Reklame:

Eksportet ne krize, bien me 6.3% per dy mujorin e pare, por rritet serish tregtia me Kosoven

Shitjet e mallrave shqiptare jashtë vendit kanë shënuar një performancë negative dy muajt e parë të vitit, ndryshe nga viti i kaluar kur ato u rritën me ritme dy shifrore, duke reflektuar një situatë të vështirë për sipërmarrjet shqiptare.

Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar mars, eksportet arritën në 44.4 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 6.3% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të tre grupet kryesore “tekstile e këpucë”, “minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “materiale ndërtimi e metale”, që së bashku përbëjnë rreth 75% të totalit të eksporteve kanë shënuar një ecuri negative.

Eksportet e “tekstile e këpucë” arritën në 20 miliardë lekë, me një rënie prej 2.2% në raport me dy muajt e para të viti ttë kaluar. Eksportuesit kanë pohuar vazhdimisht gjatë vitit të kaluar që ata u ndikuan negativisht nga nënçmimi i euros dhe kishin një pritshmëri pesimiste për këtë vit, pasi nuk po arrinin të mbyllnin kontratat me partnerët e huaj. Ky grup zë peshën kryesore të eksporteve me 45% të totalit.

Gjergj Leqejza, administrator i kompanisë Shqipëria Trikot, gjykon se nëse nuk do të merren masa, e ardhmja e sektorit mbetet e zymtë. “Sigurisht që kursin e këmbimit e vendos tregu dhe nuk mund të merren shumë masa. Ne këtë e kuptojmë, por rënia e euros na ka sjellë mjaft goditje, pasi ne jemi biznes që aktivet i kemi 100% në euro, kurse pagesat i kemi në lekë. Për këtë arsye, përqindja e rënies së euros në raport me një vit më parë është reflektuar e gjitha si një humbje neto. Ne vazhdojmë të paguajmë njëlloj energji, paga, taksa. Nëse situata vazhdon njëlloj, e shoh të zymtë të ardhmen e këtij sektori”, shprehet ai.

Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” kanë shënuar dhe rënie më të fortë me 18.5%, duke zbritur në 6.5 miliardë lekë. Ndikim kryesor këtu dha ulja e eksporteve të energjisë elektrike, që vitin e kaluar arritën kulmin për shkak të situatës së favorshme hidrike. Në rënie ishin dhe eksportet e Bankers Petroleum, më të madhit në vend, që shënoi tkurrje me 23 drejt Spanjës, që është dhe tregu i saj kryesor. Ky grup zë 14.6% të totalit.

Në rënie të fortë ishin dhe shitjet e grupit “materiale ndërtimi e metale”, që u tkurrën me 25% në 6.4 miliardë lekë. Ndikimin kryesor e dha rënia e eksporteve të Kurum, ndryshe nga viti i kaluar kur kjo kompani i shtoi ndjeshëm shitjet jashtë vendit, kryesisht në Kosovë, pasi doli me sukses nga proceduar e falimentimit për efekt ristrukturimi. Burime zyrtare nga Kurum pohuan se arsyet e rënies së eksporteve lidhen me dimrin më të ftohtë, ndërkohë që gjysmën e dytë të shkurtit ka pasur mungesë stoku, për shkak se kompania po investon në rritjen e kapaciteteve. Ky grup zuri 14.5% të totalit të eksporteve.

Me rritje ishin grupet Ushqime, pije, duhan (+17.7%), Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (+8.9%) dhe Prodhime druri dhe letre (+4.7%), por pesha e tyre mbetet e ulët ndaj totalit.

Thellohet deficiti

Në dymujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 44 mld lekë, duke u ulur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 92 mld lekë, duke u rritur me 1,1 %,krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 47 mld lekë, duke u rritur me 9,1 %, krahasuar me 2018.

Rritet tregtia me Kosovën

Sipas INSTAT, Në muajin Shkurt 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurt 2018 janë: Kosova (61,2 %), Gjermania (7,2 %), dhe Greqia (2,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4,1 %), Spanja (-22,9 %),  dhe SHBA (-16,1 %).

Gjatë këtij dymujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (18,7 %), Maqedonia (3,4 %) dhe Turqia (142,9 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-3,2 %), Gjermania (-3,0 %),  dhe Greqia (-12,6 %).

Në muajin Shkurt 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Shkurt 2018 janë: Turqia (21,1 %), Kina (12,7 %) dhe Gjermania (8,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-5,6 %), Greqia (-1,8 %) dhe Rusia (-10,1 %).

Gjatë këtij dymujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina (16,2 %), Turqia (5,7 %) dhe Rusia (16,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia  (-9,5 %), Greqia (-1,7 %) dhe Gjermania (-1,8 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67,3 %, të gjithë tregtisë. Në Shkurt 2019, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,2 %), Greqia dhe Gjermania (6,7 %), dhe Turqia (6,1 %).

Shkëmbimet tregtare, për dymujorin e parë 2019, me vendet e BE zënë 66,3 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Shkurt 2019, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 82,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58,7 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,5 %), Greqia (6,9 %), Kina (6,7 %) dhe Gjermania (6,3 %). (monitor)