Reklame:

Kultivimi i trangullit ne sera

Nevojat e Trangullit për Lëndë Ushqimore. Trangulli ka kërkesa të veçanta për elementet ushqimore. Sistemi rrënjor i tij ka aftesi relativisht me te ulet se bimet e tjera per ti asimiluar këto elemente. Kjo veti bën që kjo bime të ketë kërkesa relativisht të larta për sasinë e tyre në toke. Bima e trangullit rritet dhe zhvillohet mjaft mirë vetëm atëhere, kur plehrohet në proporcione të duhura me elementët Azot, Phosfor, Potas, si dhe me një sërë mikroelementësh të tjerë. Në kushtet e mjediseve të mbrojtura ku sasia e dritës diellore dhe rregjimi i temperaturave ajrore dhe toksore jane të pamjaftueshme per stinen kur kultivohen, është domosdoshme qe te aplikohet nje sistem sa me i drejte plehrimi. Elementët ushqimorë per trangullin ndahen në dy grupe kryesore: i) Makroelementet, në të cilën bëjnë pjesë Azoti, Fosfori dhe Potasi dhe ii)Mikroelementet, ku më kryesorët janë: Magnezi, Mangani, Calciumi, Bori, Bakri, Hekuri, Zinku, Natriumi, Squfuri, etj.

Azoti është elementi më i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e bimës së trangullit. Ai merr pjesë në ndërtimin e proteinave, acideve nukleike si: ARN (Acidi Ribonukleinik), AND (Acidi Deziksoribonukleinik), klorofila, vitaminat, fosfatidet, alkaloidet, etj. Duke qene se kultivaret qe perdoren/mbillen ne mjedise te mbrojtura jane kryesisht partenokarpike (d.m.th frutat lidhen pa qene nevoja e pllenimit), azoti është i përqëndruar me teper në indet e reja meristematike të rritjes dhe ne frutat e njome e te porsalidhura. Më vonë N grumbullohet në indet e tjera dhe në frutat e rritura. Kërkesat më të mëdha për N janë gjatë fazës së rritjes masive te vegjetacionit dhe gjate periudhes se rritjes se frutave. Trangulli e asimilon N në formën e kriprave të nitrateve dhe ato amoniakale. Format amoniakale asimilohen më me vështirësi, por në toka të ftohta, të rënda, dhe me lagështi të tepruar, ato mund të asimilohen më mirë se sa ato te nitrateve. Plehërimi i njëanëshëm dhe me doza të larta azotike, jo vetem që nuk ndikon në shtimin e prodhimit, por përkundrazi e frenon ate. Në doza të larta azoti, bimët marrin një rritje të vrullsheme të masës vegjetative, në dëm të vonesës së diferencimit të organeve frutore. Mungesa e N në bimë, shoqërohet me çngjyrosjen e gjetheve të poshtëme. Bimët rriten dhe zhvillohen me vonesë dhe sasia e frutave për bimë është mjaft e ulet dhe frutat rriten te shtrember e te deformuara. Gjethet ngelen të vogla.

Fosfori në indet bimore të trangullit, fosfori gjendet në formën e komponimeve organike siç janë: Ortofosfatet e Kaliumit, të Kalciumit, të Magneziumit, si dhe shumë komponime të tjera organike. Sasia optimale e fosforit në solucionin ushqimor të tokës, ndikon ndjeshëm në rritjen e sasisë së luleve në bimë, në sasinë e frutave të lidhura, në rritjen e shpejtë të tyre. Asimilimi i mire i fosforit është i lidhur drejtëpërsëdrejti me intensitetin e indriçimit diellor, temperaturat e ajrit dhe të tokës, lagështirën optimale të saj, etj, gjë që në kushtet e mjediseve të mbrojtura ato janë më të kufizuara. Prandaj ne keto kushte këshillohet që të aplikohet rritja e përqëndrimit të fosforit, me qëllim që bimët të kene mundesine ta asimilojnë me mire ate.

Potasi në lidhje me rolin fiziologjik të potasit për trangullin, studiues të ndryshëm kanë vërejtur se plehrimi potasik ndikon në rritjen e shpejte frutave, në përmirësimin e shijes, në përmirësimin e pamjes se jashteme, në rritjen e koensistences dhe të fortësisë të tulit, në rritjen e përmbajtjes së sheqerit, të karotenit, të acidit askorbik, te acideve aromatike, si dhe të vitaminave të ndryshme, etj. Prania e potasit në tokë rrit qëndrueshmërinë e tyre ndaj disa sëmundjeve me origjinë kerpudhore. Gjithashtu është vërtetuar se, elementi i kaliumit rrit intensitetin e fotosintezes dhe se kjo më e dukshme, është në mjediset e mbrojtura, ku ndriçimi diellor dhe faktoret e tjerë klimaterik janë më të kufizuar.

Mikroelementët më kryesorë për trangullin janë: Magnezi, Mangani, Calciumi, Bori, Bakri, Hekuri, Zinku, Natriumi, Squfuri, etj. Nga eksperimentet e kryera rezulton se më i pasur me mikroelementë është plehu organik. Ato rekomandohen të përdoren në doza optimale. Per të siguruar rendimente të larta dhe me cilësi të mirë nga trangulli, krahas makroelementeve duhen siguruar edhe sasia e nevojshme e mikroelementëve. Në indet bimore, ato lëvizin nga 0.001 – 0.0001%. Ato janë po aq të domosdoshëm ashtu siç janë edhe azoti, fosfori, potasi, por me një ndryshim të madh, që kërkesat e bimëve për to, janë shumë më të vogla. Kur sasia e njerit prej mikroelementeve në tokë është e pamjaftueshme, atëhere në bimë çfaqen çrregullime metabolike, të cilat shoqërohen me çfaqen e sëmundjeve të ndryshme. Shënjat më karakteristike janë; kloroza te gjetheve, formimin e gjetheve të imta e të perdredhura, etj, të cilat më vonë mund të çojnë deri në tharjen e bimëve.

Për përcaktimin e nevojave per elemente ushqimore dhe plehrimin e tyre, është e nevojshme të kemi parasysh disa tregues që janë: i)Pjelloria natyrale e tokës e cila duhet te sigurohet nëpërmjet analizave laboratorike, ii)Kërkesat e elementëve ushqimore për njësi prodhimi dhe iii)Rendimenti i planifikuar për njësi të sipërfaqes, iv) Koeficenti i përvetësimit të elementëve ushqimorë, etj. Për të prodhuar 100 kg fruta të freskëta, trangullit i duhen të qarkullojë në aparatin vegjetativ të tyre, rreth 250 gr oksid azoti (N2O), 150 gr anhidrit fosforik (P2O5) dhe 500 gr oksid potasi (K2O), pa përfshirë këtu sasinë e mikroelementeve të tjerë të domosdoshëm. Me këto të dhëna ekziston mundësia e përllogaritjes së përafërt të nevojave të trangullit për plehra kimike dhe organike. Tabela në vijim është orientuese dhe për ta kuptuar më mirë funksionin e saj, do ta ilustrojme me një shëmbull.

Shembull: Në qoftëse kemi një sipërfaqe toke 0,1 ha ose 1000 mtë mbjellë me trangull dhe prodhimi i planifikuar është 1400 kv/ha ose 140 kv/1000 m2, ndërsa të dhënat sipas analizave laboratorike janë: i) Përmbajtja e humusit/lëndes organike/ 13%, ii)Përmbajtja e azotit, 4,5 mg N2O për 100 gr tokë, iii) Përmbajtja e fosforit, 5 mg P2O5 për 100 gr tokë, dhe iv) Përmbajtja e kaliumit, 10 mg K2O për 100 gr tokë.

Klasifikimi i pjellorisë së tokës Niveli i pjellorisë së tokës Rendimenti i planifikuar (kv/ha)
1200 1400 1800
A – Për plehra organike (kv/ha)
Toke shumë e varfër <10 % 1300 1500 2000
E varfër 10-15 % 1000 1200 1600
E mesme 16-25 % 750 950 1200
E pasur 26-40 % 550 700 900
Shumë e pasur >40 % 300 400 500
B – Për plehra azotike (kg lëndë aktive / ha)
Toke shumë e varfër <3 (mg N2O për 100 gr tokë) 264 330 429
E varfer 3.1-6 (mg N2O për 100 gr tokë) 165 231 297
E mesme 6.1-9 (mg N2O për 100 gr tokë) 99 132 198
E pasur 9.1-12 (mg N2O për 100 gr tokë) 33 66 99
Shumë e pasur >12 (mg N2O për 100 gr tokë) 33
C – Për plehra fosforike (kg lëndë aktive / ha)
Tokë shumë e varfër <2 (mg P2O5 per 100 gr toke) 195 221 260
E varfër 2.1-4 (mg P2O5 per 100 gr toke) 130 156 195
E mesme 4.1-6 (mg P2O5 per 100 gr toke) 65 91 130
E pasur 6.1-8 (mg P2O5 per 100 gr toke) 26 26 65
Shumë e pasur >8 (mg P2O5 per 100 gr toke)
D – Për plehra potasike (kg lëndë aktive / ha)
Tokë shumë e varfer <6 (mg K2O për 100 gr tokë) 650 750 900
E varfër 6.1-12 (mg K2O për 100 gr tokë) 450 550 700
E mesme 12.1-18 (mg K2O për 100 gr tokë) 250 350 500
E pasur 18.1-24 (mg K2O për 100 gr tokë) 100 150 300
Shumë pasur >24 (mg K2O për 100 gr tokë) 100

Sipas të dhënave të tabelës, sasia e plehrave kimiko-organike duhet të jetë: a) Për plehrat organike: një tokë me 13% humus dhe për 1400 kv/ha prodhim të planifikuar, sipas tabelës sasia e plehut organik duhet të jetë 1200 kv/ ose 120 kv për sipërfaqen 0,1 ha. b)Për plehra azotike:  sasia e plehut azotik në Kg L.A. (lëndë aktive) për ha, për 4,5 mg N2O për 100 gr tokë, duhet të jetë 231 Kg L.A. për ha ose 23,1 Kg L.A. për 0,1 ha. c)Për plehra fosforike:  sipas tabelës sasia e plehut fosforik, duhet të jetë 91 Kg L.A. për ha ose 9,1 Kg L.A. për 0,1 ha. d)Për plehra potasike:  sasia duhet të jetë 550 Kg L.A. /ha ose 55 Kg L.A. për 0,1 ha.

Plehrat organike, këshillohen të shpërndahen uniformisht në sipërfaqen e tokës dhe të përmbysen para punimit të fundit të tokës. Ato rekomandohen të jenë të dekompozuara plotësisht, me qëllim që aktiviteti mikrobiologjik të jetë i drejtuar për shpërbërjen dhe mineralizimin e mëtejshëm të elementëve ushqimorë, me qellim qe të jene te gatshëm për tu asimiluar nga bimët.

Plehrat azotike me kryesore janë: 1-Nitrati i Amonit i cili përmban 33 – 34 % lëndë aktive (N2O). Nga kjo, 50% është azot i formës amoniakale dhe 50% është azot i formës nitrike. Duke qënë një pleh shumë higroskopik, pas hedhjes në tokë ai shkrihet menjëherë dhe disiociohet ne solucionin tokësor. Nëqoftëse nuk mbulohen në tokë gjatë prashitjeve, avullon plotësisht. 2-Ureja,përmban 45–46% N2O, që do të thotë se 1 kv fizik ndodhen 45 – 46 kg L.ak. Amonifikimit në mjedise të mbrojtura realizohet për 3-4 ditë dhe mund të asimilohet menjëherë nga bimët ose të fiksohet në kompleksin thithës të tokës për tu asimiluar më vonë. Në qoftëse ureja hidhet në sipërfaqe të tokës dhe nuk futet në tokë, atëhere për pak orë zbërthehet në amoniak i cili largohet në atmosfere. Ureja mund të përdoret si pleherim bazë, shoqërues dhe suplementar ne disa duar.

Plehrat fosforike me kryesore janë: 1-Superfosfati i Thjeshte, i cili përmban 12 – 16 % P2O5 (fosfat të asimilueshem), ose 12-16 kg/kv fizik. Superfosfati ka vetinë të fiksohet mirë në kompleksin thithës të tokës dhe ruan aftesinë e shfrytëzimit të tij jo vetëm në vitin e parë, por edhe në 2 – 3 vite të tjera, efekti i të cilit ruhet për bimët pasardhëse. Prandaj ky pleh per trangullin rekomandohet të përdoret kryesisht në plehrimin bazë para plugimit të fundit deri në thellesinë 15 – 25 cm. 2-Superfosfati i dyfishtë është më i koncentruar, dhe sasia e P2O5 mund të arrijë deri në 50%. Po kështu edhe superfosfatoi i dyfishte duhet të përdoret si Superfosfati i Thjeshtë.

Plehrat potasike me kryesore janë: 1-Kloruri i Potasit i cili përmban 60 % K2O. Ky është një pleh mjaft higroskopik i cili per trangullin rekomandohet të përdoret si plehrim bazë dhe suplementare. Zakonisht plëhrimi me KCl duhet të bëhet para punimit të fundit ose të paktën para frezimi, me qëllim që plehu të përzihet sa më mire me tokën. 2-Sulfati i potasit (K2SO4), përmban 49-52% K2O. Ky pleh nuk është higroskopik dhe as me mbetje acide. Ai përdoret me shume sukses kryesisht në plehrimin bazë ashtu si dhe Kloruri i Potasit. Gjithashtu rekomandohet qe nje pjese e tij te perdoret edhe si pleherim gjate vegjetacionit.

Llojet e mikroplehrave me kryesore jane: 1-Mikroplehu i Borit si; Boraksi  i cili përmban 11% Bor. Përdoret në 10 – 15 kg/ha i shoqëruar me superfosfatin para frezimit të fundit, ose me anë të spërkatjeve gjatë periudhës së vegjetacionit në rreth 400 – 500 litra uje/ha dhe me një koncentracion 0.02-0.03%. 2-Mikroplehu i Magneziumit është: Sulfati i Magnezit i cili përdoret me anë të spërkatjeve, 2-3 herë gjatë fazës së vegjetacionit me përqëndrimin 1% dhe ne 400 – 500 litra ujë/ha. 3 – Mikroplehu i Manganitjanë: i)Sulfati i Manganit me 33 % Mangan dhe 2-Kloruri i Manganit  me 29 % Mangan. Këto përdoren gjatë vegjetacionit me anë të spërkatjeve në 0.5-0.8 % në 400 – 500 litra ujë/ha. 4-Mikroplehu i Bakrit është Sulfati i Bakrit dhe përdoret në masën 10-20 kg/ha. Shpërndarja e tij mund të bëhet gjatë ujitjeve në fazën e vegjetacionit duke tretur atë në ujë. Metoda më e këshillueshme është ajo e spërkatjes 2- 3 herë gjatë vegjetacionit në 400-500 litra ujë për ha me koncentracionin 0.2-0.5%. 5-Mikroplehrat e Zinkut janë: 1-Sulfati i Zinkut me 25 % Zn dhe 2-Kloruri i Zinkut me 47 % Zn. Këto përdoren ne dozën 2 kg/ha me spërkatje gjethore 0,8% 2-3 herë gjatë vegjetacionit në 400 l ujë/ha6-Mikroplehu i Molibdenit është Molibdati i Amoniumit me 50 % Mo, i cili mund të përdoret gjatë vegjetacionit me anë të spërkatjeve ne 0.03 – 0.05 %, në 400 deri në 500 litra ujë për ha.