Reklame:

Teknologjia e kultivimit te spinaqit

Spinaqi (Spinacia Oleraceae) është bimë njëvjeçare e familjes chenopodiaceae. Bima në fillim formon rozetën e gjetheve nga e cila më vonë zhvillohet kërcelli lulorë.

Si bimë e cila relativisht mire ju qëndron temperaturave të ulëta, spinaqi zakonisht arrinë në treg në kohën kur asortimani i perimeve të freskëta është më i varfër. Spinaqi është bimë me vegjetacion të shkurtër.

Kultivarët e ndryshëm formojnë rozetën e gjetheve, do të thotë arrijnë pjekjen teknologjike (varësisht nga kultivari dhe kushtet e kultivimit), për 35-60 ditë pas mbirjes.

 

Kërkesat ndaj kushteve te mjedisit

Spinaqi është bimë e klimës së freskët dhe me lagështi. Fara e spinaqit fillon të mbijë në temperature minimale 3-4 0C, ndërkaq ajo optimale sillet në 18-22 0C. Temperatura më e përshtatshme për rritjen e rozetës së gjetheve është 14-16 0C.

Bimët e reja i përballojnë temperaturat – 5 deri në –6 0C, ndërsa bimët tek të cilat është formuar sistemi rrënjorë mire i zhvilluar, mund t’ju përballojnë temperaturave edhe më të ulëta.

Spinaqi ka kërkesa të theksuara për lagështi.

Ne mungese te lagështisë se mjaftueshme, spinaqi zhvillohet ngadalë. Këto kërkesa mund të shpjegohen me sistemin rrënjor relativisht të dobët të zhvilluar.

Gjatë vegjetacionit preferohet që lagështia në tokë të mbahet në kufijtë 65-75 për qind të KFU, ndërkaq lagështia relative e ajrit, 80-85 për qind.

Spinaqi, kërkon toka të pëlleshme, me strukture të mirë dhe të leshueshme për ujë.

Spinaqi mund të shërbej edhe si indikator i plleshmerisë se tokës, pasi që tek ai mund të vërehen edhe mungesat e vogla të ndonjë elementi ushqyes në tokë.

Spinaqi është i ndjeshëm ndaj reaksionit të tokës. Preferon më tepër toka të pasura me kalcium dhe me reaksion të dobët acidik deri neutral (pH 6,2-6.9).

Kultivimi i Spinaqit

Pa marrë parasysh mënyrën e kultivimit (në fushe apo mjedise të mbrojtura), kultivimi i spinaqit bëhet përmes mbjelljes direkte të farës.

Për këtë arsye, përgatitja sa më cilësore e tokës, është moment shumë i rëndësishëm në ciklin e përgjithshëm të prodhimit të spinaqit.

Përgatitja e tokës fillon menjëherë pas largimit të parakultures. Mbjellja e farës së spinaqit, preferohet që të bëhet në mënyrë suksesive (çdo 10- 15 ditë). Për mbjellje duhet përdorur fare cilësore dhe të shëndoshë.

Mbjellja bëhet në distance 15-20 x 5-7 cm. Mbjellja me shpërndarje të farës nuk duhet preferuar. Në kushte optimale fara e spinaqit mbinë për 7-10 ditë, ndërkaq në kushte të pafavorshme, mbirja mund të zgjatet (15-20 ditë). Në qarkullim vjen në vendin e dytë.

Mbjellja e spinaqit preferohet që të bëhet pas kulturave që janë plehëruar me sasira të mëdha të plehrave organik. Në rast se parakultura nuk ka qenë e plehëruar me pleh organik, preferohet që të bëhet hedhja e një sasie të plehut oraganik (në

sasi 2-4 kg/m2), i cili duhet të jetë i dekompozuar mire, pasi që vegjetacioni i spinaqit është i shkurtër, dhe materiet ushqyese duhet të jenë në gjendje lehtë të shfrytëzueshme.

Gjatë planifikimit të sasirave të plehut për spinaqin, duhet patur parasysh faktin se bima e spinaqit me rendiment prej 10 t/ha, nga toka nxjerr përafërsisht 50 kg azot, 20 kg fosfor, 40 kg kalium dhe 20 kg Kalcium.

Pas plehërimit të parë, në varësi nga pjelloria e tokës dhe gjendja e bimëve, bëhen edhe 1-2 plehërime të tjera plotësuese me plehra azotike, por gjithmonë jo më vonë se 3-4 javë përpara vjeljes së bimëve.

Gjatë plehërimit me plehrave azotik, preferohet më shumë që të përdoret forma amoniakale e azotit, pasi që zvogëlohet mundësia e akumulimit të NO3, në gjethet e spinaqit.

Gjatë vegjetacionit preferohet që sipas nevojës të bëhet ri-plehërimi i bimëve. Edhe pse përdorimi i plehrave azotike mund të jep efekt më të shpejt (për shkak të aftësisë së bimëve të spinaqit që të akumuloj NO3), është më e preferuar që të aplikohen plehrat komplekse (por në gjendje të lëngët- të tretur).

Masat e përkujdesit gjatë vegjetacionit

Pas mbirjes duhet përqendruar në sigurimin e lagështisë dhe temperaturës optimale. Në fazat e hershme (deri sa nuk mbulohet sipërfaqja në mes rendeve), preferohet që të bëhet kultivimi i sipërfaqes në mes rendeve. Ujitjet duhet bërë varësisht nga temperaturat dhe tipi i tokës.

Vjelja bëhet në fazën e vjeljes teknike, kur bimët kanë formuar plotësisht rozetën, duke e prerë njëherësh të gjithë rozetën. Bimët e vjela, pasi pastrohen, lidhen në tufa dhe vendosen në arka pranë njëra-tjetrës të gatshme për treg.