Reklame:

Bimet qe çelin edhe ne dimer

Camelia sasanqua
Nëse do të kërkonim një bimë të çelur në periudhën vjeshtë-dimër, kjo bimë shkurrore është ideale. Lulet kanë një aromë delikate, janë në ngjyrë të bardhë, rozë dhe të kuqe. Gjethet janë ovale, të stërgjatura dhe me ngjyrë jeshile të errët, gjë që e bën këtë bimë edhe më tërheqëse. Lulja rritet deri në 3 metra lartësi, kërkon terren me ph acid, ka lulëzim spektakolar që zgjat 2-3 muaj. Lulëzimi vazhdon edhe nëse ka rreshje dëbore, gjë që do të krijonte efekte dhe bukuri mahnitëse për këdo që do ta kishte në oborrin e tij.

 

Hamamelis mollis
Bimë shkurrore që rritet deri në 2 metra lartësi. Lulëzon në dimër. Petalet e saj të holla në formë xhufke kanë ngjyrë të verdhë. Mbillet në afërsi të hyrjes së shtëpisë, pasi lulet e saj kanë një aromë shumë të këndshme. Ngjyra e verdhë dhe aroma e fortë në mantelin e bardhë të dëborës e bëjnë këtë bimë shkurrore të preferuar për të apasionuarit e kopshteve të bukura e të veçanta.

 

Nandina japonica
Bimë shkurrore me rritje deri në 1-1.5 metër. Tërheqëse në vjeshtë dhe në dimër për trasformimin e ngjyrës së gjetheve nga jeshile në vishnje e të kuqe. Kjo dukuri është pasojë e ndërprerjes së sintetizimit të klorofilit, duke mbisunduar në gjethe pigmenti i quajtur antocian, i cili ka ngjyrë të kuqe. Bima bëhet edhe më tërheqëse kur nga lulet e vogla e të bardha të saj, të cilat çelin në pranverën e vonë, formohen frutat në majë të degës së bimës dhe, nën efektin e temperaturave të ulëta, trasformohen në ngjyrë të kuqe. Degët me fruta të vogla e të rrumbullakëta, të cilat na kujtojnë biskun e rrushit, janë material ideal për t’i përdorur për zbukurimet e festave të fundvitit si kompozime mestavoline apo dhe dekorime në shtëpi, duke krijuar dhe shtuar atmosferën e festave. Akoma më interesante në tonalitetin e ngjyrave të vjeshtës është varieteti xhuxh nandina fire power (i kuq si zjarri) që zbukuron dhe ndez ambientet të tilla si verandat apo ballkonet, duke u shoqëruar këndshëm me bimë si çiklamini.

 

Ilex agrifoglio
Bimë shkurrore shumë interesante për format e ndryshme të kultivimit të saj. Rritet deri në 3-4 metra në formë shkurreje, por me teknikat e shartimit mund të rritet edhe si pemë e rrumbullakët. Gjethja e saj e gjatë me devijime në majë ka gjemba. Ka histori dhe legjenda të shumta që e konsiderojnë këtë bimë fatsjellëse, prandaj në zbukurimet e fundvitit, në tavolina e dekorime të ndryshme nuk mungon ilex-i. Gjithashtu, ilex-i është symbol në flamurin kanadez. E veçanta e kësaj bimë është frutifikimi i shumtë dhe me ngjyrë të kuqe tipik për festat e fundvitit, prandaj duhet të jetë e pranishme në to.

Chimonanthus praecox
Ose callicanthusi dimëror. Është një bimë shkurrore që rritet deri në 4 metra lartësi. Gjethet i bien në dimër dhe ka lulëzim të fuqishëm, por edhe shumë aromë. Lulja e saj ka formë të rrumbullakët si busull me qendër në ngjyrë vishnje. Gjethet e reja të bimës (që japin idenë e lules) mund të jenë të verdha ose rozë të lehtë, gjë që e bëjnë tërheqëse këtë bimë gjatë dimrit të ftohtë.