Reklame:

Mali i Zi fajson Shqiperine per renien e sasise se peshqve ne liqen

Të ndaluara në Mal të Zi, por tepër të dashura në Shqipëri, “daljanit” ose digat e peshkimit, po fajësohen për rënien dramatike të sasive të peshqve në Liqenin e Shkodrës.

Dzelal Hodziç kujton me dashuri peshkimin më të madh të jetës së tij.

“Mund ta ndienit nga zhurma,” tha peshkatari veteran malazez. “Ishte natë dhe ata thjesht thanë ‘ngrijeni’! na u desh nga mëngjesi deri natën pasuese për ta nxjerrë nga uji. Nuk dinim ç‘të bënim me aq shumë peshk.”

Ishte tetori i vitit 1971 dhe Hodziç – tani kreu i grupit mjedisor Green Step – dhe kolegët e tij sapo kishin zënë 23 ton peshk në një rrjet të vetme, duke i zënë ata me një digë ndërsa peshku kthehej në detin Adriatik pasi kishte lëshuar vezët e tij në ujërat e freskëta të lumit Buna. Ata e dërguan peshkun për ta shitur në qytetin mesjetar të Kroacisë në Dubrovnik, kur Kroacia dhe Mali i Zi ishin si pjesë e Jugosllavisë socialiste.

Histori të tilla janë bërë prej kohësh legjendë në komunitetet që jetojnë buzë këtij liqeni, i cili shtrihet në kufi me Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Diga, ndërtime, ndotja dhe mbi peshkimi kanë ulur në mënyrë dramatike popullatat e peshqve të liqenit.

Blini ka dekada që është zhdukur, ndërsa ngjala europiane në rrezik zhdukje, barbuni që kërcen, barbuni buzëhollë dhe harenga janë të gjitha në rrezik zhdukje.

Përdorimi i digave për peshkim është i ndaluar në Malin e Zi, por kurthet lejohen nga Shqipëria, ku ato njihen si ‘daljani’ dhe kanë një histori që daton shekuj më parë.

Por ndërsa autoritetet në Shqipëri thonë se daljanit përdoren në përputhje me ligjin dhe nuk mund të fajësohen për rënien e rezervave të peshqve, peshkatarët në Malin e Zi thonë se ata po shkatërrojnë liqenin.

“Shqiptarët kanë ndërprerë liqenin. Nuk kalon dot as edhe një mizë,” tha Marko Masanoviç, anëtar i Shoqatës së Peshkatarëve Profesionistë të Ulqinit, një qytet bregdetar në Malin e Zi pranë kufirit me Shqipërinë.

“Këtë vit nuk kemi asgjë. As karkaleca, lojbe, asgjë,” tha ai për Qendrën për Raportim Investigativ të Malit të Zit dhe BIRN, CIN-CG/BIRN.

“Më parë, mund të peshkoje me kallam. Tani nuk të bën punë as rrjeta.”

Daljanit janë barrikada të bëra prej metali ose prej shufrash druri që vendosen në grykën e një kanali midis një liqeni dhe detit, duke kanalizuar peshqit ndërsa përpiqen të kthehen në det nga liqeni drejt një kurthi, prej nga ata nxirren jashtë me një rrjetë të njohur në shqip si një “kalimera”.

Kurthet janë përdorur për shekuj me radhë në Shqipëri, rrjetat e tyre në formë V-ja zënë sasi të mëdha peshqish migrues.

Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë, ato drejtoheshin nga shteti, ranë në kontrollin gjithnjë e më të madh të familjeve shqiptare në një periudhë trazire intensive në vend në fund të shekullit të 20-të.

Tani ato janë në duart e koncesionarëve, të cilët i operojnë digat nën mbikëqyrjen e shtetit.

Autoritetet shqiptare këmbëngulin se ka rregulla të rrepta për kohën dhe sasinë se sa mund të përdoret daljani. Por një sërë njerëzish në brendësi të kësaj industrie thanë për BIRN se kishte hapësirë të konsiderueshme për abuzim.

Në gusht të vitit 2018, kur sipas ligjit kalimi përmes kanalit duhet të jetë i lirë, gazetarët e CIN-CG/BIRN vunë re një daljani me rrjetën e saj të ngritur mbi ujë, siç do të pritej gjatë sezonit të ndalimit të peshkimit. Por disa ditë më vonë, gazetarët CIN-CG/BIRN vunë re se rrjeta ishte nën ujë, duke sugjeruar se ishte në përdorim.

Dy burra të paidentifikuar në një anije kërcënuan gazetarët CIN-CG/BIRN që po përpiqeshin të bëni fotografi, duke u thënë se vendi ishte pronë private dhe se nuk lejoheshin filmimet.

Zv/ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Roland Kristo, tha se daljanit ishin përdorur në përputhje me ligjin. “Dhe ligji është shumë i qartë,” tha ai për CIN-CG/BIRN.

Sipas ligjit, daljanit në lumin Buna, i cili rrjedh nga liqeni i Shkodrës në detin Adriatik, janë të hapura nga 15 marsi deri më 31 gusht dhe të mbyllura për pjesën e mbetur të vitit.

Koncesioni jepet për një periudhë dyvjeçare dhe monitorohet nga Organizata e Shqipërisë për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Liqenit të Shkodrës.

“Daljanit nuk janë risi, kjo është një traditë,” tha kreu i organizatës, Arijan Cinari.

“Ato janë të hapura për gjysmën e vitit dhe pastaj mbyllen. Në këto gjashtë muaj, kur ato janë të mbyllura, ka ditë kur duhet të jenë të hapura,” tha ai për CIN-CG/BIRN. “Ne kontrollojmë këto ditë. Nuk e bëjmë këtë ‘rastësisht’ ose për të favorizuar ndonjë. Ne duam thjesht të mbështesim riprodhimin e peshqve në Liqenin e Shkodrës.”

“Nuk mendoj se ka ‘heronj’ të tillë që do të rrezikonin licencën e tyre për një ose dy ditë, madje edhe një javë peshkim.”

Iktiologu Danilo Mrdak i Universitetit të Malit të Zi, megjithatë, tha se rregullat e tilla do të bënin shumë pak për të ndihmuar rezervat e peshqve. Daljanit janë dizajnuar për të zënë peshq pikërisht kur ai po përpiqet të emigrojë, tha ai.

“Nuk ka asnjë arsye tjetër pse barbuni buzëhollë, ose barbuni që kërcen, nuk po hyn dhe nuk është i pranishëm në sasitë që janë mësuar peshkatarët në Liqenin e Shkodrës,” tha ai.

“Vetëm në vitet kur niveli i ujit u ngrit mbi rrjeta, arriti të kalonte diçka. Por jemi në mëshirën e Zotit.”

Një burim të ardhurash për shekuj me radhë

Gazetari dhe publicisti Mustafa Canka thotë se daljani në Lumin Buna kanë qenë prej kohësh një burim i madh të ardhurash.

“Nëse jeni të vetëdijshëm se kjo është një zonë ku mund të peshkoni vazhdimisht, se ka migrim të vazhdueshëm të peshkut, atëherë e dini vlerën e kësaj,” tha ai.

“Mund të shikoni në të dhënat kadastrale të Shkodrës nga viti 1416, ka një rekord të daljanit. Vendet e peshkimit janë të regjistruara në regjistrat kadastralë të bashkisë së Shkodrës. Atje është e shkruar saktësisht se kujt i takon kjo. Mund ta merrni me qira dhe për këtë kishte një tarifë vjetore dhe se sa fiton shteti.”

“Flitej se ishte fitimprurëse për Venedikasit dhe kur osmanët pushtuan Shkodrën, u folën se ato ishin një burim fitimesh të konsiderueshëm. Të gjitha këto hynin në thesarin e shtetit, të sulltanit. E gjithë zona ishte gjithmonë interesante dhe e vlefshme.”

Canka tha se nën Principatën e Malit të Zi (1852-1910) ekzistonte një marrëveshje me Qarkun e Shkodrës rreth heqjes së barrikadave për tre ditë në vit, kur ngjala dhe barbuni buzëholl migronin, për të të lejuar banorët e Ulqinit një shans për t’i kapur ato.

Nuk ka të dhëna të sakta për rënien

Statistikat e sakta të peshkimit gjatë 40 viteve të fundit nuk janë të disponueshme.

Me rënien e ndërmarrjes shoqërore Industriaimport, e cila menaxhonte peshkimin në liqen, dhe mbylljen e fabrikës “Ribarstvo” në Rijeka Crnojevica, i vetmi regjistër i besueshëm i peshkimit nga Liqeni i Shkodrës humbi.

Të dhënat nga viti 1947 deri më 1976, të konsideruara relativisht të besueshme, tregojnë një rënie të konsiderueshme çdo vit.

Sipas një raporti, nëse barbuni kapej në një normë prej 250 tonësh 30 vjet më parë, sot kapja vjetore e tij është afërsisht 5-6 ton, me rënien që i atribuohet një sërë faktorësh.

“Më kujtohet kur fillova në fillim, zija herë më shumë sesa tani,” tha Nikola Vujanoviç, një peshkatar nga Rijeka Crnojevica, një fshat në brigjet e Liqenit të Shkodrës.

Daljanit “ndalon çdo gjë që lëviz nga të dyja anët e lumit”, tha ai.

Vetëm përpjekjet e përbashkëta të qeverive malazeze dhe shqiptare mund ta trajtojnë këtë çështje.

“Është e vërtetë se ky problem ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe se ne po përpiqemi ta zgjidhim atë,” tha Slavica Pavloviç, drejtuese e Drejtorisë së Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë të Malit të Zi.

Në korrik 2018, të dy vendet ranë dakord të rrisin punën e një Komisioni të Përbashkët të Menaxhimit të Ujërave në Liqenin e Shkodrës dhe lumenjtë Buna, Drin dhe Morava.

Podgorica gjithashtu ka në plan të kryejë një studim të efekteve të digave në lumin Buna mbi popullsinë e peshkut, si pjesë e një projekti konservimi që po zbatohet nga agjencia gjermane e zhvillimit GIZ.

“Është e qartë se ka një rënie në popullsinë e barbunit kërcyer dhe harengës,” tha Pavloviç për CIN-CG/BIRN. “Ne kemi nevojë të sigurojmë të dhëna të sakta për të përgatitur një plan të menaxhimit të liqenit.”

“Edhe pse peshkimi në ujëra të ëmbla mbetet një çështje në nivel kombëtar, nëse çështja është një ndërkufitare, ajo prapëseprapë duhet të rregullohet me marrëveshje të caktuara dhe rregulla të qarta në mënyrë që asnjë vend të mos vuajë për shkak të vendimeve negative të tjetrit.”

“Ne s’e lejojmë peshkun të emigrojë dhe të largohet”

E përfshirë në vitin 2010 në një “listë të kuqe” të specieve në kërcënim zhdukje e përpiluar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, ngjala është një shqetësim i madh. Të dhënat e peshkimit tregojnë se bëhet fjalë për një rënie historike dhe Bashkimi Europian ka rekomanduar monitorimin e vazhdueshëm.

Mrdak, iktiologu nga Mali i Zi, tha se ishte jetësore që të kishte një përpjekje të përbashkët për të mbrojtur ngjalën.

“Kur vjen në shkurt, pasi lëshon vezët, ajo mund të hyjë në Bunë dhe sistemi ynë mbushet, por problemi është nëse ne nuk e lejojmë atë të migrojë dhe të largohet,” tha ai. “Ne lejojmë më pak se 40 për qind të saj ta provojë dhe të rikthehet e të bëjë vezët.”

“Ka shumë më tepër në bregun e Atlantikut dhe kjo sasi e vogël që ne po parandalojmë është vetëm një ‘pikë në oqean’”, tha Mrdak për CIN-CG/BIRN. “Por nuk është e drejtë të korrim përfitimet e sjelljes së mirë në bregun e Atlantikut dhe ne të mos lodhemi fare.”

Por në Shqipëri, Kristo, zv/ministri i bujqësisë, tha se popullatat në rënie të ngjalës nuk ishte unike vetëm për Liqenin e Shkodrës.

“Ngjala është në rrezik në të gjithë botën; arsyeja është e vështirë për t’u gjetur,” tha ai.

Kristo u shpreh se nuk ishte në interesin e askujt të kapte ngjala në mënyrë të paligjshme, duke qenë se tregjet malazeze dhe shqiptare janë të vogla dhe ajo nuk mund të eksportohet në BE, pasi blloku ndalon blerjen e ngjalave jashtë kufijve të saj.

“Fakti është se rënia e sasisë së ngjalës nuk është një rast që ndodh vetëm këtu,” tha ai. Mali i Zi, nga ana tjetër, lejon rrjetat për ngjalat, gjë të cilën Shqipëria e ka ndaluar, shtoi Kristo.

Ekologia shqiptare Dajana Beko tha se ngjalat ishin në rrezik zhdukje nga ndotja, helmimi dhe ndryshimet klimatike. E pyetur për daljanin, ajo u përgjigj:

“Menaxhimi i digave, të ligjshme apo jo, ndikon shumë në numrin dhe llojin e peshqve. Nëse menaxhohet si duhet, ai ndikon te peshku. Në rast se jo, rrezikon peshqit dhe jetën në Liqenin e Shkodrës.”

Irena Rasovic/BIRN