Panxhari i kuq (Beta vulgaris ssp. esculenta) bën pjesë në familjen Chenopodiaceae. Është bimë barishtore me cikël 2 vjeçar me origjinë nga pellgu i mesdheut, por është i shpërndarë në të gjitha kontinentet.
Fryti (pjesa konsumuese – rrënjorinjori) arrin diametër 8-12 cm, si dhe gjethet janë me llapa të lëmuara me ngjyrë të gjelbër me nuanca të kuqe.
Pjesa konsumuese (frytrrënjore) ka natyrë mishnore dhe mund të ketë forma dhe përmasa të ndryshme.
Ka vlera energjetike diku rreth 34 kalori në 100 gr produkt të freskët. Gjithashtu panxhari i kuq përmban ujë deri 89-90 %, ndërsa sheqer 5-6 %.
Ka përmbajte të vogël vitaminash, por vlerësohet për përmbajtje të fibrave dhe kripërave minerale, kalcium, hekur etj.
Panxhari i kuq mund të mbillet nga marsi deri në tetor, dhe mbjellja bëhët direkt me farë.
Mbjellja bëhet në rreshta në largësi 30-40 cm e thellësi 1-2 cm. Gjatë mbjelljes bimët lihen 10 cm larg njëra tjetrës brenda rreshtave.
Kërkesat e panxharit të kuq ndaj kushteve të ambientit.
Toka-panxhari i kuq kërkon toka të thella, të lehta e të ajrosura mirë, me përgatitje mesatare dhe të lartë organike.
Qarkullimi bimorë është i domosdoshëm edhe për këtë bimë për ta ruajtur pjellorinë e tokës dhe për parandalimin nga sëmundjet dhe dëmtuesit.
Ujitja është gjithmonë e domosdoshme për panxharin e kuq.
Panxharit të kuq i duhet siguruar lagështinë e nevojshme gjatë gjithë periudhës bimore, nga mbjellja deri në vjelje.
Plehërimi-këshillohet përdorimi i plehrave organike në kulturën paraardhëse dhe jo direkt gjatë përgatitjes për mbjellje të panxharit të kuq.
Plehërimi mineral gjithashtu është shumë i nevojshëm, gjatë vegjetacionit ndërhyhet 1-2 herë me plehra azotike.
Panxhari i kuq konsiderohet bimë e ndjeshme ndaj mungesës së mikroelementeve, në veçanti (borit, magnezit, molibdenit, zinkut).
Vjelja-e prodhimit fillon 60-90 ditë pas mbirjes së farës, në varësi të kultivarit dhe kushteve klimatike.
Frytet shkulen kur të kenë arritur të paktën 5 cm trashësi. Bimët e vjela pasi të jenë pastruar nga dheu dhe gjethet e vjetra bashkohen në tufa me nga 5-6 copë.