Vitet e fundit në Shqipëri kanë “lulëzuar” reklamat e ilaçeve, kryesisht të atyre që mund të përdoren pa pasur nevojën e recetës së mjekut. Nga rreth 6000 barna që qarkullojnë në Shqipëri, rreth 700 emra tregtarë janë në listën që u lejohet që të reklamohen në media.
Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një rregullore të re për publicitetin e barnave. Sa i përket publicitetit drejtuar popullatës, rregullorja përcakton se vetëm barnat që janë pjesë e listës së barnave pa recetë është i lejueshëm ndërsa për barnat që jepen vetëm me recetë të mjekut, nuk lejohet.
“Në publicitetin e barnave të cilat shpërndahen pa recetë, teksti i mëposhtëm duhet të përfshihet në publicitetin e barit ose në informacionin e dhënë: “Përpara përdorimit, lexoni me kujdes udhëzimet për përdorimin, dhe kosultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme”.
Teksti i shkruar në pikën 1, të këtij neni duhet të jetë i dukshëm (p.sh.: i shkruar në një ngjyrë të theksuar ose i rrethuar me konture), duhet të zërë të paktën një të dhjetat e përmasës së publicitetit, dhe duhet të jetë i shkruar në një madhësi të lexueshme pa vështirësi.
Për publicitetin televiziv, teksti i shkruar më sipër duhet të paraqitet veçmas, të lexohet nga një person më zë të qartë dhe të kuptueshëm. Publiciteti televiziv dhe radiofonik mund të përdoret si rikujtesë/flesh publicitar vetëm kur është i implementuar në mënyrë të tillë që në bllokun promocional, publiciteti shfaqet i plotë sipas paragrafit 1, 2 dhe 3 të këtij neni dhe ndjek të njëjtin format publicitar si i mëparshmi. Në publicitetin në internet, teksti i shkruar në paragrafin një të këtij neni, duhet të jetë pjesë integrale e faqes kryesore të publicitetit dhe jo një faqe ose adresë më vete.
Publiciteti i barit në paragrafin e parë të këtij neni nuk duhet të jetë kequdhëzues, dhe duhet të jetë mjaftueshëm i qartë që është, publicitet. Në artikujt e printuar dhe ata të publikuar në internet, të cilët kanë përmbajtje publicitare, është e nevojshme të citohet: “Publicitet i sponsorizuar i barit”, në një pjesë të dukshme të artikullit, me një madhësi shkrimi të njëjtë ose më të madhe në krahasim me madhësinë e shkrimit në artikull” përcaktohet në rregullore.
Nuk lejohet që në publicitetin e barnave drejtuar popullatës:
-Të pretendohet se bari nuk ka efekte të padëshiruara, nuk është toksik dhe nuk ka rrezik të shfaqë varësi, apo të mbulojë ose reduktojë rëndësinë dhe frekuencën e efekteve të padëshiruara;
-Të jepet përshtypja se bari garanton sukses në trajtimin e sëmundjes;
-Të sugjerohet se një bar është padyshim më i mirë se një tjetër;
-Të pretendohet se bari mund të administrohet edhe në rastet kur nuk ka asnjë shenjë të sëmundjes, p.sh.: që përmirëson shëndetin;
-Të pretendohet se nëse bari nuk administrohet sjell pasoja negative për shëndetin e pacientit.
-Të pretendohet se siguria dhe efektshmëria e barit vjen vetëm nga natyra e origjinës së tij;
-Të pretendohet se bari përfaqëson një produkt dietik, kozmetik, apo tjetër lloj produkti që përdoret gjerësisht në popullatë;
-Të sugjerojë se administrimi i barit, shmang: ekzaminimin te mjeku, këshillën për një ndërhyrje kirurgjikale dhe gjithashtu nuk duhet të ofrojë këshilla lidhur me diagnostikimin ose trajtimin mjekësor nëpërmjet postës elektronike;
-Të sugjerojë së një bar i përshkruar mund të zëvendësohet nga një tjetër;
-Të zhvillohet reklamim direkt ose specifikisht për fëmijët, ku tregohet se bari mund të merret vetë nga fëmijët, ose që bari mund të jetë i arritshëm për ta pa qenë nevoja që këta të fundit të jenë të shoqëruar nga një i rritur;
-Të përfshijë rekomandimin e profesionistëve të shëndetit ose studiuesve shkencorë, apo të përfshijë në publicitet persona, popullariteti i të cilëve mund të stimulojë në përdorimin e barit;
-Të citojë njoftimin e përfshirjes së barit në listën e barnave të rimbursueshme në sistemin e kujdesit shëndetësor primar, sekondar, dhe terciar, të Republikës së Shqipërisë
-Përdorimin e historikëve mjekësore ose stimulimin e procedurave diagnostikuese që mund të orientojnë në vetëtrajtimin ose vetëdiagnostikimin jokorrekt;
-Përdorimin e paraqitjeve ilustrative të ndryshimeve që pëson trupi i njeriut prej sëmundjes, dëmtimit, ose të efekteve që ka marrja e barit në trupin e njeriut apo pjesë të tij në një mënyrë të papërshtatshme, shqetësuese ose kequdhëzuese;
-T’u referohet evidencave të shërimit në një mënyrë të papërshtatshme, shqetësuese ose duke kequdhëzuar.
-Është e ndaluar të shpërndahen barna me qëllim promocional, në popullatë, në çfarëdolloj mënyre ose forme, direkte ose indirekte.
-Në publicitetin drejtuar popullatës, nuk është e lejuar të përdoret emri i ndonjë farmacie ose vendndodhja e ndonjë shitësi me pakicë në të cilin shitja e barnave është e lejuar, sipas ligjeve në fuqi.
-Në publicitetin drejtuar popullatës, nuk është e lejuar të përmenden ose mblidhen të dhënat personale të pacientëve, diagnoza, procedurat terapeutike të cilave iu janë nënshtruar dhe barnat që iu janë përshkruar.