Reklame:

Foleja e pare artificiale per lejleket ne nje shtylle tensioni

Për herë të parë është ndërtuar foleja artificiale e një lejleku në një shtyllë tensioni. Foleja është ndërtuar në Fier nga AOS dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).

Disa ditë më parë në qytetin e Fierit, AOS dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST)  ndërtuan të parën platformë artificiale për folezimin e lejlekut në një shtyllë të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipëri.

Shtyllat elektrike shërbejnë prej vitesh si vende folezimi për lejlekët duke u kthyer si “shpëtimtarë” të tyre nga njëra anë por edhe rrezik real nga ana tjetër pasi në momente të caktuara, shpendët mund të hasin me rrymën elektrike.

Lejleku (Ciconia ciconia) është një prej specieve më të rrezikuara në Shqipëri! Dikur i kudondodhur, me qindra fole në qytetet tona fushore, sot, ky shpend ogurmirë, numëron vetëm 6-të fole në gjithë vendin.

Në momente të caktuara, shpendët e lëvizshëm, sidomos të vegjlit, mund të krijojnë qark të shkurtër ndërsa rryma elektrike kalon nëpër trupin e shpendit duke shkaktuar elektroshok dhe vdekje.

Por edhe rrjeti i transmetimit pëson avari teknike që shfaqen në formën e ndërprerjes së gjatë të furnizimit me energji elektrike.

Një prej foleve të rrezikshme, ndodhej që prej tre-katër vitesh në veri-lindje të qytetit të Fierit, në një shtyllë elektrike të tensionit të lartë që administrohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.

Foleja gjendej shumë pranë linjës së energjisë, duke i ekspozuar shpendët ndaj një rreziku të vazhdueshëm të elektroshokut.

Për të shmangur këtë rrezik për shpendët dhe për rrjetin e transmetimit, AOS dhe OST, vendosën të ndërhyjne për të ndërtuar një platformë artificiale.

Platforma u vendos rreth 50 cm më lart se ajo ekzistues ndërsa materiali i folesë së vjetër u rivendos përsëri lart. Tani foleja e re mirpret lejlekët nga rrugëtimi i tyre i gjatë i kthimit nga Afrika.