Me ardhjen e të nxehtit, vijnë edhe të urryerat mushkonja, të cilat janë shkaku më i zakonshëm i netëve pa gjumë gjatë këtij sezoni. Ajo zhurma e bezdisshme rrëzë veshit do të vinte në provë të vështirë edhe nervat e personave që mbahen si fort të durueshëm. Për të mos folur më pas për pickimet, që në disa raste shkaktojnë shumë skuqje, kruarje dhe djegie. Pickimi nga mushkonjat zakonisht ndodh gjatë periudhës kur dielli lind dhe perëndon, atëherë edhe kur mushkonjat janë më aktive. Për fat të mirë, në viset tona mushkonjat nuk bartin sëmundje serioze, siç është malaria, andaj pjesa më e madhe e pickimeve nuk janë të rrezikshme. Nga ana tjetër, në treg ekzistojnë produkte të ndryshme për të qetësuar pickimet e bezdisshme dhe për të mbajtur larg mushkonjat. Por të mos harrojmë se ekzistojnë edhe metodat natyrale për t’u aplikuar. Të shohim se cilat janë ato.
Vajrat esenciale
Nëse e urryera mushkonjë ka “kafshuar” lëkurën tuaj, ju mund t’u drejtoheni vajrave esenciale bimore, të cilat janë mjaft rezultative.
Në veçanti, ne rekomandojmë:
– Vajin esencial të lavandos, të cilin duke e aplikuar mbi lëkurë qetëson dhembjen dhe heq kruajtjen;
– Vajrat esenciale të citronellës dhe të barbarozës janë shumë të dobishme, sepse mbajnë larg mushkonjat;
– Vaji i pemës së çajit, i përdorur fillimisht në Australi nga vendasit më shumë se 1000 vjet më parë. Është një ndihmës i parë urgjentë natyral;
– Vaji Neemi vepron si qetësues, por edhe si ilaç kundër insekteve.
Edhe aloe vera, një bimë me prioritete të shumta, na vjen në ndihmë. Rezulton mjaft efektive në trajtimin e pickimeve të insekteve. Ajo është një antiseptik i fuqishëm. Duke aplikuar pak nga tuli apo xheli i aloe verës në vendet e pickimit, ju do të ndieni menjëherë një freski dhe lehtësim. Por në vend të aloe verës ju mund të përdorni edhe një fetë qepe.
“Ilaçet e gjyshes”
Tradicionalisht ekzistojnë edhe kurat e “shtëpisë” që vazhdojnë të këshillohen edhe nga gjyshet tona për t’u shpëtuar mushkonjave dhe pickimeve të bezdisshme të tyre:
– Kripa
Ajo është e dobishme për lehtësimin e kruajtjes. Mjafton të lagni pak me ujë sipërfaqet e pickimeve dhe më pas të vendosni butësisht mbi to kripë;
– Bikarbonat natriumi
Ju duhet të përgatisni vetëm një masë të përbërë prej bikarbonatit të natriumit e ujit dhe ta aplikoni atë në zonat ku ju kanë pickuar mushkonjat. Kruajtja do të zhduket në një kohë mjaft të shkurtër.
– Limoni
Ju mjafton vetëm të prisni një fetë limoni dhe ta kaloni nëpër zonat ku u është shkaktuar kruajtja. Irritimi dhe kruajtja do të zhduket menjëherë.Për shtëpinë
Për të mbajtur mushkonjat larg nga shtëpia, ju mund të përdorni aromë limoni, ndoshta nga ato të cilat vendosen në prizë pranë dritareve dhe ballkoneve.
Çfarë shkakton pickimi i mushkonjave?
Pickimi i mushkonjave shkakton alergji, irritim të lëkurës, kruajtje në trup, puçrra të kuqe, si dhe sëmundje infektive