Reklame:

Bullgari, 90% e perimeve dhe frutave importohen si pasoje e zvogelimit te prodhimit

Rreth 90% e perimeve dhe frutave të shitura në tregun bullgar janë importuar si pasojë e reduktimit të vëllimeve të prodhimit vendas, tha për Radio Bulgaria, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Bullgare të Prodhuesve të Frutave dhe Perimeve, Chavdar Marinov. Sipas statistikave kombëtare, nga janari deri në tetor të vitit 2018 importet e perimeve në Bullgari u rritën 11.7% nga viti në vit në 226.700 tonë dhe importet e frutave u rritën me 9.4% në 255.300 tonë.

Ndërkohë, vëllimet e prodhimit në bujqësinë e Bullgarisë shënuan rënie me 2%, edhe pse vitin e kaluar fermerëve bullgarë iu dhanë subvencione me vlerë 1.3 miliardë euro.

Mbi 50% të subvencioneve u dhanë nga fondet e BE-së, ndërsa pjesa tjetër nga buxheti i shtetit, njoftoi Ministri bullgar i Bujqësisë dhe Ushqimit, Rumen Porozhanov.

Me sa duket sektori bujqësor bullgar nuk po kalon një situatë shumë të mirë dhe kjo ndihet edhe te çdo konsumator bullgar i cili ble produkte ushqimore. Sasitë e kufizuara të produkteve vendase si vezët, frutat, perimet, mishi dhe produktet e qumështit shiten në dyqanet bullgare, ndërkohë që pjesa tjetër e produkteve vijnë kryesisht nga Turqia, Greqia, Polonia, Serbia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Bujqësia bullgare përbën rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Tridhjetë vjet më parë, Bullgaria eksportonte produkte ushqimore në të gjitha vendet e bllokut socialist. Pas tranzicionit nga komunizmi në demokraci, bujqësia bullgare ndërmori reforma të ndryshme, por për fat të keq asnjë prej tyre nuk dha rezultatet e pritshme pozitive.

Bullgarëve iu kthyen sërish tokat e tyre, të cilat gjatë regjimit komunist ishin në pronësi të shtetit.

Megjithatë, fermerët e rinj u bënë pronarë të sipërfaqeve të vogla toke, zakonisht më pak se 1 hektar dhe nuk ishin në gjendje që të mbështesin familjet e tyre, e jo më që të konkurronin me prodhimet e tyre në tregjet bullgare dhe ato të huaja.

Si rezultat, shumë bullgarë të rinj braktisën fshatrat dhe emigruan në qytetet e mëdha, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij, në kërkim të një jete më të mirë.

Fshatrat në Bullgari tani kanë mbetur me një popullsi të vjetër në moshë.

Vetëm prodhuesit e grurit arritën në njëfarë mënyre që të bëjnë modernizimin e nevojshëm dhe të konsolidohen në kompani më të mëdha, moderne dhe më efiksae, të cilat eksportojnë drithëra në Europë dhe kontinente të tjera me mjaft sukses.

Bullgaria është edhe një prej prodhuesve më të mëdhenj të vajrave esencialë në botë. Ky vend është prodhuesi më i madh i bimëve aromatike dhe erëzave në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, në Bullgari u rritën gjithsej 81,000 tonë bimë aromatike dhe mjekësore dhe erëza gjatë vitit 2017.

Bullgaria ka tradita të forta në bujqësi dhe disa dekada më parë është konsideruar një vend agrar shumë i zhvilluar. Tani situata ka ndryshuar. As kushtet tejet të favorshme natyrore dhe as subvencionet financiare të dhëna në kuadër të politikës së përbashkët bujqësore të BE-së nuk kanë kontribuar në zhvillimin e sektorit bujqësor në Bullgari. Të ardhurat e fermerëve bullgarë ranë për shkak të reduktimit të vëllimeve dhe shitjeve të prodhimit.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave, të ardhurat e tyre ranë me 14.8% në 2018, ndërsa të ardhurat në sektorë të tjerë të ekonomisë kombëtare u rritën me mbi 7%. Prandaj, bujqësia bullgare është një sektor me produktivitet të ulët.

Nuk ka shenja të një zhvillimi pozitiv në këtë sektor dhe madje edhe bujqësia organike, e cila konsiderohet premtuese dhe atraktive, përbën vetëm 5% të të gjithë vëllimeve të prodhimit të këtij sektori. Ndërkohë, konsumi i frutave, perimeve, mishit dhe produkteve të qumështit të importuara ka shënuar rritje. (monitor)