Reklame:

Hap dyert Panairi Nderkombetar i AgroBiznesit dhe AgroTeknikes

Për të dytin vit radhazi, Expocity Albania në Tiranë ka hapur dyert për të pritur Panairin dhe Forumin Ndërkombëtar të AgroBiznesit dhe AgroTeknikës, një ngjarje e rëndësishme kjo, për të gjitha shoqëritë e sektorit të bujqësisë në Shqipëri, në gjithë rajonin e Ballkanit.

Në çeljen e këtij eventi morën pjesë përfaqësues më në zë të agrobiznesit shqiptarë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky panair është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për ekspozimin e produkteve dhe teknologjive bujqësore, por edhe për të krijuar sa më shumë lidhje për shkëmbime dhe biznes.

Lajmi i mirë për qytetarët e Tiranës, të cilat i shërbejnë zhvillimit të biznesit, por edhe shitjes së produkteve të bujqësisë dhe të agrikulturës, është se qeveria, me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, do miratojë së shpejti një zonë të lirë ekonomike në Kashar.

 

“Po përgatitemi të prlikojmë pranë qeverisë qendrore, që një zonë në Kashar, rreth 50 hektarë, të shpallet si zonë e lirë ekonomike. Do të thotë se mund të jetë një vend ku shumë prej jush që punoni me produkte bujqësore, do të jetë një vend ideal prodhimi. Duam që të ketë statusin e zonës së lirë ekonomike, siç është përcaktuar nga ligjet shqiptare. Disa histori të ngjashme mund t’i keni parë në Maqedoni apo Rumani, ndaj duam që Tirana të jetë i pari ent publik që menaxhon vetë një zonë të lirë ekonomike”, tha kreu i bashkisë.

Një tjetër lajm i mirë i dhënë nga Veliaj ishte edhe ajo për krijimit e një tregu të dytë shumice për produktet bujqësore në zonën e Lundrës. Kjo si një zgjidhje për të shtuar konkurrencën dhe për të ulur çmimet e shërbimit dhe të produkteve.

“Me ministrin Çuçi jemi gati për të identifikuar një tjetër hapësirë për një treg të madh agro-ushqimor publik, duke qenë se edhe komisionari i konkurrencës, por edhe qytetarët shprehin një pakënaqësi, por edhe ata që janë prodhues shprehin një pakënaqësi me faktin që Tirana ka vetëm një monopol të një tregu agro-ushqimor privat. Hapja e një tregu të dytë, së pari do ta bënte të gjithë këtë treg me dy konkurrues dhe sigurisht konkurrenca do të sillte çmime më të ulëta për ata që aksesojnë tregun”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se ky treg do të shërbejë për herë të parë në Shqipëri si një hapësirë ku tregtarët me shumicë do të bëjnë porosi në avancë për produkte të caktuara te fermerët  edhe duke i financuar ata.

“Ideja është jo vetëm një treg i ri shumice, të cilin e quajmë agregator biznesi bujqësor. Pra, duam që tregu, bashkë me një skuadër që kemi me Universitetin e Harvardit, që po na ndihmon në konceptimin e këtij agregatori bujqësor, përveç shitjes me shumicë, të ketë mundësi edhe të marrë porosi të produkteve nga shitësit me shumicë, si mundësi për të dhënë financimin tek fermerët e zonës. Ky do të ishte një eksperiment i parë me një agregator të mirëfilltë biznesi bujqësor dhe jo vetëm një treg shumice ku ka tarifa më të ulëta se sa tregu privat”, u shpreh Veliaj.

Panairi do jetë i hapur në datat 15-16 mars 2019, në Expocity dhe do t’u ofrojë përfaqësuesve të Agrobiznesit shqiptar dhe të huaj mundësinë të promovojnë gamën e gjerë të produkteve të tyre ashtu si edhe do t’i ndihmojë ata të kapërcejnë kufijtë duke lidhur ura bashkëpunimi me njeri-tjetrin. Në këtë panair ekspozojnë të gjithë kompanitë që prodhojnë, tregtojnë makineri dhe pajisje bujqësore, inpute bujqësore, fara, pesticide. Gjithashtu, e këtij panairi janë bërë edhe kompani që merren me paketimin, ambalazhimin e produkteve bujqësore, sisteme vaditëse, si dhe institucionet shtetërore e financiare që me politikat e tyre impaktojnë zhvillimin e sektorit.(ata.gov.al)