Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) vlerëson se bujqit kosovarë vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, pavarësisht se bujqësia në Kosovë llogaritet si një sektorë shumë i rëndësishëm.
Cilësia e dobët e farërave që importohet nga vendet e rajonit, mungesa e një tregu të sigurt për shitjen e produkteve bujqësore dhe mos përkrahje e mjaftueshme nga niveli qendror dhe ai lokal sipas IKD-se janë disa nga problemet që i shqetëson bujqit kosovarë.
Me të njëjtat probleme përballen edhe bujqit e Klinës.
Në një takim të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, bujqit e Klinës shprehen shqetësimet e tyre dhe vështirësitë me të cilat ata po përballen.
Ilaz Selimi, i cili merret me prodhimin e farërave, theksoi se prodhuesit vendor po dëmtohen nga konkurrenca jo e drejtë, si dhe po dëmtohen me farërat që importohen nga shtetet e tjera, sidomos nga Serbia.
Ai theksoi se janë pesë varietete të farërave që hynë në Kosovë nga Serbia dhe se janë false pasi që nuk prodhohen aty.
Sejdi Baleci një fermer tjetër, ka thënë se fabrikat siç janë ato të prodhimeve të qumështit nuk bashkëpunojnë me fermerët vendor, dhe po synojnë që më çmime shumë të ulëta të marrin prodhimet e tyre.
Një treg për shitjen e produkteve si dhe një vend për ruajtjen e pemëve ishin në mesin e kërkesave që fermerët shprehen para zyrtarëve komunalë.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në komunën e Klinës, Naser Morina, ka thënë se komuna me aq sa ka pasur mundësi ka ndihmuar deri tani bujqit, duke pranuar se ka ende punë për të bërë.
“Me një plan program që kemi për vitin 2019 disa investime qe do t’i kemi janë: kanalet e ujitjes, disa sera dhe më e rëndësishmja është krijim i një fondi emergjent”, është shprehur Morina duke kërkuar nga bujqit që të jenë më aktiv rreth kërkesave të tyre dhe të marrin pjesë në thirrjet e komunës për subvencionim.
Komuna e Klinës për vitit 2019 ka ndarë 85 mijë euro për investime kapitale në bujqësi dhe rreth 45 mijë Euro për subvencione.
Ky takim është organizuar në kuadër të projektit, “Rritja e llogaridhënës së institucioneve lokale në Kosovë”, i cili financohet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.