky hormon mban të qëndrueshëm nivelet e sheqerit në gjak.