Reklame:

Mungojne investimet e medha ne Kosove, shkak tregu i vogel

Çdo bllokadë apo çdo krizë politike në vend, manifestohet edhe me rënje të atraktivitetit për investime e huaja direkte në Kosovë.  Kështu vlerësojnë ekspertët dhe njohësit e çështjeve ekonomike. Ndërkohë, profesori i ekonomisë, Rexhep Sejdiu vlerëson se Kosova është një treg i vogël dhe nuk mund të priten investime të mëdha.

Faktori politik është një prej faktorëve determinant në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend. Situata e tanishme, po bënë që investitorët, të hezitojnë të investojnë në Kosovë. Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi duke folur për Radio-Kosovën, vlerëson se ka rënje të investimeve direke në vendit tonë. Sipas tij një ndër shkaktarët për këtë rënje është edhe situata e tanishme politike në vend.

“Vendi në përgjithësi ka një ulje të atrkativitetit për investime. Në  çdo situatë të krizave politike, paqartësive politike, apo bllokadave të caktuara, që shpesh herë po na karakterizojnë, shumë më herët në Parlament, dhe në disa raste edhe brenda qeveri. Dhe të gjitha këto po ndikojnë në tensionimin e situatës, dhe normal sa më shumë që rritet rreziku politik, aq më shumë bien investimet”, tha Rukuqi për Radio Kosovën.

Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për Radio-Kosovën se vendi ynë ka nevojë jashtëzakonisht të madhe për tërheqje të investimeve edhe për një stabilitet më të madh politik, ashtu që të ketë arritje më të qëndrueshme.

“Ne kemi pas një destabilitet politik dhe kemi pas probleme të brendshme, dhe këto janë karakterizuar me normë të ulët të investimeve të huaja direkte. Kjo do të duhet të ishte argument kryesor që çdo politikan ta ketë parasysh”, tha Zeka për Radio Kosovën.

Profesori dhe njohësi i ekonomisë,  Sejdi Rexhepi thotë për Radion Kosovën se Kosova nuk ofron ndonjë treg të madh për ata që duan të investojnë në Kosovë.

“Asnjëherë nuk mund të presim që do të kemi investime të mëdha sepse tregu i Kosovës nuk ofron një treg të gjerë, që ndonjë investitor i madh të mund të investoje në të . Investitorit potencial tani në situatën e krijuar sigurisht që është dashur të shohin një mundësi për të depërtuar në tregun e Kosovës, i cili tash për tash është konsumues, dhe si i tillë do t’u mundësoi që të zgjerojnë tregun e tyre, qoftë përmes shitjes së mallrave të shërbimeve apo edhe përmes investimeve”, tha Rexhepi për Radio Kosovën.

Ndryshe, ekspertët vlerësojnë se viti 2018 ka qenë vit i keq për investime, me një vlerë të përgjithshme të investimeve prej 121.9 milionë euro. E që krahasuar me vitin paraprak kemi një rënje prej  43 për qind.