Reklame:

Mal i Zi, Rritje e bizneseve te hapura nga investitoret turq

Sipas shifrave zyrtare, numri i biznesmenëve turq që po hapin kompani në Malin e Zi po rritet me shpejtësi. Sipas Administratës Tatimore të Malit të Zi, shtetasit turq kanë hapur rreth 2,097 ndërmarrje në Mal të Zi, ndërsa 2,863 qytetarë turq u regjistruan si pronarë të bizneseve në Mal të Zi, pavarësisht pjesës së tyre të aksioneve në këto biznese.

Biznesmenët turq hapën rreth 1,545 kompani në shtetin malazez vitin e kaluar, shifër kjo që është shumë e lartë krahasuar me vitet e mëparshme. Kështu për shembull, në vitin 2017, numri i kompanive të reja që u hapën nga biznesmenët turq arriti në 435, në vitin 2016 në 71 dhe në 2015 në vetëm 29 kompani. Të dhënat tregojnë se ndërmarrjet e reja u përkasin kryesisht sektorëve si ai i shërbimeve, konsulencës, ndërtimit dhe tregtisë me shumicë. Vitin e kaluar, investitorët turq zgjodhën kryesisht qytete të tilla si Budva apo Podgorica.

Në qytetin e Budvës, përgjatë Detit Adriatik, vitin e kaluar ata hapën rreth 1,048 kompani, ndërsa në Podgoricë, rreth 609 kompani. Mali i Zi është një nga shtetet që ka vendosur të zbatojë një prej skemave më të përfolura të momentin, shitjen e shtetësisë ndaj investitorëve të huaj.

Si pjesë e kësaj skeme, qeveria malazeze do t’i japë shtetësinë 2,000 investitorëve të huaj nga vendet joanëtare të BE-së, të cilët do të investojnë në projekte zhvillimi në të gjithë vendin. Kjo skemë e cila hyri në fuqi në fillim të këtij viti, do të zgjasë për një periudhë trevjeçare.

Në fillim të këtij muaji, qeveria malazeze bëri publike edhe të gjitha kërkesat që investitorët duhet të plotësojnë për të përfituar nga skema.

Qeveria tha se investitorët nuk duhet të jenë të dënuar më parë dhe të bëjnë një sasi të caktuar të investimeve direkte në varësi të qyteteve që ata zgjedhin.

Qeveria aktualisht ofron tre paketa investimesh: 450,000 euro në investime në kryeqytetin e Podgoricës dhe në qytetet e tjera bregdetare; 250,000 euro për rajonet veriore dhe qendrore të vendit dhe 100,000 euro për zonat më pak të zhvilluara. Kjo ka rritur interesimin e biznesmenëve turq të cilët kërkojnë të përfitojnë nga kjo mundësi.