Reklame:

Mali i Munelles zone e mbrojtur, Prezantohet propozimi

Është prezantuar propozimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të mbrojtura për shpalljen e Malit të Munellës si zonë e mbrojtur. Propozimi është diskutuar me banorët e zonës, për ta shndërruar këtë në një atraksion turistik jo vetëm duke pasur parasysh vlerat që ka kjo zonë, por edhe sepse është habitati i vetëm ku riprodhohet rrëqebulli i Ballkanit në Shqipëri.

Gjatë takimit me banorët e zonës në Gjegjan të Pukës si dhe me ekspertë të fushës, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, tha se vendimi mbi këtë çështje i cili do t’i kalojë qeverisë shqiptare pas dëgjesave publike do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e banorëve të këtij komuniteti.

“Ne vijmë vetë këtu me njerëzit, dëgjojmë çfarë mendojnë njerëzit, dëgjojmë çfarë perspektive ka zona në sytë e vetë banorëve të zonës, dhe pastaj marrim një vendim që natyrisht do të kalojë në qeverinë shqiptare, por që është një vendim që ndikon drejtpërsëdrejti në jetën e banorëve të këtij komuniteti. Pra, mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të ndajmë sot një shqetësim shumë të madh. Do ta lëmë që të vazhdojë erozioni, të vazhdojë shpyllëzimi i zonës dhe të vazhdojmë të jemi indiferentë apo të pavëmendshëm karshi shkatërrimit të një prej pasurive më të mëdha kombëtare që kemi në zonën pyjore të vendit apo të gjithë së bashku, institucionet lokale, komuniteti dhe ne institucionet shtetërore do bëjmë një veprim që do të çojë në një drejtim tjetër”,tha ministri Klosi.

Ndërkohë, ndërsa bëri një krahasim me vendet e tjera të Europës që zhvillojnë turizmin gjatë 12 muajve të vitit, Klosi tha se do të ketë rregulla mjaft të forta për menaxhimin e zonës së mbrojtur.

“Në qoftë se ne do të mendojmë që Shqipëria duhet të transformohet në një destinacion turistik, ku më mirë sesa këtu në pyllin e Munellës, në të katër bashkitë e marra së bashku, duke shtuar pyjet, duke shtuar arsyet për të ardhur dhe për ta vizituar, duke shtuar agroturizmin, ne mund të kemi turistë gjatë gjithë vitit. Arma më e fortë është bindja e komunitetit që kjo zonë me pasuritë që ka të mund të shndërrohet në një ekonomi dhe burim jetese”, tha ndër të tjera ministri Klosi. (scan)