Organizatat joqeveritare, studiuesit apo hulumtuesit, studentët apo çdo person tjetër i interesuar për kërkimin shkencor në një zonë që konsiderohet si e mbrojtur, nuk mund ta bëjnë këtë pa një autorizim nga institucionet. Një draft -vendim i propozuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që pritet të miratohet së shpejti në qeveri, përcakton kriteret për ushtrimin, miratimin dhe monitorimin e veprimtarive kërkimore shkencore në ato zona që janë klasifikuar si të mbrojtura.
Të gjithë subjektet e interesuara do të duhet të paraqesin shprehjen e interesit të tyre dhe do të jetë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ajo që do të shqyrtojë dokumentacionin dhe përmbushjen e kushteve. Nëse konstatohet se nuk përmbushen këto të fundit, subjektit do t’i kërkohet që brenda 10 ditëve të bëjë ndryshimet apo plotësimet e nevojshme.
Gjatë kohës që subjekti ushtron aktivitetin e vet të kërkimit shkencor në zonën e mbrojtur, ai do të monitorohet nga institucionet publike që kanë në administrim atë rajon.
“Subjekti gjatë ushtrimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore shoqërohet nga stafi AdRZM-së dhe rangersat e zonës së mbrojtur mjedisore, ku kryhet veprimtaria. Në rast se stafi i AdRZM dhe rangersat konstatojnë shkelje në veprimtarinë kërkimore-shkencore, AdRZM-ja merr masa administrative në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për mbrojtjen e natyrës për mospërmbushje dhe mosrespektim të kushteve të kërkesës së miratuar” thuhet në draft vendim.
Pas përfundimit të ushtrimit të veprimtarisë së kërkimit-shkencor aplikuesit i lind detyrimi që të përmbushë kërkesat në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për mbrojtjen e natyrës, konkretisht të dorëzojë në Ministrinë përgjegjëse për Mjedisin dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura raportin përkatës me rezultatet e arritura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
Në çdo rast, hyrja në zonat e mbrojtura për aktivitete të kërkimit shkencor nuk do të jetë falas. Vendimi përcakton se për këtë do të aplikohet një tarifë, ashtu sikurse sanksionojnë aktet nënligjore që shoqërojnë ligjin e 2017-s “Për zonat e mbrojtura”. (monitor)