Reklame:

Mbjellja e sojes

Të përgatitemi për mbjelljen e sojës
Soja duhet të mbillet kur temperaturat mesatare ditore kanë arritur 15-18 grade, kurse për zonën paramalore e kodrinore është muaji Prill. Për të pasur sukses në kultivimin e kësaj kulture dhe arritjen e rezultateve sa më të larta, po japim disa këshilla më të domosdoshme për këtë kulturë:

− Zgjidh tokën më të përshtatshme, ato të jenë të thella e të kulluara. Tokat kompakte, ose shumë të rënda duhen shmangur, pasi soja në mbirje është shumë delikate. Soja është parabimë e mirë për të gjitha kulturat, kurse vetë ajo shkon mirë pas të lashtave, misrit, lule diellit, patates, foragjerëve e tjerë.
− Norma e farës është në varësi të madhësisë së farës, tipit të kultivarit, kushteve klimatike dhe pjellorisë së tokës. Zakonisht përdoren 90-120 kg/ha farë. Për prodhim kokrre përdoren distancat 60 cm rreshti nga rreshti dhe 8-10 cm bima nga bima, thellësia e mbjelljes 2-5 cm
− Soja është bimë që konsumon më shumë fosforin dhe potasin. Në plehërimin bazë përdoren 40-50 kg/ha lëndë aktive fosfor ose 2-2,5 kv/ha superfosfat i granuluar me lëndë aktive 18-20 % l.a. Gjysma e sasisë të përdoret para plugimit dhe pjesa tjetër para diskut të fundit. Kur fara nuk është e trajtuar me shtamet e baktereve azotofiksuese, pas mbirjes në fazën e 2-3 gjetheve të vërteta përdoren 1,5-2 kv/ha plehra azotike në formën e uresë e cila hidhet gjatë kultivimit me kultivator ushqyes.
− Zgjedhja e kultivarit është në vartësi të zonës, qëllimit të mbjelljes dhe ciklit bimorë. Në mbjelljet si kulturë e parë, mbillen kultivarët me cikël bimorë të mesëm dhe të gjatë, kurse në mbjelljet e dyta kultivarët me cikël të shkurtër.
− Soja është e ndjeshme ndaj mungesës së ujit, sidomos në fazën e lulëzimit, lidhjes dhe rritjes së bishtajave. Ajo kërkon 2-3 ujitje, në vartësi të kohës dhe tipit të tokës, prandaj për mbjellje të caktohen parcela me mundësi ujitje.