Reklame:

Burdullaku, bima qe ben mrekulli ne shendet

Fjalën ‘Portulaca oleracea’ mund të mos e keni dëgjuar ndonjëherë, ama këtë bimë e keni parë me mijëra herë, në bahçen tuaj, nëpër ara, në rrëzat e xhadeve, madje është aq bujare sa ndonjëherë mbin edhe në vazot e luleve për të na thënë: ‘Ja ku jam, më përdor edhe ti që s’ke një bahçe’. Ky është burdullaku që ne s’ia kemi ditur vlerat dhe shpesh e kemi shkulur si bar të keq për të mos i marrë lëndët ushqyese luleve ose perimeve pranë të cilave mbin. Po përse duhet ta mbledhim gjithmonë këtë bimë?

Çdo pjesë e kësaj bime është e ngrënshme—lulet, gjethet, kërcelli, madje dhe farat. Për shkak të shijes pak të thartë e të kripur, shtimi i burdullakut në sallatën tuaj i jep asaj më shumë shije asaj. Është shumë e ushqyeshme dhe rritet fare lehtë në oborrin tuaj, ndonjëherë pa u përpjekur fare.

Burdullaku ndihmon kundra ngrënies dhe peshës së tepërt

Gjethet dhe kërcejtë e burdullakut janë mishtore, çka do të thotë që janë shumë të pasura me ujë dhe fibra. Kjo është arsyeja pse konsumimi i burdullakut është një ide e mirë nëse doni të hiqni ca kile. Kjo bimë ju siguron ndjesinë e ngopjes dhe nuk ju lejon të hani më tepër se duhet. Burdullaku është një aleat shumë i mirë i rënies në peshë nëse kombinohet me ushqime të tjera të shëndetshme dhe aktivitet të rregullt fizik.

Ndihmon në reduktimin e riskut të atakut dhe infarktit në zemër

Acidet yndyrore Omega-3 të cilat gjenden me shumicë tek burdullaku, janë shumë të dobishme për sistemin kardiovaskular. Këto yndyra të shëndetshme ndihmojnë në zvogëlimin e kolesterolit të keq dhe parandalojnë depozitimin e tyre së bashku me pllakëzat në muret e arterieve. Kjo rezulton në uljen e presionit të gjakut që është diçka pozitive për zemrën tuaj. Konsumimi i burdullakut mund të ndihmojë në uljen e shanseve të sëmundjeve të zemrës, goditjeve në zemër dhe në tru falë sasive mbreslënëse të acideve yndyrore omega-3!

Konsumi i rregullt i burdullakut mund t’ju mbajë larg osteoporozën

Osteoporoza është një gjendje që karakterizohet nga prirja e kockave për të pasur fraktura. Diçka e thjeshtë si shtimi i burdullakut në dietën tuaj mund t’ju ndihmojë në betejën me osteoporozën dhe ndërlikimet e saj me kalimin e kohës. Kjo sepse kjo perime nuk përmban vetëm kalcium, por edhe minerale të tjera të rëndësishme për kocka të forta. Ajo përmban edhe mangan, magnez dhe hekur. U bën mirë gjithashtu dhëmbëve tuaj.

Ndihmon në shëndetin e syve dhe për një lëkurë të shëndetshme

Falë përmbajtjes së lartë të vitaminës A, burdullaku ndihmon kundra turbullimit të shikimit. Kjo për arsye se vitamina A është një antioksidant që mbron retinën e ndjeshme nga dëmtimi. Për më tepër, burdullaku përmban shumë vitaminë C dhe për këtë arsye, duke e përfshirë atë në dietën tuaj, mund të parandaloni shfaqjen e vijave të holla dhe rrudhave në fytyrë. Vitamina C e pranishme tek kjo bimë gjithashtu promovon shërimin e shpejtë të plagëve dhe ndihmon kundra disa sëmundjeve të lëkurës.

Konsumi i burdullakut ndihmon në zvogëlimin e shanseve për kancer

Antioksidantët janë molekula të fuqishme të cilat ndihmojnë për të shtyrë procesin e plakjes. E dinit që janë gjithashtu shumë të dobishëm në mbrojtjen e qelizave nga radikalet e lira, duke ulur kështu shanset e prekjes nga kanceri. Ka shumë fruta dhe perime shumë të pasura me antioksidantë që luftojnë kancerin.  Një nga më të lirat dhe më të aksesueshmet është burdullaku.

Këto janë vetëm disa nga vetitë e dobishme të burdullakut. Gjithsesi, nëse vuani nga gurët në veshka, reduktoni konsumin e tij, sepse përmban acid oksalik në sasi të larta. Nëse dëshironi të ulni nivelet e acidit oksalik të tij, ziejeni para se ta konsumoni!