Stina e pranverës është periudha kur bimët medicinale në përgjithësi zgjohen, marrin jetë dhe kryejnë pothuajse të gjitha etapat e zhvillimit bimor. Pikërisht në këtë periudhë, janë të akumuluara edhe problematikat për kultivimin e tyre.
Kultivimi i bimëve mjekësore ndahet në dy etapa zhvillimi, në etapën e përgatitjes për mbjellje, kryesisht sigurimin e materialit mbjellës, mbjelljes së fidanit dhe shërbimet agroteknologjike të kultivimit të tyre që i përkasin vitit të parë të mbjelljes si dhe në etapën e shërbimeve agroteknologjike për vitet pasardhës. Në këtë kuadër për mbjelljet e vitit të parë:
Për fermerët që kërkojnë të angazhohen në kultivimin e BAM, një ndër problemet kryesore të tyre është sigurimi i materialit mbjellës kryesisht me bazë autoktone.
Materiali i mbjelljes mund të jetë farë, fidan i përgatitur apo kalema . Në këto raste sipas teknikave të përshtatshme prodhohet e sigurohet materiali mbjellës bimor, fidani.
Për mbjelljet, të cilat mund të kryhen në vjeshtë (tetor-nëntor) apo pranverë (prill), plugohet toka 30- 40 cm dhe pastaj frezohet sipas tokës, 1 ose 2 herë. Vetëm pasi të jetë përgatitë toka për mbjellje atëherë mund të hiqet fidani nga mjedisi i fidanishtes dhe menjëherë fillohet të operohet me mbjelljet sipas distancave të caktuara për secilën nga BAM.
Mbjellja e fidanit është e detyrueshme të shoqërohet edhe me një ujitje bimë për bimë, gjë e cila do të ndihmonte në lidhjen e sistemit rrënjor me tokën.
Gjatë vitit të parë i cili mund të quhet edhe viti i formimit bimor, duhet të bëhet shumë kujdes me ruajtjen e lagështirës tokësore, si dhe mbrojtjen e bimëve nga barërat e këqija. Për këtë është e nevojshme të aplikohen disa ujitje (2-3) si dhe 2-3 herë kultivime në mes rreshtash dhe në mes bimëve në rresht.
Për parcelat e vitit të 2 e më tej:
Problematikat kryesore të stinës për BAM mund të konsiderohen, plehërimi bazë, ujitja e kultivimet.
Sipas dozave të përshtatshme për secilën bimë, plehërimi bazë mund të aplikohet menjëherë pas ringjalljes bimore (me daljen e gjetheve të para, në dekadën e tretë të marsit) në kushtet e një toke të lagët pas një shiu.
Menjëherë pasi shpërndahet plehu, është e domosdoshme që ky proces të shoqërohet me një kultivim i cili mbulon plehun, lufton barërat e këqija dhe ruan lagështirën kapilare.
Në vazhdim të proceseve vegjetative, gjatë kësaj stine, operohet edhe me dy kultivime të tjera.
Në kushtet e ujitjes, gjatë thatësirave të zgjatura të muajit maj-qershor, mund të aplikohet edhe ujitja deri në 2 herë.