Reklame:

Flamingot nga Franca, ‘spektakel’ ne Parkun Kombetar Divjake- Karavasta

Flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme, prej 10 vitesh janë të pranishme në lagunën e parkut Divjakë-Karavasta.

Por këtë herë Guida turistike Divjakë-Karavasta, na jep një lajm aq sa të bukur, por edhe interesant.

“Guida si gjithmonë në shoqërimin e mjeshtrave të fotografisë së botës së egër pati fatin për të tretën herë të asistonte në këtë ngjarje mjaft të bukur. Disa herë ne kishim arritur të fotografonim flamingot me unazë në këmbë, por nuk mundnim ti identifikonim”, bën të ditur administratori i guidës turistike Divajkë-Karavasta, Altin Hila.

Ndërsa në këtë rast, shprehet Hila, një javë më parë nga fotografët e organizatës “Wild Albanian Photographers”, Vangjel Jorgo dhe Arian Mavriqi kemi lexueshmërinë shumë të saktë, gjë që na tregon se nga vijnë këto “bukuroshe”.

Sipas guidës, flamingot që vizituan parkun e Divjakës vijnë nga Franca.

“Flamingot janë shpendë që kanë ardhur prej 10 vitesh dhe vetëm vjet u larguan rreth dy muaj. Ata janë mbajtur në vëzhgim nga ne dhe me vonë janë studiuar në detaje nga ornitologë dhe nga organizata “Wildlife Albanian Photographers”, të cilët me aparaturat e tyre arrijnë në detaje deri tek unazat”, thekson Hila.

Zogjtë lozonjarë që tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri ne 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2 – 3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët. (ATA)