Reklame:

Bujqesia dhe shitja me zinxhir te shkurter

Është momenti që politikanët, pushteti qendror e lokal, të diskutojnë me fermerët se si të rikrijojnë shitjet direkte. Ashtu si noti mësohet vetëm në ujë dhe më shpejt kur je fëmijë, edhe ekonomia e tregut mësohet më shpejt duke prodhuar e duke shitur vetë prodhimin në treg, aq më mirë kur e nis i vogël

“De Agri Cultura” është libri i parë në prozë latinisht, i cili ka mundur të mbërrijë te ne. I shkruar rreth 2200 vjet më parë, shumë nga ato që na mëson Cato vlejnë shumë edhe sot. Të tjera i takojnë kohës, por nuk është qëllimi ynë për të thënë këtu mësoni latinisht. E çuditshme, megjithatë, që recetat nga mjeku dhe për bujqit të shkruhen latinisht, apo jo? Jemi çfarë hamë apo jemi çfarë dimë? Bujqësia, në atë kohë, si dhe për 2000 vjet të tjera që pasojnë është aktiviteti kryesor prodhues në Europë.

Cato e hap librin duke u përpjekur t’iu mbushë mendjen lexuesve se investimi në bujqësi është më i ndershëm e më i vlefshëm se tregtia dhe dhënia e parave me fajde. “Nëse do të lavdërosh një njeri që ia vlen, ateherë për të thuhet fermer i mirë, burrë i mirë i dheut dhe kjo konsiderohet nderimi më i madh”.

Grua a burrë i mirë, sado të jesh e të të vlerësojnë, paratë nuk fitohen me lavdërime – ekonomia e sotme jo vetëm nuk bazohet më tek bujqësia, por n.q.s. doni nga skllevërit e bujkrobërit ka kaluar tek robotët e Inteligjenca Artificiale. Revolucioni industrial përmbylli atë që kishte nisur me lindjen e qyteteve të para në Mesopotami në Egjipt, në Mesdhe, Greqi, Perandorinë Romake. Bujqësia nuk ishte më baza e zhvillimit ekonomik e shoqëror, por ia la vendin industrive, financës, tregtisë e shërbimeve.

Holanda sot konsiderohet një superfuqi bujqësore nga fermerë e specialistë bujqësorë kudo në botë, e si shembull që duhet ndjekur, por pesha e bujqësisë në GDP kombëtare është më pak se 2%, e po kështu Italia, Franca, vende me prodhim bujqësor edhe më të madh. Greqia, aq e ngjashme në klimë, gjeografi e mentalitet, e ka 3.5%. Në vendet fqinjë, Maqedonia e ka 9.5%, Serbia 6% pjesën e bujqësisë.
Në vitin 1970, pesha e bujqësisë në GDP e Turqisë ishte 40%, në Korenë e Jugut 27%, në vitin 2017 janë bërë Turqia 6%, Koreja e Jugut 2%.

Mesatarja botërore e kontributit të bujqësisë në GDP në vitin 2017 është 11.25%. Shqipëria peshën e bujqësisë në GDP, sipas Bankës Botërore në vitin 2017, e ka 19%. Me mesataren botërore duhet të kthehemi në vitin 1980 për të gjetur këtë nivel, pra dyzet vite më mbrapa. N.q.s do të shikojmë import-eksportet bujqësore të Shqipërisë me vendet e tjera, do të shikojmë se 99% e importeve vijnë nga vende që e kanë peshën e bujqësisë në GDP më pak se 10%, madje më shumë se 90% e totalit nga vende që e kanë peshën e bujqësisë më pak se 5%.

 

Si të zhvillohet bujqësia

Zhvillimi vetëm i bujqësisë në një vend si Shqipëria nuk do të sjellë zhvillimin e pritur ekonomik dhe social për vendin. Zhvillimi i gjithë ekonomisë, në radhë të parë i industrive, tregtisë, shërbimeve e infrastrukturës do të sjellë zhvillimin edhe të bujqësisë. Aq më tepër në një vend të vogël e kryesisht malor si Shqipëria, pa histori konkurruese bujqësore, është më e lehtë të rritet kapitali në industri, në shërbime, të rritet kapitali human, kapitali i njohurive, ai teknologjik, i infrastrukturës, i natyrës, por është shumë e vështirë të rritet kapitali bujqësor.

Toka bujqësore e cilësisë së mirë është e pakët në total, por edhe e copëtuar në ferma të vogla. Tokat që ia vlejnë të përmirësohen për prodhim konkurrues kërkojnë shpenzime direkte dhe indirekte të larta në një kohë që tregu është pothuaj i ngopur me prodhime vendi. Konsumi i brendshëm është ende i vogël dhe rritja e tij e kufizuar. Eksporti duhet të konkurrojë me bujqësinë e vendeve të tjera të cilat kanë investuar me kohë, dekada e shekuj më parë, kapitale, njohuri dhe politika për prodhimin bujqësor dhe përsëri kanë më shumë kapitale e njohuri për të riinvestuar aty n.q.s është e nevojshme.

Por çfarë mund të bëjmë ndërsa zhvillohet ekonomia jo bujqësore, në mënyrë që edhe bujqësia të zhvillohet po aq shpejt e të mos kthehet në “pengesë” për zhvillimin ekonomik e social. Importojmë rreth 1 miliard USD ushqime dhe pothuaj çdo input bujqësor, biologjik, kimik, energjetik e mekanik që duhet për prodhimin bujqësor. Pra edhe një pjesë e madhe e eksportit bujqësor aktual është vlerë e importuar më parë si inpute dhe shkon deri në 40% të vlerës së prodhimit të eksportuar.

Fermat e vogla nuk janë aq problem

Fermat e vogla nuk janë problem në vetvete, ka shumë vende dhe rajone me ferma të vogla që kanë bujqësi e ekonomi të zhvilluar, por nuk mund të zgjidhen problematikat e fermave të vogla në tërësinë e tyre, duke kërkuar për t’i bërë ato të mëdha me çdo kusht dhe mbi të gjitha, jo me të njëjtat politika e masa që ndiqen për fermat që prodhojnë “commodities” për tregjet globale.

Në Bashkimin Europian, fermat e vogla u rikthyen në vëmendje pas vitit 2007, edhe si pasojë e presionit nga vendet e reja nga ish- blloku lindor, me shumë ferma të vogla si Rumania, Bullgaria, Polonia etj. Por, edhe vendet e “vjetra” të Bashkimit Europian si Greqia e rajone të mëdha në Francë, Itali etj., kanë shumë ferma të vogla të krahasueshme si sipërfaqe e vlera prodhimi me ato shqiptare. Nga 12,2 milionë ferma që ka në Bashkimin Europian, 6 milionë janë më të vogla se 2 hektarë. 5.5 milionë ferma kanë të ardhura bujqësore standarde më pak se 2000 euro. Politikat e tanishme të CAP (Common Agriculture Policy) dhe ato që po planifikohen për mbas vitit 2020 parashikojnë dhe kanë masa për fermat e vogla.

Në kushtet e Shqipërisë, me ferma të vogla, ato duhet së pari të futen në treg, të jenë të qëndrueshme aty, të shesin dhe të rritin kapitalin e investimeve, punës dhe njohurive. Zinxhiri i shkurtër i tregtimit të ushqimit është një politikë që e mundëson këtë.

Tregtim direkt, i lirë, i mbështetur i prodhimit vendas të fermerëve të vegjël e të mesëm

Ndërsa ka pika karburanti e lavazhi poshtë pallateve në zemër të çdo qyteti, në Shqipëri mungojnë tregjet bujqësore e pikat e shitjes urbane të fermerëve, ku ata të mund të shesin direkt. Ato rurale janë në gjendje të mjeruar. Shumë episode tregojnë se në shumë qytete të Shqipërisë, fermerët nuk lejohen e madje gjobiten po të shesin në trotuare, sepse nuk ka vend të caktuar në qytet për ata.

Është ndoshta shpejt për të krahasuar të dhënat e periudhave të mëparshme, kur fermerët shisnin në një mënyrë apo tjetër direkt në qytet me para në dore, por së fundmi kemi rritje të madhe të çmimeve të prodhimit bujqësor, ulje të sasive të prodhimit për disa produkte e kërkesë në rritje për ndihmë nga shteti në shitjen e produkteve të tjera.

Klima e krijuar e ndalimit të shitjeve direkte, për arsye të mungesës së tregut fizik dhe për arsye fiskale, nuk duket aspak e përshtatshme për fermerët, që sipas disa të dhënave kanë ulur prodhimin dhe interesin për investim. Tregjet fermere, ose të fshatarëve, janë jo vetëm traditë, janë një mënyrë jetese, kulture, të menduari, të prodhuari. Tregjet fermere bëjnë të mundur shitjen direkte ose zinxhirin e shkurtër të tregtimit të ushqimit. Pas një periudhe harrese, në Bashkimin Europian, në SHBA e në shumë vende ato janë rikthyer me forcë të kërkuara së pari nga qytetarët e konsumatorët.

Zinxhiri i shkurtër i të tregtuarit të prodhimit bujqësor, u rivlerësua dhe u rikonsiderua si një mënyrë e cila rrit mundësitë e shitjes dhe fitimit për fermerët dhe ul çmimin për konsumatorët. Ai konsiderohet edhe si një mënyrë për të shmangur monopolin e rrjeteve të mëdha tregtare, të cilat shesin përgjithësisht prodhime commodities që sigurojnë marzh fitimi të lartë, kanë volume shitje konstante dhe që kanë marketim të fortë nga prodhuesi, pavarësisht origjinës.

Bashkimi Europian e njeh, përcakton dhe mbështet me politikat e Zhvillimit Rural në CAP zinxhirin e shkurtër të ushqimit. Në Francë, zinxhiri i shkurtër është përcaktuar nga Ministria e Bujqësisë “si një mënyrë shitje direkte te konsumatori ose shitje indirekte vetëm me një ndërmjetës”. Mesatarisht, 15% e fermave të Bashkimit Europian e shesin më shumë se gjysmën e prodhimit të tyre direkt.
Këto janë ferma të cilat kanë të ardhura bruto nga 1200 deri në 10 mijë euro në vit. Nga fermat me të ardhura më shumë se 120 mijë euro në vit, vetëm 3% shesin direkt.

Në Greqi, 25% e fermave shesin direkt, 19% në Sllovaki, 18% në Hungari e Rumani. Në Francë, 21% e fermerëve shesin direkt si dhe gjysma e atyre që prodhojnë perime e mjaltë shesin direkt.

Shitjet direkte

Në Shqipëri, duke parë mungesën pothuaj totale, shitjet direkte të fermerëve janë domosdoshmëri. Vlera dhe sasia e ulët e prodhimit për tregtim të shumicës së fermave, mungesa “e standardeve” për tregtim në rrjete dyqanesh, infrastruktura e transportit dhe e vetë tregtisë nuk e bëjnë të kërkuar nga rrjetet e mëdha tregtare prodhimin e fermave të vogla shqiptare. Alternativa janë që fermerët të shesin te ndërmjetësit tregtarë, ose të prodhojnë vetëm për vetë konsum.

Ndërmjetësit kanë të njëjtat kërkesa si dyqanet, madje do të ofrojnë për prodhuesit çmim edhe më të ulët n.q.s. ata gjejnë mundësi rishitje brenda apo jashtë vendit. Rreziku në rishitje, “vlera e shtuar” e ndërmjetësit, p.sh., vendosja në arka, transporti, magazinimi, kostot administrative do ta dy-trefishojnë vlerën e shitjes fillestare të produktit bujqësor, i cili shpesh përsëri do të kalojë edhe një hallka tjetër me po aq “vlerë të shtuar” për të arritur te konsumatori final.

Por, meqenëse flasim për prodhime “commodities”, çmimi i shitjes nga ndërmjetësi do të jetë i njëjtë ose më i ulët se ai bursës për atë mall, por përgjithësisht më i ulët për të kompensuar kostot shtesë të transportit nga Shqipëria, n.q.s. është për eksport.
Në shitje direkte te konsumatori final, prodhuesit kanë mundësi të kërkojnë çmim më të lartë se sa ai që do të merrnin nga ndërmjetësit ose “dyqanet”. Kjo diferencë ju mundëson një fitim shumë më të lartë kundrejt shitjes në një zinxhir të gjatë. Për orë “pune” si proces shitje edhe për sasi të vogla të tregtuara, duke konsideruar fitimin e ulët që ka puna në bujqësi, fermerët do të përfitojnë shumë më shumë nga tregtimi direkt.

Përveç fitimit në para, një anë tjetër e mirë është lidhja direkte me konsumatorin, ndërveprimi, krijimi i besueshmërisë, lidhja ofertë -kërkesë, që i japin vlera jo monetare edhe më të forta shitjes direkte. Sipas dy anketimeve të Eurobarometër në vitin 2011 dhe 2016, 9 në 10 qytetarë europianë bien dakord se ka përfitime të blesh direkt nga një fermë lokale, 4 nga 5 qytetarë e konsiderojnë se të forcosh rolin e fermerëve në zinxhirin ushqimor është e duhur ose shumë e rëndësishme. Konsumatorët europianë i lidhin produktet lokale me standarde cilësore më të larta, të freskëta, vlera ushqyese, ushqim i shëndetshëm, mënyrë prodhimi më miqësore me mjedisin. Ata vlerësojnë mundësinë për të pasur një kontakt direkt me prodhuesit, të dinë nga vjen ushqimi që blejnë dhe të mbështesin bujqësinë e ekonominë lokale, duke blerë prodhime me një çmim të drejtë.

Infrastruktura

Fermerët shqiptarë kanë nevojë për infrastrukturën e nevojshme fizike, administrative e fiskale që të shesin direkt në qytete, tregje rajonale, vende ku ka lëvizje dhe në fermën e tyre. Fermerët mund të paguajnë vetë një pjesë të kostove për tregun fizik. Një pjesë mund të subvencionohet nga bashkitë, të cilat tani mbulojnë edhe fshatin, si dhe nga Ministria e Bujqësisë, ashtu siç u subvencionuan pikat e grumbullimit. Shanset dhe mundësitë në një ekonomi tregu duhet të jenë të barabarta për të gjithë.

Lidhur me anën fiskale, TVSH, fatura, kasë, është një vendim “politik” se a duhet të “mbledhin” fermerët TVSH e në çfarë niveli, por fermat në Shqipëri kanë mesatarisht më pak se 4 mijë euro të ardhura bruto në vit. Fermerët në shitje direkte duhet të shesin me para në dorë, me çmime të ekspozuara, me identifikim si fermerë, pa TVSH, pa kasë fiskale. Asnjë dëm nuk ka buxheti i shtetit sepse këto para cash do të rifuten në qarkullim përsëri nga fermerët dhe sipas studimeve disa herë në ekonominë lokale. TVSH e tatimfitimi për këto para do të paguhet nga bizneset e shërbimet kur fermerët të blejnë mbrapsht shërbimet e mallrat e tyre. Janë sidoqoftë para që mbeten, qarkullojnë e rrisin sadopak ekonominë lokale dhe nuk shkojnë direkt nga xhepi i konsumatorit shqiptar te hudhrat në Kinë, krahët e pulës në Brazil apo qepë në Turqi.

Shitja direkte është gjithashtu një mënyrë që të rifitohet besimi i konsumatorit, i cili aktualisht për prodhimet vendase nuk duket të jetë shumë i lartë. Një prodhues shitës direkt dhe i rregullt e ka më të vështirë të abuzojë me cilësinë se sa në kushtet e një tregtie me zinxhir të gjatë e anonim. Abuzuesit potencialë mbeten të lokalizuar e nuk ka pse të vuajnë prodhuesit e një vendi, rajoni, fshati, ferme, n.q.s. diku është abuzuar dhe konsumatorët refuzojnë të blejnë të gjithë prodhimin vendas të atij produkti sepse nuk e dinë origjinën e prodhimit.

AKU (Agjencia Kombëtare e Ushqimit) duhet të luajë një rol shumë më të madh pro aktiv se sa ai aktual dhe jo të shfaqet pasi konsumatorët kanë konstatuar probleme.

Modelet

Forma të zinxhirit të shkurtër ekzistojnë në Shqipëri, p.sh., për vajin e ullirit, një pjesë e madhe e tij realizohet me shitje direkte. Ajo fillon nga blerja e ullirit kokërr, te nxjerrja e vajit direkt nën kujdesin e konsumatorit, duke bërë të mundur së pari të marrin një vaj me standarde e duke shmangur frikën e abuzimit nga prodhues të pandershëm që e përziejnë atë me vajra të tjerë.

Së dyti, një çmim të arsyeshëm. Në të njëjtën kohë, edhe shitje të shpejtë nga prodhuesit e marrëdhënie besimi afatgjatë mes prodhuesve e konsumatorëve. Gjithashtu, një pjesë e mjaltit, verës, rakisë shitet direkt në raporte direkte e besimi.

Atëherë lind pyetja, po kur ekziston, pse duhet rikrijuar e nxitur? Sepse, në formën si më sipër, është më shumë si një hobi i të pasurve të rinj në qytet, tregon mosbesim te tregtimi klasik dhe është kosto në kohë dhe transport për blerësit. Jo të gjithë kanë makina për të shkuar në fshat, jo të gjithë kanë para në dorë të blejnë e as nuk mund të ruajnë 30 litra vaj ulliri menjëherë. Një mënyrë tjetër e shitjeve direkte janë ato online direkt nga fermat. Në Shqipëri, shtrirja e internetit, demografia e fshatit, infrastruktura e pagesave, e rrugëve, postës i bëjnë të vështira shitjet online, prandaj modeli i thirrjes me telefon te fermeri që duam për porosi të ndryshme nuk është ende jashtë kohe.

Restorantet mund të bëhen pjesë e zinxhirit të shkurtër, sidomos për produktet tipike e tradicionale. Ata frekuentohen nga turistë vendas e të huaj, por vendet e punës që krijojnë direkt e indirekt e ndikimi që kanë në ekonominë lokale, thjeshtësimi i procedurave të blerje-shitjeve dhe heqja e TVSH në blerjet nga fermerët e vegjël do të ndihmonte për të pasur çmime të arsyeshme në menu e qëndrueshmëri të tyre.

Një aktor shumë më i madh që mund të ndikojë në shitjet me zinxhir të shkurtër është vetë “shteti”, me anë të tenderëve e blerjeve që bëhen për produktet ushqimore nga institucionet e ndryshme të tij lokale apo qendrore. Bashkimi Europian e rekomandon si aksion dhe do të duhet një vullnet politik që tenderët të mos vendosen vetëm nga çmimi më i ulët, por një pjesë e blerjeve e sa më shumë e mundur të jenë prodhime vendase, lokale, të siguruara direkt nga fermerët ose me zinxhir të shkurtër.

Përvoja europiane

Pra nisur nga tradita shekullore “e pazarit”, përvoja europiane, politikat që ndjek e propozon CAP, në kushtet e Shqipërisë me ferma të vogla, shitjet direkte janë një mundësi për të rritur ekonominë bujqësore dhe atë rurale. Fermerët mund të përfitojnë një pjesë më të madhe të çmimit final. Konsumatorët mund të paguajnë më pak. Mund të zhvillohen shumë prodhime “niche”, tipike e lokale për të cilat ka kërkesë tregu lokal e kombëtar, por jo ai i “commodities”, prodhime të cilat e kanë vështirë të futen në zinxhirin tregtar aktual. Do të nxisë diversitetin e prodhimit, tipicitetin dhe qëndrueshmërinë.

Në kushtet kur fermerët kanë përvoja të tregtimit direkt dhe janë të sigurt në vazhdimësinë e saj, kjo sigurisht do të çojë në specializim të mëtejshëm dhe në nxitjen e bashkëpunimit midis prodhuesve për të pasur standarde të njëjta, për të shkëmbyer përvoja, për të organizuar së bashku transportin, marketimin, etj. Pra do të vijë e natyrshme ajo që ju kërkohet nga “lart” fermerëve – të organizohen. Sigurisht tregjet direkte i bëjnë më të gjalla qytetet, do të mund të ringjallin produktet e gatimet lokale, festat, panairet, si dhe turizmin lokal e rural.

Sidoqoftë edhe me shitje direkte është e vështirë të konkurrosh me produktet “commodities”. P.sh., një rrjet supermarketi i shet pa fitim ose me fare pak fitim produktet bujqësore, sepse ka volume të tjera të mëdha jo bujqësore dhe tërheq me çmime ushqimore “të ulura” sa më shumë klientë. Në Francë, edhe si pasojë e protestës së “jelek verdhëee”, qeveria ju ka kërkuar rrjeteve tregtare të rrisin marzhin e fitimit me të cilin shesin produktet bujqësore, në mënyrë që të ofrojnë një çmim më të lartë për prodhuesit. Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë bien dakord se fermerëve, të mëdhenj apo i vegjël, ju imponohet një çmim i ulët blerjeje, shpesh nën kosto, nga rrjetet e mëdha, në mungesë të alternativave të tjera të shitjes për fermerët.

Por potencialet ekzistojnë dhe n.q.s. janë të suksesshme, shitjet direkte do të bëjnë të mundur që fermerët të kenë më shumë të ardhura, pra të kenë më tepër mundësi investimi në fermat e tyre dhe kjo do të mund të çojë drejt specializimit të fermerëve e rritjes së efektvititetit të biznesit të tyre. Në kohë, fermerët do të ndahen në prodhues për tregje lokale me zinxhir të shkurtër dhe prodhues të tjerë, jo shitës direkt, për tregje më të mëdha kombëtare e eksport që shesin me ndërmjetës, kontrata, etj.

Po të rikthehemi pak mbrapa, çerekshekulli në kohë e të kalojmë detin në ishullin e Brexit, Adam Smith e shikon si problem që ligjet e kohës në Britaninë e Madhe i detyrojnë fermerët të shesin direkt. Njerëzit janë të frikësuar se tregtarët apo “spekulantët” do të blejnë lirë drithërat nga fermerët kur prodhimi të dalë në treg e fermerët kanë nevojë të shesin sa më shpejt me para në dorë, dhe do ta rishesin atë shumë më shtrenjtë pak kohë më vonë, e kjo sidomos në vitet kur ka pak prodhim, çfarë do t’i çojë njerëzit drejt urisë e shtrëngesave.

Mbreti me ligj thotë – “Jo!”, nuk ka ndërmjetës që rrit çmimin dhe spekulon. Blerjet janë vetëm direkte, të lira, tek fermerët e ndershëm. Problem tjetër për Smith është që prodhuesve industrialë ju ndalohet shitja direkte, sepse justifikimi është që do të mbeten dyqanxhinjtë pa punë n.q.s. fabrikat shesin direkt dhe jo nëpërmjet dyqaneve. Mbreti thotë – “Po!” duhet të ketë ndërmjetës nga prodhuesi te konsumatori për fabrikat. Po deshët, blini mall fabrike në dyqan.

Në thelb, Smith e shikon këtë të lidhur me kapitalin tregtar dhe efektivitetin, një fermer nuk ka kapital tregtar dhe kohë të shesë, pra vështirë të konkurrojë në mënyrë efektive me një tregtar për shitjet, ndërsa fabrika ka kapital edhe tregtar dhe potencialet të konkurrojë tregtarët në shitjet direkt. Pra të dyja ligjet mbretërore pengojnë zhvillimin normal dhe eficient të ekonomisë, kur mbreti vendos në emër të popullit dhe dyqanxhinjve se si të bëhen shitjet.

Për kompanitë jo bujqësore nuk ia vlen shpjegimi, sepse është e ditur, që ato të shesin sa më shumë të munden direkt, p.sh., Apple, Google, Tesla, Austrian, etj. N.q.s. do të blesh shtëpi, kalo njëherë te ndërtuesi, pastaj te Real Estate.
Lidhur me fermerët, mentaliteti i konsumatorëve nuk ka ndryshuar sidoqoftë në mënyrë radikale lidhur me prodhimin bujqësor, vërtet nuk ka spekulantë tregtarë që të çojnë popullsinë drejt urisë me çmime të larta, në vendet me tregti të lirë globale, ndërsa në Britaninë e Madhe atëherë nuk lejohej importi, por shumë njerëz ende mendojnë se tregtarët/ndërmjetësit fitojnë më shumë sa ju takon në kurriz të prodhuesve e konsumatorëve, të parëve duke ju dhënë çmime sa më të ulëta e të dytëve sa më të larta, abuzojnë me cilësinë, krijojnë monopole, kufizojnë zgjedhjen e prodhimeve, etj.

Pra ekziston ende mentaliteti i rrënjosur se është më mirë të blesh direkt te fermeri. Nga ana tjetër, nuk është fermeri i 250 viteve më parë që nuk dinte shkrim e këndim dhe sa më shumë punë në arë, aq më mirë. Fermerët në përgjithësi janë të shkolluar e të ditur, edhe për tregti e marketim, ose i mësojnë shpejt. Puna në fermë, për shkak të teknologjisë e makinerive, merr shumë më pak kohë, pra kanë kohë të lirë jo bujqësore edhe për aktivitet tregtar dhe nuk duhet shumë kapital tregtar për të shitur, ose mund të sigurohet lehtë.
Të gjithë udhëtojmë sot.

Më e lodhshme dhe më i gjatë se sa rrugëtimi është planifikimi, gjetja e mënyrës për të mbërritur sa më lirë, në kohën që duam, nga pika A në pikën B. Mund të shkojmë me aeroplan, mund të shkojmë me autobus, me traget, me makinën tonë apo me qira. Nganjëherë, për të shkuar nga A tek B, më lirë të bie të kalosh nga pika C, të dalësh jashtë skeme. E rëndësishme është që askush nuk vendos për ne, e as na pyet pse duam të shkojmë, e si duam të shkojmë dhe pse zgjodhëm njërën apo tjetrën dhe është në interesin tonë më të mirë ajo rrugë që zgjodhëm

Po kështu, nuk mund t’i detyrojmë fermerët që për të realizuar rrugëtimin e prodhimit të tyre nga ara në tavolinën tonë apo kudo në botë ta çojnë atë për shitje vetëm në pika grumbullimi. As vetëm me shitje direkte, e as vetëm për eksport. Ne nuk duam që për udhëtimin tonë të vendosë një “komitet”, sado shtetëror e “kompetent”. Ne kërkojmë që realiteti ekonomik e social ku jetojmë të na ofrojë sa më shumë mundësi zgjedhje.

E këtë të drejtë zgjedhje, por jo vetëm, edhe infrastrukturën fizike e fiskale të domosdoshme, nuk mundemi t’jua mohojmë atyre që prodhojnë ushqimin tonë. Interesi i tyre nuk është i ndryshëm dhe nuk bie ndesh me interesin tonë. Sa më shumë liri, mundësi, mënyra shitje direkte apo indirekte, të ketë çdo biznes, fermë, individ bujqësor e jo bujqësor, në mënyrë që të gjejë atë që i përshtatet më mirë e të realizojë interesin e vet më të mirë. Kjo do të thotë më shumë të ardhura, më shumë kapital, më shumë efektivitet, mirëqenie e rritje ekonomike për vendin.

Si përfundim, jo vetëm 100 fshatra turistikë, por edhe “një mijë tregje” fermerësh në të gjithë Shqipërinë në vitin 2020. Tregje në çdo qytet, i madh a i vogël, Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Korçë, Fier, Kukës, etj.
Fermerët të regjistruar dhe me aktivitet prodhues të lejohen të shesin me para në dorë, pa kasë fiskale, pa TVSH, prodhime të freskëta e të përpunuara. Kontroll nga AKU proaktiv. Kontroll nga Bashkitë, nga Tatimet. Kontroll nga vetë fermerët. Të gjitha këto kontrolle (jo ai fermer) bëhen aktualisht ose presupozohet që duhet të bëhen.

Tregje e shitje direkte, të cilat mbështeten nga Bashkitë, Ministria e Bujqësisë e Zhvillimit Rural, e vetë fermerët. Pamë më sipër që qytetarët i duan shitjet direkte nga fermerët. Mund të ngrihen e mbështeten me fonde nga Bashkimi Europian, si nga ato të zhvillimit rural, ashtu dhe nga linja të tjera. Me kalimin e kohës, menaxhimi i tyre mund t’u jepet organizmave të fermerëve, p.sh., shoqatave prodhuese, por pa krijuar “monopole” të reja e kosto shtesë.

Është momenti që politikanët, pushteti qendror e lokal të diskutojnë me fermerët se si të rikrijojnë shitjet direkte. Ashtu si noti mësohet vetëm në ujë dhe më shpejt kur je fëmijë, edhe ekonomia e tregut mësohet më shpejt, duke prodhuar e duke shitur vetë prodhimin në treg, aq më mirë kur e nis i vogël. (monitor)