Reklame:

Semundjet kryesore te misrit

Bloza e misrit (Ustilago zea Beckm.Unger,Ustilago maydis (DC) Corda

Kushtet më të përshtatëshme për zhvillimin e sëmundjes sigurohen kur ka thatësirë nga muaji shkurt-maj dhe me shira gjatë vjeshtës.

Simptomat

Sëmundja shfaqet në të gjithë pjesët ajrore të bimës, rrallë mund të preki dhe rrënjët.

Në pjesët e infektuara formohen tumore me madhësi 15-20 cm diametër me forma e madhësi të ndryshme. Tumoret sjellin deformime dhe shkatërrimin e bimës.

Në gjethe tumoret shfaqen në pozicione paralel me nervaturën dhe nuk arrijnë dimensione të mëdha (1-2 cm), kanë aspekte të galeve të shtrira me një gjatësi 20-30 cm dhe formojnë kreshta mbi panok.

Në fillim formohet një masë hipertrofike me ngjyrë të bardhë që më vonë merr ngjyrë të zezë. Në maturim tumoret mbulohen nga një cipë e bardhë e cila
mbështjellë masën e zezë në formë pluhuri, klamidosporet.

Cikli jetësor.

Klamidosporet ruajnë fuqinë mbirëse 2-5 vjet dhe ruhen ose në tokë ose në mbeturinat e misrit.

Masat e luftimit

Zgjedhja e hibrideve të misrit të qëndrueshme ndaj sëmundjes.

Qarkullimi i gjatë në raste të infeksioneve të rënda në vitet e mëparshme. Mbledhja dhe shkatërrimi i tumoreve të sapoformuar (para pjekjes së plotë të tyre).

Punimi i thellë i tokës për të përmbysur mbeturinat e infektuara. Dizinfektimi i farës me Carboxine 200gr/kv farë, bavistine 150 gr/kv farë etj.

Fuzarioza e kallirit të misrit

Fusarium moniliforme Sheldon Gibberella fujikuroi Saëada Patogjeni prek drithërat, bananen etj.

Dëmet më të mëdha i shkakton në misër në zona me lagështi të lartë.
Nga kjo sëmundje dëmet ekonomike janë të mëdha.

Simptomat

Prek bananen dhe misrin që në fazat e para të zhvillimit.

Bimët e reja të infektuara kalben dhe thahen papritur. Kur infeksioni është i vonshëm bimët e infektuara formojnë kallinj të cilët janë të prekur në shkallë të ndryshme.

Kallinjtë janë të vegjël dhe në rastet më të rënda mbi to formohet një myk në ngjyrë të bardhë – trëndafili në formë vatrash.

Cikli jetësor

Mbijeton në formë miceli ose të konideve të dimëruara në farë. Përhapet me anën e mikrokonideve një qelizore ose makrokonideve në formë gjysëm hëne të paisura me 3-5 septe. Forma seksore e Giberella fujikuroi është shumë e rrallë dhe përfaqësohet nga peritece në ngjyrë të errët.

Kalbëzimi i kuq i misrit (Giberella zeae (Schë)Petch).

Giberella saubineti (Mont) Sacc. Prek kryesisht misrin, grurin, orizin tërshërën, por mund të prek edhe pataten, domaten, fasulen etj.
 Simptomat

Në misër jep dy simptoma kryesore: 1.Tharjen e bimëve të sapombira dhe 2.Kalbëzimin e kuq të kallirit.

Cikli jetësor

Infektimi i bimës vjen si nga organet e dimërimit të kërpudhës (peritecet) në mbeturinat e infektuara në tokë, ashtu edhe nga fara e infektuar.

Infektimi i organeve lulore shfaqet në periudhën midis lulëzimit dhe stadit të pjekjes së qumështit.

Infektimi fillon nga maja e kallirit drejt bazës.

Kokat e infektuara, që shpejt marrin ngjyrë të kuqe mund të arrijnë pjekjen, por fuqia mbirëse do të jetë e dobët dhe shpesh këto fara shërbejnë si burim infeksioni. Peritecet, me ngjyrë të zezë, formohen në fund të vegjetacionit.

Masat e luftimit

Përdorimi i farës së pastër dhe me fuqi të lartë mbirëse. Luftimi sistematik i dëmtuesve të misrit.

Qarkullimi i gjatë duke përjashtuar nga kultivimi drithërat.

Dizifektimi i farës me frumidor 300-500gr/kv farë, vincit 200gr/kv farë.

Helmintosporioza e zakonshme e misrit Helminthosporium turcicum Pass.

Prek më tepër misrin dhe surgumin, më rrallë dhe graminore të tjera.

Simptomat

Sëmundja prek kryesisht gjethet dhe më rrallë kallirin.

Mbi sipërfaqen e gjetheve të infektuara formohen njolla të gjata në drejtim të nervaturës me gjerësi rreth 1 cm dhe gjatësi 10-15 cm me ngjyrë kafe të zbehtë të rrethuar me një brez me ngjyrë më të errët.

Gjethet e infektuara me kalimin e kohës thahen dhe bimët dobësohen.

Cikli jetësor

Mbijeton me anë të konideve të diferencuara mbi indet e prekura të cilat mund ta ruajnë vitalitetin e tyre për një kohë të gjatë. Në disa raste patogjeni mund të mbijetojë edhe nëpërmjet farës së infektuar.

Helmintosporioza e jugut Helminthosporium maydis Nisikado.

Prek bimët në të gjithë stadet e zhvillimit duke parazituar mbi gjethe, kërcell dhe kalli.

Simptomat

Mbi gjethe formohen njolla më të vogla se ato të helmintosporiozës së zakonshme, rreth 2 mm gjatësi me ngjyrë gri-verdhë. Mbi sipërfaqen e tyre diferencohet një shtresë myku me ngjyrë të errët që përfaqëson konidembajtësit me konidet.

Cikli jetësor

Helmintosporioza e jugut dimëron me micel dhe me konide në mbeturinat bimore të infektuara ose në farë.

Masat e luftimit

Përdorimi i hibrideve dhe kultivarëve të qëndrueshëm të misrit (kultivarët e vendit janë më pak të prekshëm nga helmintosporioza).

Qarkullimi bujqësor dhe punimet e thella për përmbysjen e mbeturinave bimore të infektuara. Dizinfektimi i farës me vincit 200 gr/kv farë, frumidor 300-500gr/kv farë si edhe trajtime gjatë vegjetacionit kur simptomat bëhen të dukshme.