Reklame:

Pr.ligji, Zonat e Percaktuara per Akuakulture shnderrohen ne nivel rajonal

Lajme të mira për të gjithë prodhuesit në sektorin e akuakulturës. Ndryshime të reja ligjore në ligjin ekzistues do të mundësojnë një zgjerim të aktivitetit të prodhuesve të këtij sektori. Sipas pr.ligjit të ri nr.103/2016, “Për akuakulturën”,  parashikohet shndërrimi i ZPA-ve (Zonë  e  Përcaktuar  për  Akuakulturë) në nivel rajonal, me qëllim që  të  lehtësojë  fillimin  e  procesit  të  hartimit  të  ZPA-së, qoftë  edhe pjesërisht për rajone të caktuara, në të cilat paraqitet interes për zhvillimin e akuakulturës.

Relacioni që bashkëshoqëron ligjin shpjegon: “Psh, nuk ka pse të jetë i ndërvarur miratimi i një ZPA-je në rajonin verilindor të vendit për zhvillimin e troftikulturës, me miratimin e një ZPA-je për zhvillimin e kultivimit të peshkut në kosha notues në det. Nga ana tjetër, hartimi i ZPA-së në nivel rajonal, kërkon burime më të vogla financimi, duke krijuar kështu mundësinë e financimit të tyre nga projekte të ndryshme, jo domosdoshmërisht në nivel kombëtar.”

Kujtojmë që ky sektor ka pësuar një ngërç më parë, duke qenë se gjatë procesit të miratimit të ligjit nr.103/2016, “Për akuakulturën”, u vendos edhe një dispozitë pezulluese në lidhje lejimin e aktiviteteve të reja në akuakulturë. Kjo dispozitë shtyn proceset e lejimit të ushtrimit  të  aktivitetit  të  akuakulturës,  deri  në  përfundim  të  përcaktimit  të zonave në të cilat do të zhvillohet ky aktivitet. Ky pezullim, gjatë kësaj faze tranzitore, prekte edhe ato subjekte të cilat kanë qenë të pajisura me të drejtën e zhvillimit të aktivitetit, por deri në momentin e miratimit të ZPA-së, u mbaron kontrata.

Në këtë periudhe tranzitore subjektet ishin të detyruara të ndërpresin aktivitetin, pa iu dhënë e drejta për të kërkuar rinovimin e kontratës duke shkaktuar dëme ekonomike, qoftë për biznesin, ashtu edhe për ekonominë shqiptare.

Ky projektligj i ri parashikon që deri në miratimin e ZPA-së, kontrata të vazhdojë në përputhje me dispozitat e nenit 25, të ligjit nr.103/2016, “Për akuakulturën”.

Po kështu, si pjesë e këtyre ndryshimeve në dispozitat ligjore aktuale, është shtuar edhe përkufizimi në lidhje me instalimet në pronësi shtetërore të cilat janë tërësia e ndërtimeve që shërbejnë për kultivimin e organizmave ujorë, të tilla si vaskat, kanalet furnizuese dhe shkarkuese, inkubatorët, laboratorët, magazinat frigoriferike, si dhe çdo ndërtim tjetër që shërben për akuakulturë dhe që janë në pronësi ose përgjegjësi menaxhimi të një enti shtetëror. Bëhet fjalë për instalime si në liqenin e Butrintit për kultivimin e midhjes, të qendrave të prodhimit të rasateve të koranit në Lin – Pogradec, dhe Zvezdë – Korçë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe për qendrën e prodhimit të rasateve në Tapizë – Krujë, në përgjegjësi administrimi të Universitetit Bujqësor Kamzë.

 

Një tjetër ndryshim, parashikon krijimin e organizatave të prodhuesve të akuakulturës dhe objektivat e tyre. Organizimi i organizatave të prodhuesve në ligjin aktual mungon, shpjegon relacioni. Për pjesën e organizatave   të   peshkimit   kemi   parashikimin   përkatës   në   ligjin   “Për peshkimin”, ndërsa në legjislacionin për akuakulturën nuk ka parashikime mbi organizatat e prodhueseve të akuakulturës.

Objektivat e organizatave të prodhuesve të akuakulturës janë në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Peshkimit dhe synojnë realizimin e aktiviteteve të qëndrueshme  të  akuakulturës,  sigurojnë  që  ushqimet  për  akuakulturën,  me origjinë nga peshkimi, të vijnë nga peshkimi i menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme, përmirësojnë kushtet për vendosjen në treg të produkteve të akuakulturës, përmirësojnë performancën ekonomike të subjekteve të akuakulturës dhe qëndrueshmërinë e tregjeve, promovojnë standarde të larta të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, si dhe promovojnë punësimin në zonat bregdetare dhe rurale. (Monitor)