Reklame:

Keshilla per prodhuesit e fares se jonxhes.

Pas kositjes se pare te fushave me jonxhe fermeret duhet të nxitojnë me largimin e menjëhershëm të masës nga parcela. Në parcelat e prodhimit të farës sugjerojmë të kryhen:

Mbrojtja e jonxhës së farës nga dëmtuesit. Kryerja e spërkatjeve të nevojshme gjatë periudhës së prodhimit të farës ndikon ndjeshëm në sasinë dhe cilësinë e farës së prodhuar. Shpesh ndodh që shfaqja masive e dëmtuesve komprometon prodhimin e farës deri në masën 100%.

Mbrojtja e jonxhës konsiston në:

Trajtimet gjatë fazës vegjetative.
Trajtimet fillojnë me ngritjen e bimësisë pas kositjes. KUJDES: Trajtimi duhet të përfundojë 8-10 ditë para fazës së fillimit lulëzimit.

Trajtimet gjatë fazës së riprodhimit (lulëzim Lidhje Bishtajash). Për këtë duhen siguruar preparate që nuk dëmtojnë insektet pjalmues gjatë lulëzimit dhe lidhjes së farës, por që luftojnë e dëmtuesit që dëmtojnë lulërinë, bishtajën dhe farën e jonxhës. KUJDES: Në pa mundësi për sigurimin e këtyre preparateve të mos trajtohet gjatë fazës së lulëzimit deri në fazën e lidhjes se bishtajave. Më pas mund të ndërhyhet me preparate sistemi për luftimin e dëmtuesve të bishtajës veçanërisht farëngrënësit dhe çimkës.

Luftimin e barishteve të këqija. Në jonxhishte të fuqishme të moshave 2-3 vjeçare të cilat janë kositur së paku 8-10 herë nuk është shumë i ndjeshëm ky problem. Në raste të jonxhishteve të vjetra dhe të rralla ky problem behet më i mprehtë, i cili duhet marrë në konsideratë dhe kryer në kohë. Për këtë:
− Të kryhet prerja dhe largimi i barishteve të këqija që prodhojnë farë me përmasa të ngjashme me farën e jonxhës dhe që nuk ndahen me mjetet e pastrimit. (çikorja, meli, talla etj.)
− Prerja dhe largimi i bimëve spontane të tërfili njëvjeçar te specieve të ndryshme (T. alexandrinum T. arvense L.) apo tërfilit livadhor (T. pratense ) bimëve të rastësishme të lotusit (L. corniculatus L.) të cilët jo vetëm nuk ndahen pot kontaminojnë farën e jonxhës me pasoja për prodhim e jonxhishteve të reja.
− Pastrimin e anës së parcelave dhe vijave kulluese në parcelë me kositje te here pas hershme në mënyre që të pakësohen burimet e tjera të pjalmit (bimë mjaltëse që lulëzojnë në të njëjtën kohë me jonxhës dhe tërheqin insektet pjalmuese.)

Sigurimin e popullatës së mjaftueshme të insekteve për pjalmimin e jonxhës. Jonxha është bimë me pllenim të kryqëzuar entomofile. Për prodhim e farës është e nevojshme prania e insekteve pjalmues. Përveç insekteve të egra një rol të veçantë në pjalmimin dhe lidhjen e farës luajnë edhe blete e zakonshme. Prandaj duhet që mundësisht të sigurohet prania e 3-4 koshereve për një hektarë jonxhë fare.

 

Sigurimi i lagështirës së mjaftueshme për zhvillimin e bimësisë dhe prodhimin e farës. Prodhimi i farës së jonxhës kryhet me sukses kur bimësia pas lulëzimit dhe lidhjes së bishtajave vendoset në kushtet të një stresi të lehtë të mungesës së lagështirës tokësore (lagështia në tokë është ne rreth 45-50 % të kapacitetit fushorë të saj) Në përgjithësi, por veçanërisht për kushtet e pranverës së sivjetme nevojat për lagështi plotësohen nga rezervat ujore të tokës deri në fundin e lulëzimit dhe lidhjen e bishtajave. Pas kësaj periudhe ndoshta do të shfaqet nevoja për ujë. veçanërisht në tokat e lehta, të mesme dhe ato me drenim natyrore. Në këto raste është e nevojshme të ndërhyhet me ujitje në fundin e periudhës vegjetative dhe sapo ka filluar gonxhimi me norma ujitje 300-400 m3/ha. dhe me drenim natyror.

Pas përfundimit të lidhjes bishtajave një ujitje me të njëjtën normë uji do të ishte e këshillueshme për të gjitha tipet e tokave. Kujdes me sasinë e ujit që përdoret në ujitje.