Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se thertoret dhe pularitë në vendin tonë kanë nxjerrë në treg 4.8 mijë tonelata mish pule përgjatë vitit 2018, pra rreth 5 mijë ton. Ky është niveli i tretë më i ulët në Europë pas Maltës dhe Malit të zi, tregojnë të dhënat e Eurostat.
Në këto statistika rezulton vetëm mishi i pulës i nxjerrë në treg për konsum të ndryshëm. Sipas të dhënave, rezulton se mishi i pulës në treg ka rënë lehtë në krahasim me vitin paraardhës. Në vitin 2017 ishin 5.17 mijë ton ndërsa në 2018 4.84 mijë ton, pra në rënie me 6.8% në terma vjetorë.
Në statistika hyn vetëm mishi që del nga pularitë dhe thertoret e mëdha përpunuese, çka bën që në shifrën përfundimtare të mos figurojnë thertoret e vogla dhe mishi i pulës që prodhohet jo formalisht.
Po të analizojmë të dhënat rezulton se informaliteti në sektor është mjaft i lartë pasi 4800 ton mish pule në vit përkthehen në vetëm 1.6 kilogramë për frymë në vit, në rast se marrim të mirëqenë faktin se i gjithë prodhimi vendas shkon drejtpërdrejtë për konsum të brendshëm.
Shifër e papërfillshme po të kemi parasysh faktin se mishi i pulës gjen përdorim të gjerë në familjet shqiptare, jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë por edhe i përpunuar. Duke analizuar dhe përpunuar edhe më tej të dhënat e Eurostat rezulton se mesatarja e Bashkimit Europian është në 29 kilogramë për frymë në vit, pra 18 herë më e lartë se në vendin tonë.
Pra, formalizimi i sektorit, e sidomos siguria ushqimore duket të jenë një problem madhor, pasi pjesa më e madhe e mishit të pulës që ne konsumojmë duket të jetë tërësisht jashtë sistemit. Të dhënat tregojnë se në Bashkimin Europian janë prodhuar 15.2 milionë tonë mish pule në 2018, dhe Shqipëria zë vetëm 0.03% të këtij prodhimi, të paktën duke i`u referuar segmentin të formalizuar. (scan)