Sistemi i mbjelljes
Sistemi i mbjelljes së kajsisë është katror 6-8 x 6-8m me formë kurore kupore e lirë ose me kate të përmirësuara. Zakonisht nuk vendosen pllenues pasi kultivarët e kajsisë janë vetëpllenues. Pema frutifikon në lastarë të përzierë të vitit të kaluar, degëza të holla njëvjeçare dhe në rozeta.
Krasitja
Krasitja e kajsisë është e lehtë dhe konsiston në prerje lastarësh që duhen larguar si dhe degë të dëmtuara ose të infektuara nga shkaqe të ndryshme. Masë e rëndësishme është krasitja e gjelbër (herjet verore) që kryhen gjatë 15 ditëshit të parë të Majit në zonën fushore dhe 15 ditëshit të parë të Qershorit në zonën paramalore. Krasitja e gjelbër krijon kushte të mira ajrimi e dritëzimi të kurorës dhe stimulon formimin e degëzave të parakohshme që lulëzojnë më vonë se degëzat e zakonshme duke evituar dëmtimet e mundshme nga ngricat e hershme. Kjo masë është e dobishme sidomos për kultivarët me lulëzim të hershëm si Belshake, Mati etj.
Ujitja dhe plehërimi
Kajsia zhvillohet kryesisht në zona të nxehta prodhon shumë fruta dhe masë gjethore prandaj ka nevoja të mëdha për ujë dhe duhet të ujitet (200-300m³/dyn/vit). Pas vjeljes së prodhimit është e nevojshme që ujitja të vazhdojë në mënyrë që pema të evitojë prodhimin periodik.
Kërkesat e kajsisë për element ushqyes janë pothuaj të njëjtë me ato të pjeshkës me përjashtim të azotit që janë më të ulëta.
Plehërimi azotik aplikohet çdo vit (1-3 kg/pemë), kaliumi çdo 2-3 vjet dhe elementët e tjerë vetëm në rastet e mungesës së tyre.
Gjethet e një peme në gjendje të mirë kanë këtë përmbajtje të elementëve:
Në %
N P K Ca
2.8 0.1 1.5 1.0
Në ppm
Mg Mn Fe Cu B Zn
0.25 25 50 4 35 18
Në kajsi vërehet shpesh mungesa e borit. Në fruta simptomat janë nxirje e tulit rreth endokarpit që shtrihet më gjerë në vazhdimësi, çarje e tulit deri në 1/3-1/4 e gjerësisë, ngjyra kafe dhe deformim i frutit.
Në gjethe shfaqet klorozë mesonervore, tharje të masës së gjethes ose njolla nekrotike të shpërndara që të japin pamjen e gjethes së shpuar. Masa që duhet marrë është aplikimi i borit në tokë (100- 125gr/pemë) ose spërkatje e gjetheve me acid borik 0.125%. Fruti i shëndoshë i kajsisë përmban 30 ppm bor, kurse gjethja 40-60 ppm.
Disa nga dëmtuesit e kajsisë janë: anarsia, fitofagu (gjethengrënësi), kapnodi, breshkëzat. Sëmundje serioze për kajsinë janë: monilia, stereum, coryneum, pucciania, sharka (virus) luftimi i të cilave bëhet me spërkatje të programuara.
Nënshartesat për kajsi
Kajsia, sikurse dhe llojet e pemëve të tjera mund të shartohet mbi nënshartesa gjenerative dhe vegjetative.
Nënshartesat gjenerative për kajsi
Si nënshartesë gjenerativë për kajsi janë: farishtet e kajsisë, kajsi GF 1236, kanino, pjeshka e vreshtave, pjeshka INRA GF 305, nemaguard, bajamja, kumbulla e egër, kumbulla gjatore e bardhë, renkloda, Juliana, mariana, hibridi bajam x pjeshkë, hibridi pjeshkë x bajam etj.