Reklame:

Qiradhenia e tokave shteterore, KLSH: Plan-bizneset deshtojnë prej konflikteve

Qiradhënia e tokave bujqësore që janë pronë shtetërore dhe nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duket se shoqërohet prej vitesh me problematikën e konflikteve çka çon në dështimin e plan bizneseve të atyre që marrin përsipër zhvillimin. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas një auditimi në këtë ministri ka dalë pikërisht në këtë përfundim. “Shumica e qiramarrësve, për shkak të konfliktit me pretendentë të pronës nuk e marrin nën administrim të gjithë sipërfaqen e saj, për rrjedhojë dhe zhvillimi i saj nuk kryhet sipas plan bizneseve të paraqitura prej tyre. Në një pjesë të kontratave, në rrethin ku ndodhet toka bujqësore nuk janë depozituar për regjistrim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Paluajtshme vendore” thuhet në raport.

Nga ana tjetër ky i fundit vlerëson se nuk janë bërë monitorime për të parë nëse sipas afateve të përcaktuar në kontratë janë bërë apo jo investimet. Me ligj nëse subjekti nuk ka bërë të paktën 20 për qind të investimeve kapitale deri në fund të vitit të tretë qiradhënësi në këtë rast shteti mund të kërkojë prishjen e kontratës.

Për të zgjidhur këtë ngërç nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit është rekomanduar që të bëhen verifikimet përpara dhënies me qira të tokave shtetërore për të shmangur përplasjet me ish-pronarët. Këto toka nuk duhet të jepen me qira nëse fillimisht nuk është dhënë zgjidhje ligjore për pronësinë. Nga ana tjetër theksohet se nga Ministria duhet të kryhen monitorime periodike për realizmin e kontratës vit pas viti ndërkohë që sipas hapësirave ligjore mund të aplikojë edhe penalitete.

Subjektet mbi 20 milionë USD detyrime ndaj ministrisë

Një tjetër element marrë në analizë nga ana e KLSH janë detyrimet e prapambetura që subjekte të caktuara në gjithë vendin kanë ndaj ministrisë. “Nga auditimi i pasqyrave financiare (bilanci) përmbledhëse për të gjithë njësitë vartëse, në fund të vitit 2017, rezulton se gjendja debitorë (klasa 4) paraqitet në vlerën 2,433,193 mijë lekë, për të cilat nuk është bërë një ndarje e tyre se, sa janë me shpresë arkëtimi apo likuidimi, sa prej tyre kanë një vjetërsi mbi 10 vjet, sa nuk janë likuiduar apo arkëtuar për faj të strukturave që duhet të merren me arkëtimin e tyre” thuhet në raport.

Lidhur me këtë KLSH nënvizon se vjetërsia e detyrimeve e bën edhe më të vështirë arkëtimin e tyre por edhe besueshmërinë e vlerave. Për këtë rekomandohet që të niset një proces rivlerësimi , ku të gjitha llogaritë e arkëtueshme do të analizohen në kuptimin e vjetërsisë dhe mundësive reale për arkëtimin e tyre, si dhe të propozojë masa konkrete, duke mos e përjashtuar masat administrative dhe të tjera nëse është e nevojshme.

(monitor)