Xhoni dhe Fifi po notojnë në një “alla” pishinë të vogël të improvizuar përpara Qendrës së Vizitorëve, në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Janë dy pelikanë që punonjësit i kanë pagëzuar me emra dhe që nuk u janë bashkuar tufave përgjatë lagunës. Historia e Xhonit daton disa vite më parë, kur u gjet i plagosur në brendësi të lagunës.
U kurua për plagën, por nuk arriti të rikuperonte plotësisht krahun, çka e kufizon sot që vetëm të zhytet në brendësi të kësaj pishine. Fifi, nga ana tjetër, është një pelikan i ri, që ka vendosur t’i bashkohet rutinës së pelikanit më të vjetër. Është ditë e martë dhe në park nuk ka shumë vizitorë, por dy pelikanët ia kanë dalë që të tërheqin edhe ata pak sy kureshtarë që kanë shquar praninë e tyre në oborrin e qendrës.
Në anë të minipishinës prej betoni, ndodhet një kuti për të cilën punonjësi na sqaron se paratë që hidhen nga vizitorët shkojnë për ushqimin e dy pelikanëve. Shohim që fundjava ka qenë bujare nga vizitorët. Nga ana tjetër, në qendrën e vizitorëve mund të gjesh nga dy punonjës, të cilët janë në pritje për të dhënë informacion mbi parkun.
Divjaka kthehet në tendencë, rritet numri i vizitorëve në fundjavë
Divjaka duket se është kthyer këtë vit në destinacionin trendy që po e vizitojnë të gjithë. Mund të keni parë shpesh miqtë tuaj në rrjetet sociale teksa postojnë foto nga Parku magjepsës Divjakë-Karavasta ndërkohë që përveç pedonales, që është një investim i pak viteve më parë, janë shtuar edhe investime të tjera që e kanë bërë vizitën në këtë park më atraktive.
E para, është kulla e famshme prej druri 36 metra e lartë, me 13 kate, e cila mundëson vrojtimin 360 gradë të parkut. Punonjësi i bashkisë, e cila administron kullën dhe të ardhurat e saj, sqaron se është rritur interesi pas këtij investimi. Për të parë panoramën që ofrohet nga kulla, vizitorët duhet të paguajnë një tarifë 100 lekë (kujtojmë që për të vizituar parkun nuk paguhet asnjë tarifë).
Fillimisht, sikurse na sqarojnë, kulla është ndërtuar në shërbim të ekipit zjarrfikës, për të vrojtuar qendrat e zjarrit, por vizitorët e kanë parë si një alternativë më të mirë për të shijuar pamjen e parkut dhe duket se Bashkia e ka kthyer këtë në dobi të saj, nëpërmjet menaxhimit me pagesë. Vetëm fundjavën e shkuar (16-17 mars) kulën e kanë vizituar respektivisht 580 dhe 600 vizitorë çka tregon për rritjen e interesit. Një tjetër investim interesant dhe që ka marrë vëmendje është shëtitja me varka, të cilat sërish menaxhohen nga Bashkia.
Shifrat zyrtare, dimri nuk i ndal vizitorët. Vetën në shkurt, mbi 7 mijë
Të dhënat zyrtare tregojnë se Parku Kombëtar i Divjakës priti në vitin 2018, 411 mijë turistë, nga të cilët 42 mijë të huaj. “Ishin kryesisht çekët dhe polakët që u vendosën në zonën e Golemit ata që vizituan Parkun Kombëtar të Divjakës. Tur-operatorët e tyre e përfshinë këtë destinacion në aktivitetet jashtë hoteleve.
Sigurisht që nuk kanë munguar edhe turistët që vijnë si të pavarur, por kryesisht kemi pasur grupe. Lidhur me turistët që vijnë për të vëzhguar shpendët, më shumë interes ka nga gjermanët, francezët, anglezët.
Ne kemi krijuar kushtet për këtë pjesë dhe ka gjithmonë e më shumë interes”, shprehet drejtori i Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Fierit, Ardian Koçi, të cilin e gjejmë në zyrën e tij mbi qendrën e vizitorëve në Parkun e Divjakës. Ai thekson se interesit në rritje, administrata po i përgjigjet me disa nisma që u vijnë në ndihmë vizitorëve.
“Po vendosim sinjalistikën në pyll, ndërkohë që po bëjmë edhe hedhjen në rrjet të shtigjeve. Kjo ka sjellë zhvillimin e turizmit. Po kështu janë të paktën pesë kulla që mundësojnë vrojtimin e shpendëve që aktualisht janë në fazë riparimi, në mënyrë që të jenë më të përdorshme nga turistët. Paralelisht me këtë, po ndërtojmë një kompleks dushesh dhe banjosh që do të përdoret nga fëmijët e kampit. Janë fëmijë nga zonat përreth, që vijnë dhe kalojnë një pjesë të ditës këtu gjatë verës”, shprehet Koçi. Sipas tij, shtigjet në park janë të gjitha të hapura dhe sinjalistika nuk është se nuk ekziston, thjesht ajo po bëhet e re dhe më bashkëkohore.
Trajnimi i guidave lokale, në funksion të interesit për parkun
Një nga problematikat e ngritura herë pas here është ajo e guidave të pacertifikuara, apo që nuk kanë informacionin e duhur të cilat mund ta bëjnë turistin, në rastin më të mirë konfuz dhe në rastin më të keq, të informuar keq.
Për t’ju përgjigjur rritjes së interesit për Parkun e Divjakës dhe Karavastasë, drejtori i Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Fierit, Ardian Koçi, konfirmon se janë zhvilluar trajnime me guida lokale, ndërkohë që në disa raste, guidën e bëjnë edhe punonjësit e ADZM.
“Ne quhemi Administratë e Zonave të Mbrojtura dhe veç trajnimeve që kemi ofruar për gudiat lokale, vetë punonjësit tanë mund të kenë luajtur rolin e guidës në raste të veçanta. Vizita në park është pa pagesë, çka e bën të frekuentueshëm nga të gjithë. Investimet e bëra nga viti në vit e kanë rritur edhe më shumë interesin dhe frekuentimi i zonës po bëhet dhe më i madh”, sqaron Koçi.
Lufta me detin, parku fiton 300 hektarë të rinj nga tërheqja, nis pyllëzimi
Në kuadër të projektit Natyr-al nga ana e Parkut të Divjakës është zhvilluar Censusi i shpendëve, që është i përvitshëm dhe si gjithmonë ky park ka rezultuar në vendin e parë. Botanistët e parkut, nga ana tjetër, kanë bërë herë pas here ekspedita në pyll për anën botanike të parkut, e cila është gjithashtu e pasur.
Në total, si pyll Parku i Divjakës ka rreth 5 mijë hektarë. Në rritjen e kësaj sipërfaqeje ka ndikuar edhe tërheqja e detit. Teksa në shumë pjesë të bregdetit erozioni po “gllabëron” hektarë të tërë toke, siç është për shembull laguna e Kune Vainit në Lezhë, në Divjakë beteja mes detit dhe tokës është fituar nga e dyta.
“Këtu në Parkun e Divjakës po ndodh e kundërta. Kemi një akumulim të materialeve që depozitohen në qendër të plazhit, duke bërë që edhe deti të largohet. Është larguar vende-vende 200-300 metra, duke krijuar një sipërfaqe rreth 300 hektarë. Ne këtë pjesë po e pyllëzojmë për të rritur sipërfaqen e pyllëzuar në totalin e saj, por për të krijuar edhe një brez mbrojtës”, shprehet Koçi.
E, ashtu si në një pjesë të mirë të Shqipërisë, edhe Parku i Divjakës nuk i ka shpëtuar ndërhyrjeve të jashtëligjshme. “Ky park ka ndërtime të jashtëligjshme, por janë në numër të kufizuar. Në park janë rreth 82 ndërtime të jashtëligjshme, por vetëm 50 janë në përdorim. E rëndësishme është që nuk ka ndërtime të reja. Ato ekzistuese funksionojnë tani si lokale dhe janë në funksion të aspektit turistik të parkut. Tentativa për ndërtime të reja ka, por ne kemi qenë striktë me këtë pjesë”, sqaron Koçi duke shtuar se ndërhyrje të tjera të jashtëligjshme ka pasur nga ana e gjuetarëve, por edhe këto nga monitorimi janë dekurajuar disi. (Monitor)