Prej gati 6 muajsh, Tatimet e kanë pranuar se nuk rimbursonin Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por kjo në disa raste mund të ketë kaluar edhe një vit.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, eshte shprehur se bizneset në vendin tonë janë duke u mbytur si pasojë e moslikujditetit të TVSH-së.
“Ajo që ndodh me TVSH-në, për mua është jo ligjore. Nëse nesër do të ketë një auditim se çfarë ndodh me TVSH-në, kur krijohet dhe kur duhet paguar dhe me analizë risku… unë di shumë biznese që komunikojnë drejtpërdrejtë edhe me kryeministrin po kërkojnë ndihmë. Biznesi shqiptar, eksportet shqiptare, po kërkojnë ndihmë, janë duke u mbytur për shkak të mungesës së likujditetit. Ato para të papaguara tani rezultojnë si të ardhura, por në fakt nuk është kështu. Nëse t’i vret prodhimin, ti pakëson të ardhurat. Nëse tatim paguesi nuk i jep paratë shtetit në kohë, ai penalizohet. Është në ligjin e procedurave tatimore se në qoftë se shteti ja vonon atij në mënyrë të paligjshme, është i detyruar që kur t’ia japë t’i kalojë dhe interesat. Ka kompani që kanë nga 6 apo 7 muaj pa u likujduar dhe kanë sasi të konsiderueshme dhe u rrezikohet të mbyllin edhe aktivitetin”, tha Malaj.
Më tej, ish-ministri i Financave u shpreh se argumenti i vetëm pse ndodh e gjitha kjo është vetëm manipulimi i shifrave të buxhetit.
“Po të dojë kryeministri dërgon auditimin dhe të gjitha janë në kontabilitet. E vetmja arsye që kjo mund të ndodhë është manipulimi i shifrave të buxhetit, s’ka asnjë argument tjetër. Unë nuk them që është në nivel ministri apo kryeministri”, tha Malaj.
Ndërkohë, Arben Shkodra, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, konfirmoi se kishte kompani që nuk rimbursoheshin prej 6 apo 7 muajsh, ndërsa shkoi edhe më tej duke thënë se këto kompani kanë tentuar të marrin kredi për të patur likuiditet për mungesën e kësaj TVSH-je.
“Këtë e kemi nga kompani, të cilat na kanë informuar se e kanë bërë këtë për të arritur likuiditetin. Normalisht, ato duhet të paguajnë punëtorët, të marrin lëndën e parë dhe normalisht interesohen që të kenë likuiditet dhe kjo është shumë dramatike”, u shpreh Arben Shkodra. (A2)